Haliti: Ideja e Limajt për Demarkacionin s’është risi

Aktuale February 05, 2018 - 07:55

Nënkryetari i Kuvendit dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se ideja e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj për kalimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nuk përbën risi, pasi që, sipas tij, rinegocimi parashihet edhe me Marrëveshjen e Vjenës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se ideja e numrit dy të Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, për Demarkacionin me Malin e Zi nuk është diçka e re, pasi që, sipas tij, edhe në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar vite më parë në Vjenë parashihet të rishikohen pikat ku dyshohet se ka pasur gabime gjatë këtij procesi.

Këto komente nënkryetari i Kuvendit i ka bërë gjatë një interviste për gazetën Zëri, duke shtuar se  partitë politike në Kosovë duhet të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhjeje.

Ai ka pohuar se mosratifikimi i Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi do ta izolonte vendin, prandaj shpreson që gjatë vizitës së kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markovuiq në Kosovë të gjendet një zgjidhje.

LEXO EDHE: Java e Demarkacionit

Zëri: Të hënën është planifikuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. A është Demarkacioni me Malin e Zi në rend dite të kësaj mbledhjeje?

Haliti: Po, kjo është si çështje që do të diskutohet në Kryesi, pastaj nuk e di se çka do të vendosë Kryesia.

Zëri: A ka gjasa të procedohet për seancë plenare për ndonjë ditë gjatë kësaj jave?

Haliti: Këtu janë dy çështje, nëse duam ta kalojmë apo nëse duam të bëjmë shaka me këtë çështje. Unë besoj që duhet të shihet mundësia e kalimit të kësaj Marrëveshjeje dhe nuk duhet ta nxjerrim si temë dhe të dështojë miratimi i Demarkacionit, pasi Kosova penalizohet në arenën ndërkombëtare nëse bën lojëra të tilla.

Zëri: A ka koordinim në mes të partnerëve të koalicionit për këtë çështje?

Haliti: Nuk e di nëse ka koordinim, pasi nuk jam i ngarkuar me këtë çështje. Po lexoj deklarata publike, dikush po thotë e mbështes, dikush nuk e mbështes. Kemi dy variante që janë shqyrtuar dhe për njërin variant ka një marrëveshje me Malin e Zi, ky shtet e ka ratifikuar, bashkësia ndërkombëtare e ka njohur si kufi. Kjo është gjendja.

Qëndrimi i Malit të Zi, i njohur

Zëri: Zëvendëskryeministri Limaj ka thënë se janë duke u angazhuar për ta gjetur një zgjidhje. A është ky një opsion që do ta nxirrte vendin nga kjo situatë?

Haliti: Kjo që e ka thënë zotëri Limaj nuk është risi, pasi këtë e kemi me shkrim prej kohës kur është nënshkruar Marrëveshja. Pra, ekziston një dokument i pranuar nga të dyja palët, ku thotë se nëse çështje të veçanta apo të caktuara të kufirit janë për diskutim do të diskutohen nga palët dhe mund të ketë marrëveshje të re dypalëshe nëse arrihet tek marrëveshja. Pra, nuk është që po ofrohet zgjidhje që nuk kemi pasur deri më tani.

Zëri: Të martën në Kosovë do të qëndrojë kryeministri i Malit të Zi. A prisni që çështja e kufirit të jetë temë diskutimi në takimin e Haradinajt me kryeministrin Markoviq?

Haliti: Sigurisht, çështja e demarkacionit do të jetë temë. Mali i Zi ka mbajtur qëndrim tashmë të njohur, duke thënë se ne e kemi ratifikuar dhe se ky problem tashmë është çështje e partive politike në Kosovë dhe e Kuvendit të Kosovës. Besoj që do të bisedohet në takimin e dy kryeministrave dhe uroj që të ketë një marrëveshje që do ta zgjidhte këtë çështje.

Loja me “tradhtarë” dhe me “atdhetarë”, e rrezikshme për vendin

Zëri: Sa janë gjasat që të ketë marrëveshje, duke e ditur se Mali i Zi thotë se çështja e kufirit me Kosovën për ta është e kryer?

Haliti: Nëse dikush mendon që Mali i Zi do të tërhiqet, nuk e di, unë nuk e besoj këtë, pasi Kuvendi i këtij shteti e ka ratifikuar Marrëveshjen e Vjenës dhe tani nuk mund të pritet që ta shfuqizojë atë vendim. Por, mendoj se të dyja palët mund të bisedojnë dhe të merren vesh për t’i diskutuar hapësirat e caktuara, por jo Marrëveshjen në tërësi.

Zëri: Në mandatin e kaluar opozita ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend për ta pamundësuar ratifikimin e Marrëveshjes së 26 gushtit të vitit 2015. A ka gjasa që të shohim sërish skena të tilla dhe sa do të ishte e dëmshme një gjë e tillë?

Haliti: Ata e kanë dëmtuar veten dhe Kosovën. Ne nuk jemi qendra e botës që të veprojë tërë bota sipas dëshirave tona. Rregullat e lojës janë të përcaktuara në marrëdhëniet ndërkombëtare, kufijtë janë të shënuar prej viteve të ’30-ta dhe nuk besoj që do të duhej të tentohej diçka e tillë. Do të ishte e domosdoshme që partitë gjegjësisht komisionet e partive të diskutojnë si politikanë të mirëfilltë dhe të përgjegjshëm për interesa të Kosovës. Ata do të duhej ta trajtonin këtë çështje dhe të binin në ujdi për një zgjidhje të këtij problemi. Do të duhej që të gjithë së bashku të merrnin përgjegjësi. Tani kjo loja me “tradhtarë” dhe me “atdhetarë” është e rrezikshme për vendin, për izolimin e Kosovës, për liberalizimin e vizave. Pra, do të kishim pasoja si një shtet që nuk e mban fjalën dhe nuk ratifikon marrëveshje ndërkombëtare.

Zëri: A mendoni se mosratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi do ta shtynte edhe për një kohë të gjatë liberalizimin e vizave?

Haliti: Vendimet e Kosovës kundër qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare, kundër qëndrimit të BE-së, janë veprime “krye në veti” dhe në atë formë e penalizojnë veten. Askush nuk e penalizon Kosovën, por ajo po e penalizon veten me vendime të tilla.