Rrahim Pacolli kundër AKR-së: Ndalimi i hyrjes së veturave në Prishtinë, diskriminues

Aktuale January 30, 2018 - 13:11

Rrahim Pacolli, sekretar organizativ i AKR-së dhe shef i Byros së Sigurimeve në Kosovë ka dalë kundër bashkëpartiakëve të tij.

Ai ka dalë kundër Selim Pacollit, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, njëherit vëllai i Behgjet Pacollit (kryetarit të AKR-së), pastaj kundër dy ministrave të AKR-së, Albena Reshitaj dhe Flamur Sefaj, lidhur me ndalimin e veturave që mos ta hyjnë në Prishtinë nga qytetet tjera.

“Vendimi i djeshëm i Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës për ndalimin e hyrjes së veturave nga komunat tjera në kryeqytet, është diskriminues”, ka thënë Rrahim Pacolli.

Sipas tij, ndotja e ajrit vjen nga thëngjilli.

Reagimi i plotë

VENDIM I GABUAR

Problemi i ndotjes së ajrit vjen nga thëngjilli, kështu që duhet të merren masa që Termocentralet të kenë filtra për pastrimin e ajrit për vitin e ardhshëm.

Institucionet e vendit duhet të marrin poashtu masa që thëngjilli të mos shitet privatisht mirëpo për këtë sezonë dimërore çfarëdo vendimi që merret në këtë drejtim do të jetë tepër vonë.

Vendimi i djeshëm i Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës për ndalimin e hyrjes së veturave nga komunat tjera në kryeqytet, është diskriminues. Në metropolet evropiane hyjnë miliona makina brenda ditës dhe nuk ndotet ajri. Për herë të parë dëgjohet një vendim i tillë që bie në kundërshtim me të drejtat e qytetarëve. Ky vendim është i nxituar dhe i paanalizuar.

I bëj thirrje kryeministrit të vendit që ta shfuqizojë vendimin pasi nuk ka asnjë bazë ligjore që lejon ndalimin e qytetarëve të pjesëve tjera të Kosovës të hyjnë në kryeqytet dhe ky i njejti nuk kontribuon në zgjidhje të situatës.