Vulinit pritet t’i ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës

Aktuale January 27, 2018 - 23:15

Deklaratat e dhëna sot nga ministri serb i Mbrojtjes, se serbët e veriut të Kosovës do t’i mbrojë ushtria e Serbisë, duket se i kanë ‘kushtuar’ në raport me Kosovën, mund t’i kushtojnë me ndalim të hyrjes në territorin e Kosovës.

Lidhur me këtë këshilltari për media i ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj ka theksuar për Gazeta Blic se nuk ka informacion që Vulin ka kërkuar leje për vizitë në Kosovë.

Megjithatë, ai ka theksuar se kur dikush nga politikanët serb jep deklarata të tillë, natyrisht se do t’i refuzohet leja për vizitë.

“Fillimisht nuk dua të paragjykoj sepse i njëjti formalisht ende nuk ka parashtruar kërkesë për vizitë vendit tonë. Në rrethana të ngjashme kur persona që japin deklarata që nxisin dhunë dhe konflikte sipas mendësisë së Millosheviqit, kërkojnë leje për të vizituar Kosovën, vizita do t’u refuzohet”, tha ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, Kosova është shtet sovran dhe rregullat e shtetit janë të obliguara t’i respektojne të gjithë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb të mbrojtjes, Aleksandar Vulin i cili tha se ushtria serbe po monitoron situatën në veri të Kosovës pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Deklaratat si kjo e Vulinit janë kërcënim për sigurinë në Kosovë dhe mund të shkaktojnë destabilizim. Gjendja në pjesën veriore është e qetë dhe e qëndrueshme. Institucionet përgjegjëse për siguri janë Policia e Kosovës, FSK-ja, KFOR-i dhe Eulex-I”, ka shkruar Hoxhaj.