Partnerët e përçarë

Aktuale January 20, 2018 - 10:38

Partnerët e koalicionit qeverisës (PDK, AAK e Nisma) edhe më tutje vazhdojnë të jenë të ndarë sa i përket Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Përderisa PDK-ja mban qëndrimin e njëjtë sikurse kishte (në mbështetje të versionit aktual), AAK-ja vazhdon të zotohet se nuk do ta votojë këtë version. Ndërkaq Nisma për Kosovën mbetet optimiste se para deputetëve nuk do të sillet Demarkacioni në variantin që ishte nënshkruar në vitin 2015, porse në një të atillë që do të riformulohet, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Partnerët e koalicionit qeverisës (PDK, AAK e Nisma) po vazhdojnë të jenë të ndarë sa i përket Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Përderisa PDK-ja mban qëndrimin e njëjtë sikurse e kishte (në mbështetje të versionit aktual), AAK-ja vazhdon të zotohet se nuk do ta votojë këtë version.

Ndërkaq Nisma për Kosovën mbetet optimiste se para deputetëve nuk do të sillet Demarkacioni në variantin që ishte nënshkruar në vitin 2015, porse në një të atillë që do të riformulohet.

Megjithatë, përfaqësuesit e PDK-së shprehen të bindur se partnerët e koalicionit do të vetëdijesohen dhe do të ndërrojnë qëndrim sa i përket kësaj marrëveshjeje, shkruan tutje "Zëri".

Nga ana tjetër, ani pse ishte paralajmëruar një version i pranueshëm për të dyja palët (Kosovë - Mal i Zi), nga Qeveria kanë thënë se tashmë i takon Kuvendit të merret me këtë marrëveshje.

LEXO EDHE: Skovbo: Vrasja e Ivanoviqit do t’i adresohet Kosovës

Ndërkaq, nga Kryesia kanë bërë të ditur se ende nuk dihet se kur saktësisht do të dalë për votim kjo marrëveshje.

Nuk dihet kur do të procedohet Demarkacioni

Të pyetur në Qeverinë e Kosovës se cila do të jetë zgjidhja e përbashkët që do të ofrohet për Demarkacionin (e përmendur nga zv.kryeminsitri Fatmir Limaj) kanë thënë se nuk mund të flitet për opsione të tjera përderisa të mos marrë zgjidhje versioni që tashmë është dërguar në Kuvend.

“Derisa të mos ketë një zgjidhje për Marrëveshjen aktuale, e cila është dërguar bashkë me raportin e Komisionit përkatës në Kuvend, nuk mund të zhvillohen alternativa të tjera, për të cilat ju po aludoni”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Më tutje, nga ekzekutivi kanë thënë se Kuvendit tashmë i takon të merret me Demarkacionin (që ta procedojë për votim), meqë ekzekutivi e ka përcjellë atë për Kuvend.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti ka thënë se ende nuk dihet se kur kjo Marrëveshje do të shkojë për votim.

Xhelili: Besoj që partnerët e koalicionit po vetëdijesohen për Demarkacionin

Ndërkaq Fatmir Xhelili, deputet i PDK-së, duke folur rreth Demarkacionit ka thënë se PDK-ja vazhdon ta mbështesë versionin aktual të kësaj marrëveshjeje, meqë, sipas tij, ky është versioni i duhur.

Gjatë bisedës deputeti i PDK-së është shprehur optimist se edhe partnerët e koalicionit, AAK-ja e Nisma, do të vetëdijesohen dhe do ta mbështesin versionin aktual.

“Duke pasur parasysh që në çdo periudhë kohore krijohen rrethana të reja politike, besoj që edhe partnerët e tjerët janë ngadalë duke u vetëdijesuar që ajo vijë është ekzistuese. Ndoshta janë duke kërkuar një rrugë më të butë, mirëpo kam shpresë që edhe ata janë drejt vetëdijesimit që ajo marrëveshje qëndron dhe nuk ka asgjë të keqe prej asaj marrëveshjeje”, ka nënvizuar ai.

Haxhiu: AAK-ja kundër versionit aktual

Megjithatë, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu është shprehur e vendosur se kjo parti nuk do ta votojë versionin aktual të Marrëveshjes së Demarkacionit.

“Qëndrimi i Aleancës është ai që ka qenë prej fillimit. Kjo marrëveshje (versioni aktual) është në dëm të Kosovës. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar, është i njëjti”, ka potencuar ajo.

E pyetur se si do të gjendet zgjidhja kur partneri i koalicionit PDK-ja vazhdon ta mbështesë versionin aktual, Haxhiu ka thënë se AAK-ja është për t’i bërë zgjidhje Demarkacionit, por jo në dëm të Kosovës.

Duke thënë se Kuvendi tashmë e ka në dorë që të vendosë rreth Demarkacionit, ajo ka vlerësuar se Qeveria aktuale ka bërë hapa në këtë drejtim për dallim prej Qeverisë së kaluar.

Hoti: Nuk besoj që versioni aktual vjen në Kuvend

Ndërkaq Nisma për Kosovën ka thënë është duke pritur të shihet se si do të riformulohet Marrëveshja e Demarkacionit për të vendosur më tutje.

“Ne kemi diskutuar disa herë, po presim si do të riformulohet dhe si do të trajtohet brenda Kuvendit. Por ajo që është evidente dhe që e kemi përsëritur vazhdimisht është që Demarkacioni duhet ta marrë epilogun e duhur brenda Kuvendit. Kur të vijë do të shohim”, ka thënë Hoti.

I pyetur nëse Nisma do ta votojë versionin aktual po që se ai shkon para deputetëve, Hoti është shprehur optimist se nuk do të shkojë ky version.

“Të shohim, nuk besoj që do të vijë aktuali ashtu i tillë që është, por ne aty jemi”, ka theksuar ai.   

Lajçi: Versioni i Demarkacionit, i gabueshëm

Kurse lëvizja “Vetëvendosje” ka konsideruar se Demarkacioni do të mundë të kryhej qysh moti, duke e rrëzuar fillimisht versionin aktual dhe duke hapur rinegocimin me Malin e Zi.

“Është një version i gabueshëm, i cili nuk do të mundë të aprovohet. Prandaj ata edhe e konservojnë në Kuvend. E ndalin, e frenojnë derisa ta bëjnë ndonjë manipulim nëpërmjet votave, por nuk është e mundshme. Kjo është dashur qe një vit a më shumë të vijë në Kuvend dhe të refuzohet nga Kuvendi, të hynte në rinegocim dhe të kryhej puna. Por, këta kanë bërë edhe variantin e gabueshëm dhe njëkohësisht po e vonojnë. E marrin përgjegjësinë edhe për konservim, edhe për vonesa”, ka thënë deputeti i LVV-së, Ali Lajçi.

Rugova: LDK-ja nuk mbështet asnjë version pa u siguruar që koalicioni i ka 60 vota

Ndërkaq deputeti i LDK-së Naser Rugova ka thënë se versioni aktual i Demarkacionit tashmë është përmbyllur dhe është nënshkruar zyrtarisht.

Sipas tij, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte përdorur Demarkacionin për të ardhur në pushtet edhe gjatë fushatave.

“Kryeministri aktual ishte deklaruar atë kohë se kufiri është vetëm në Kullë dhe në Çakorr dhe e kishte kundërshtuar ashpër versionin e mëhershëm. Me ardhjen e tij si kryeministër, që në njëfarë forme kauza e tij edhe në premtimet elektorale ishte kufiri Kullë - Çakorr, e emëroi një Komision të ri, i cili përbëhej prej një grupi të ekspertëve që e kishin kundërshtuar gjithashtu versionin e parë. Konsideroj që ky raport ka lëshime serioze”, ka thënë ai.

Me këtë rast, Rugova ka theksuar se në momentin që mazhoranca bën 60 vota në favor të cilitdo version të Demarkacionit LDK-ja do ta mbështesë. Përndryshe, siç ai është shprehur, LDK-ja do të veprojë konform interesave nacionale.

Maliqi: Nuk ka sinjal që Demarkacioni mund të votohet

Nga ana tjetër Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, ka vlerësuar se Marrëveshja e Demarkacionit ka mbetur në rend të dytë, pas nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Marrëveshja për Demarkacionin tani ka kaluar në Kryesinë e Kuvendit pas shqyrtimit në Komisionin Parlamentar. Tani kjo çështje ra nga vëmendja në rend të dytë pas përpjekjeve për shfuqizimin e Speciales. Kryesia duhet tani ta dërgojë për votë. Nuk ka ndonjë shenjë se Kuvendi i ka votat për ta votuar Demarkacionin, meqë publikisht nuk kemi pasur ndryshim qëndrimesh”, ka theksuar ai.

Maliqi më tutje ka thënë se Demarkacioni duhet të përmbyllet sa më parë, meqë zvarritja e tij tashmë ka futur Kosovën në një “gropë politike në arenën ndërkombëtare”.