Pas Prishtinës dhe Mitrovicës edhe kirurgët e Prizrenit hyjnë në grevë

Aktuale February 04, 2018 - 17:18

Edhe 16 kirurgë të Spitalit të Përgjithshëm në Prizren i janë bashkuar grevës së kolegëve të tyre nga Prishtina e Mitrovica, me kërkesë për rritjen e pagave.

Për momentin greva nënkupton pezullimin vetëm të operacioneve të planifikuara, ndërsa rastet emergjente kirurgët do t’i kryejnë. Qeveria thotë se deri në qershor nuk do të ketë rritje të pagave për mjekët.

Kirurgët e Spitalit të Prizrenit i janë bashkuar grevës së kirurgëve të QKUK’së dhe atyre të Spitalit Rajonal të Mitrovicës. 16 kirurgë të Prizrenit prej nga nesër do të futen në grevë. Ata thonë se këtë punë po e bëjnë në shenjë solidarizimi me kolegët e tyre nga Prishtina e Mitrovica.

Punonjësit e Klinikës së Kirurgjisë në Prizren në mbledhjen e rregullt e kanë njoftuar shefin e repartit rreth planeve të tyre për grevë. Gazeta Express të dielën ka biseduar me përgjegjësin e repartit të Kirurgjisë në spitalin e Prizrenit, Bajram Durajn, i cili ka konfirmuar për fillimin e grevës nga ana e kirurgëve të këtij spitali.

“Në mbledhjen që kemi mbajtur të gjithë kirurgët kanë thënë se prej nesër nuk do të punojnë, për operacionet e ftohta natyrisht. Unë e kam bërë punën time, e kam lajmërua drejtorinë, drejtoria e ka lajmërua Prishtinën. Kirurgët këtë veprim po e bëjnë në  shenjë solidariteti me kolegët e tyre nga Prishtinë”, ka thënë shefi i repartit të Kirurgjisë në spitalin e Prizrenit Bajram Duraj.

Kërkesa e këtyre 16 kirurgëve mbetet e njëjtë me atë të kolegëve nga Prishtina e Mitrovica: Kërkohet rritje e pagës.

Ndërkohë, kirurgët e Klinikës Abdominale në QKUK tashmë kanë kryer javën e parë të grevës.  Drejtori i kësaj klinike Rifat Bajrami i ka thënë Expressit se 30 mjekët e Abdominales nuk do të sprapsen deri në përmbushjen e kërkesës së tyre nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.Bajrami thotë se është jo e drejtë që mjekët të paguhen me vetëm 600 euro në muaj me gjithë atë punë që e bëjnë.

Sipas tij, kirurgët po kërkojnë që paga e tyre të jetë e dinjitetshme dhe rrjedhimisht të kompensohet puna e vështirë që kanë.

“Qëllimi i grevës është vetëm rritja e të ardhurave personale të kirurgëve. Ne do të vazhdojmë me tonën, Ministria me të veten. Ne kishim edhe takim me ministrin, tash të shohim”, tha Bajrami.

Në grevë tashmë kanë hyrë edhe mjekët e repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme në spitalin e Mitrovicës. Edhe ata po kërkojnë rritjen e rrogës në koeficientin 11.
“Kolegjiumi i repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin Rajonal Mitrovicë pas diskutimit për gjendjen e vështirë, kemi vendosur unanimisht që t’i bashkëngjitemi grevës”, thuhet në vendimin e mjekëve nga ky spital. Nga ky spital janë 8 kirurgë të cilët janë futur në grevë.

Nëse MSH nuk i rrit pagat, në grevë planifikojnë që të hyjnë edhe kirurgët e fëmijëve në QKUK. Kështu i ka thënë Expressit drejtori i kësaj Klinike Nexhmi Hyseni. Ai thotë se kërkesat për rritje pagash janë të arsyeshme dhe se nëse nuk realizohet një gjë e tillë edhe kolegët tjerë kirurgë do t’i bashkëngjiten Kirurgjisë Abdominale.

“Kirurgët abdominalë kanë hyrë në grevë dhe mendoj se është e arsyeshme, pasi që pagat janë nënçmuese. Kërkesat janë të arsyeshme dhe mendoj se ditët e ardhshme edhe kolegët tjerë do të na bashkëngjiten. Ne po kërkojmë atë që na takon. Përgjegjësia është tepër e madhe në punë dhe paguhet shumë pak. Ajo duhet të shpërblehet për aq sa ka vlerë”, tha Hyseni.

Por, rritja e rrogës, siç duket, nuk do të jetë në rendë nga ana e Qeverisë. Shpresat mjekëve për rritje rroge ua ka shuar shefi i Qeverisë Ramush Haradinaj. Kryeministri,  bashkë me ministrin Uran Ismaili, të enjten ka pasur takim me menaxhmentin e SHSKUK-së dhe drejtorët e klinikave. Me këtë rast Haradinaj ka thënë se pagat e mjekëve  do të rriten nga muaji qershor, ndërsa grevat që po mbahen nga kirurgët në QKUK dhe Spitalin e Mitrovicës i ka quajtur të paarsyeshme.

Ndryshe, të gjithë mjekët specialistë në institucionet publike shëndetësore, pavarësisht se në cilën fushë punojnë, paguhen njësoj, përkatësisht me një pagë prej rreth 600 euro në muaj. Problemi i rrogave të ulëta është edhe në rastin e infermierëve, të cilët paguhen nga rreth 400 euro në muaj.

Sindikalistët e shëndetësisë thonë se kanë kërkuar që mjekët specialistë të radhiten në koeficientin 8, që do t’u siguronte atyre një pozitë më të dinjitetshme dhe rrjedhimisht paga më të mira.