Thaçi ndryshon qëndrim: Specialja nuk mund të zhbëhet

Aktuale February 01, 2018 - 15:24
Hashim Thaçi garanton: Specialja nuk do të shfuqizohet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i vendosur se ligji për Gjykatën Speciale nuk do të shfuqizohet, raporton zeri.info.

Sipas tij, ky nuk është vetëm vlerësim, por një vendim përfundimtar i Republikës së Kosovës.

“Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet. Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.

Thaçi tutje, tha se ndihet mirë që koha tash po i jep të drejtë, kur siç u shpreh ai, partitë që dikur kundërshtonin themelimin e Speciales, tash kundërshtojnë zhbërjen e saj.

LEXO EDHE: Presidenti: Themelimi i Speciales, padrejtësi ndaj Kosovës

“Ajo që mendoj që ka ndodhur tash është shumë interesante. Atëherë thoshin pse po ndodh gjykata dhe tash pse po ndodhin iniciativa të tilla. Akuza drejt meje. Ndihem mirë që tash koha më jep të drejtë për vendimin tim”, u shpreh Thaçi.

Ndërkohë, deklaroi se themelimi i gjykatës ishte një imponim, sado që i padrejtë ndaj Kosovës.

Ndryshe, 43 deputetë nisën një iniciativë për ta zhbërë ligjin për gjykatën Speciale. Nisma filloi më 22 dhjetor, ndërkaq aktualisht ajo gjendet në dorën e qeverisë, e cila është obliguar nga kryesia që të dalë me një opinion rreth kësaj çështjeje./Zeri