Presidenti: Themelimi i Speciales, padrejtësi ndaj Kosovës

Aktuale February 01, 2018 - 15:16

Kryetari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ritheksuar sërish se themelimi i Gjykatës Speciale është një padrejtësi që i është bërë Kosovës, raporton “Zeri.info”.

“Unë jam deklaruar vazhdimisht dhe deklarohem edhe sot. Kam pasur parasysh arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare duke vlerësuar interesin e shtetit dhe ruajtjen e raporteve me ndërkombëtarët.  Sa i përket Gjykatës speciale, s’besoj që ka qenë dikush më i qartë se unë sa i përket kësaj. E kam thënë edhe në 2015-ën, e them edhe tash. Themelimi i Gjykatës është padrejtësi që i është bërë Kosovës”, deklaroi Thaçi gjatë një konference për media.

LEXO EDHE: Limaj në Mal të Zi, ja çfarë thotë presidenti Thaçi

Kjo meqë sipas tij, Kosova ka zhvilluar luftë mbrojtëse.

”Vjen një moment që një raport i falsifikuar bëhet më i rëndësishëm sesa 400 masakra të kryera në Kosovë. Por duke pasur parasysh rrethanat që janë krijuar, vizionin për të ardhmen, ruajtjen e partneritetit, kam marrë për obligim si kryeministër që ta trajtojmë atë raport, për mua, fantastiko-shkencor. Nuk kemi pasur asgjë për të fshehur”, theksoi Thaçi, raporton “Zeri.info”.

Gjatë deklarimit të tij, kreu i presidencës tha se themelimi i Gjykatës Speciale është imponuar, andaj siç ai u shpreh, Kosova ka zgjedhur të keqen më të vogël të mundshme.

Ndërkohë, nuk është hera e parë që i pari i shtetit deklaron një gjë të tillë. Përkundrazi, ai bashkë me kryeministrin e kryekuvendarin, para disa javësh kanë dalë në mbështetje të iniciativës për zhbërjen e kësaj gjykate, ani pse pas presonit ndërkombëtar treshja udhëheqëse e shtetit “rrënuan” qëndrimin e përbashkët./Zeri