Donika Kadaj thotë se Albin Kurti po e çon Vetëvendosjen drejt dështimit

Aktuale January 24, 2018 - 20:43

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, është shprehur qartas kundër kthimit të Albin Kurtit në krye të partisë së saj.

Kadaj-Bujupi ka thënë se organizatat të cilat funksionojnë në bazë të vendimeve që i merr një individ, janë të pritura të dështojnë.

Këtë deklaratë ajo e ka bërë në Radiotelevizionin e Kosovës, disa ditë pas zgjedhjes së Kurtit kryetar i VV’së, e cila u kundërshtuar nga një numër ish-zyrtarësh të lartë të partisë, përfshirë ish-kryetarin Visar Ymeri dhe ish-sekretarin organizativ, Dardan Molliqaj.

“Të gjithë anëtarët e Këshillit kanë votuar që Albin Kurti të kandidojë për kryeministër. Në zgjedhje gjithçka shkoi mirë, andaj ne menduam që përfunduan mosmarrëveshjet. Erdhi në shprehje ambicia e Albinit që të bëhet kryetar dhe filloi linçimi”, ka thënë Kadaj.

“Problem ishte metoda që përdorej për të arritur qëllimin e marrjes së pushtetit mbi organizatën. Jemi ndier të panevojshëm që të jemi pjesë e strukturës, kur thuhej se lideri është i mjaftueshëm”, është shprehur ajo.

“Vendimet duhej që të nxirreshin nga mbledhjet, e jo një individ të vendos. Unë kam parë organizata të tilla dhe ato shkojnë drejt dështimit”, tha Kadaj-Bujupi.