Tahiri: Qeveria unike rreth rritjes së pagave

Aktuale January 30, 2018 - 23:48

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk mund të komentojë opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit për vendimin e kabinetit qeveritar për rritjen e pagave.

Por, në rast se ky vendim shfuqizohet ai do të ndjente keqardhje për profesionistët e sistemit të drejtësisë që sipas tij meritojnë një pagë të dinjitetshme.

Ministri Tahiri ka komentuar edhe zërat se ministri Bedri Hamza nuk do të mbështesë vendimin e kryeministrit për rritjen e pagave.

“Megjithatë, në këtë moment është krijuar një realitet i natyrës juridike, ku Agjencia Kundër Korrupsionit ka dhënë një opinion mbi mënyrën sesi është marrë vendimi për rritje pagash, për çfarë ministri Hamza është i obliguar të presë vlerësimet përfundimtare ligjore përkitazi me këtë rast, në mënyrë që zbatimi i vendimit për rritje pagash të mos asociohet me opinione të paqarta”, ka thënë Tahiri, për Kallxo.com.

LEXO EDHE: Ministri Hamza refuzon rritjen e rrogave për qeveritarët

I pari i Ministrisë së Drejtësisë ka thënë se nuk bëhet fjalë për qëndrime të kundërta të dy anëtarëve të partisë dhe aq më pak nuk bëhet fjalë për qëndrime të kundërta të dy dikastereve që ai dhe Hamza drejtojnë.

“Ministri Hamza, si përgjegjës për politikën financiare, e ka mbështetur sektorin e sundimit të ligjit vazhdimisht dhe si rezultat i angazhimit të përbashkët është rritur buxheti për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial për vitin 2018”, ka theksuar Tahiri.

Abelard Tahiri ka shtuar më tej se edhe ai edhe ministri Bedri Hamza e kanë mbështetur me votë propozimin e kryeministrit për rritje pagash.

“Në referencë të së cilit janë rritur pagat e gjykatësve dhe prokurorëve, për çfarë kam qenë tejet i motivuar sepse vërtetë konsideroj se sundimi i ligjit duhet të jetë prioritet i kësaj qeverie dhe në këtë kuadër, një pagë e dinjitetshme e organeve ligjzbatuese siç janë prokurorët dhe gjykatësit, do të stimulonte përkushtim më të madh nga ana e tyre”, ka përfunduar Tahiri.

Zyra Ligjore e Kryeministrit ka dhënë disa konstatime juridike lidhur me opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion, e cila tha dje se vendimi i Kryeministrit për rritjen e pagave është i jashtëligjshëm.

Në komunikatën për media, ZKM renditi 19 arsyetimet e zyrës ligjore, ku opinionin e AAK-së e quan “të pasaktë” dhe “joprofesional”.