Kosova në pritje të publikimit të Strategjisë së Zgjerimit të BE-së

Aktuale February 05, 2018 - 08:06

Nesër pritet që Komisioni Evropian ta publikojë Strategjinë e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor dhe afatet e mundshme të anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian. Ajo që dihet deri më tani është se shtetet fqinje: Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedoni e Bosnja, do të kenë afate më të qarta kohore për anëtarësim në BE, Kosova ende nuk ka asgjë të sigurt nëse do të ketë të caktuara afate kohore, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kosova është në pritje të publikimit të Strategjisë së Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që ta ketë më të qartë rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Deri më tani nuk është thënë nëse do të caktohen afate kohore se kur Kosova do ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim apo se kur do të mundë ta përfundojë këtë proces. Ndërkohë, vendet fqinje e kanë më të qartë afatin kohor për anëtarësim në BE, shkruan tutje "Zëri".

Thaçi: Besoj se Strategjia e BE-së do të sjellë qartësi për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë ka thënë se shpreson që Strategjia e BE-së për zgjerimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të sjellë qartësi edhe për Kosovën.

LEXO EDHE: Haliti: Ideja e Limajt për Demarkacionin s’është risi

“Kosova do të përballet edhe me sfida të tjera, sidomos tash kur e kemi monumentumin e liberalizimit të vizave. Dua të besoj fuqishëm se Strategjia e BE-së për zgjerimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të sjellë qartësi edhe për Kosovën, sepse si askujt tjetër Kosovës i duhet qartësia. Në këtë i ndihmon Kosovës edhe vendimmarrja e institucioneve në javët në vazhdim”, është shprehur kryetari i shtetit.

Presidenti gjatë kësaj konference ka thënë edhe se Kosova ka bërë progres të madh në dhjetë vjetët e pavarësisë së saj, duke numëruar njohjet dhe anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare.

Ndërsa zyrtarë nga Qeveria e Kosovës për “Zërin” kanë deklaruar se janë në pritje të dokumentit zyrtar të Strategjisë së BE-së për zgjerimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vetëm pasi ky plan të publikohet ata do të dalin me një qëndrim zyrtar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka pranuar një dokument zyrtar të këtij plani, rrjedhimisht as nuk mund t’i komentojë deklarimet e medieve. Në momentin kur në formë zyrtare e marrim planin strategjik të Bashkimit Evropian sigurisht që do të kemi qëndrim zyrtar për këtë çështje tejet të rëndësishme për Kosovën”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Apostolova: Demarkacioni dhe Specialja përcaktojnë të ardhmen e Kosovës drejt BE-së

Në anën tjetër, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalija Apostolova ditë më parë ka thënë që Demarkacioni dhe Gjykata Speciale janë dy çështje që mund ta përcaktojnë të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ajo, duke e cilësuar këtë periudhë si mundësi që Kosova t’i dëshmojë vlerat evropiane, ka folur edhe për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke theksuar se ajo duhet të ratifikohet.

“Kosova ka gjasë të ndikojë në të ardhmen e saj duke i bërë gjërat e duhura, duhet ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit. Ajo duhet të ratifikohet si çështje e rëndësishme dhe prioritet i Kosovës”, ka thënë Apostolova.

Zeka: Situata e Kosovës me BE-në më keq se në vitin 2000

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Milam Zeka, ka thënë se situata e Kosovës nuk është e favorshme në këtë procesin e integrimeve.  

Sipas Zekës, situata aktuale e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare është shumë më negative sesa në vitin 2000.

“Kosova në raport me bashkësinë ndërkombëtare është më keq sesa në vitin 2000, edhe delegacioni që ka qenë në Këshillin e NATO-s, janë vetëm dy tema që ky këshill dëshiron t’i i bisedojë, ajo e Demarkacionit dhe e Gjykatës Speciale. Ne kemi ardhur në vitin 2000 kur e vetmja temë me palën kosovare ka qenë trajtimi i serbëve në Kosovë, i tejkaluam ato dhe tash e vetmja temë përpara ndërkombëtarëve është çështja e demarkacionit dhe Gjykata Speciale”, ka theksuar Zeka.

Merja: Mungon vullneti politik për krijimin e reformave

Albana Merja, njohëse e çështjeve të integrimeve, shprehet optimiste se Kosova do të jetë pjesëtare e Strategjisë së Zgjerimit të Kufijve të BE-së. Por, sipas saj, caktimi i një afati kohor se kur do të ndodhë kjo për Kosovën është e vështirë.

“Besoj që Kosova do të jetë pjesë e kësaj Strategjisë së Zgjerimit të BE-së për vitin 2025, sepse nuk ka arsye të mos jetë. Deri më tani BE-ja ka thënë që ka një perspektivë për Kosovën dhe se do të jetë pjesë e Strategjisë. Për afate kohore pastaj është shumë më e vështirë si pasojë e gjendjes në të cilën gjendemi, sepse zbatimi i MSA-së po shkon ngadalë, jemi në vitin e dytë të zbatimit dhe shumë pak nga kriteret janë përmbushur, edhe vetë Qeveria e Kosovës duhet ta dijë që afatet kohore për t’u bërë kandidat nuk mund të përcaktohen kaq lehtë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nuk po tregohet vullnet politik për formimin e reformave që do të ndihmonin në zhvillimin e vendit.

“Shumicën e strategjive dhe të detyrave na takon neve t'i përmbushim, pasi nuk po tregohet asnjë vullnet politik që ne të ndërmarrim reforma të fuqishme, reforma që do të zhvillonin vendin. E kemi parasysh se sa dobët e kemi sistemin gjyqësor, sa të korruptuar dhe të përfshirë me politiken dhe sundimi e funksionimi i ligjit është njëri nga kriteret e BE-së”, ka thënë Mejra.

Ndërsa lidhur me Demarkacionin dhe me Gjykatën Speciale ajo ka thënë se të dyja janë çështje që lidhen me BE-në në përgjithësi, por jo drejtpërdrejt me integrimin.

Hoti: Mosnjohja e Kosovës nga 5 shtetet, pengesë për integrim

Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare, ka thënë se pesë vende të BE-së që nuk e  njohin Kosovën mund të paraqiten si pengesë në rrugën e integrimit të Kosovës drejt BE-së.

“Praktika e deritanishme e integrimit të vendeve në BE nuk njeh ndonjë rast kur BE-ja fillon negociatat me vendet për të cilat nuk ka kontekst juridik dhe as politik ndërkombëtar dhe në rastin e Kosovës, që është prezente për faktin se pesë vende të BE-së nuk njohin Kosovën dhe si të tilla mund të paraqiten si pengesë në rrugën e integrimit të Kosovës nga BE-ja”, ka thënë Hoti.

Ai konsideron se BE-ja duhet ta qartësojë pozicionin e saj kundrejt Kosovës me qëllim që 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën të mos bëhen pengesë për të.

“Duhet të qartësohet edhe pozicioni i BE-së me Kosovën, sepse pa ndonjë qartësim të pozicionit të BE-së mendoj se do të jetë jashtëzakonisht e komplikuar për faktin se këto vende do të kundërshtojnë dhe do të bëhen pengesa në rrugën e integrimit”, ka thënë ai.

Ndërsa Demarkacioni dhe Gjykata Speciale, sipas Hotit, janë vonesa të panevojshme dhe vetëm sa e ngadalësojnë ritmin e ecjes përpara për Kosovën.