Skovbo: Vrasja e Ivanoviqit do t’i adresohet Kosovës

Aktuale January 20, 2018 - 09:06

John Skovbo, drejtori i përgjithshëm i akademisë ushtarake daneze “East Bridge Academy”, thotë se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri, edhe pse është proces i gjatë, nuk është i pamundur nëse fillohet tani.

Përmes ligjit apo përmes ndryshimeve kushtetuese, këto janë dy mënyrat që Skovbo konsideron se mund të çojnë deri te ky transformim.

Sipas tij, nëse Qeveria e Kosovës është e gatshme për bashkëpunim me ndërkombëtarët një gjë e tillë mund të bëhet shumë më lehtë.

Por këta të fundit ende nuk kanë shfaqur interesim për një gjë të tillë, madje Skovbo për Zërin bëri të ditur se është munduar të takohet me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn, por në këtë takim nuk erdhi shefi i ekzekutivit të Kosovës, pavarësisht se ai priti për të disa orë.

LEXO EDHE: Haliti: Nuk pres epilog pozitiv për Demarkacioninë

Zëri: Z. Skovko, çfarë u nevojitet Forcave të Sigurisë së Kosovës që të bëhen ushtri?

Skovbo: Nga këndvështrimi im ose nga pikëpamja e “East Bridge Academy” FSK-ja duhet ta rrisë dhe ta promovojë më shumë trajnimin nëse ambicia e politikanëve të Kosovës është të jenë bashkëpunues me partneritetin ndërkombëtar në të ardhmen me qëllim që ta arrijnë një nivel të lartë të standardeve të NATO-s. Dhe kjo natyrisht ka të bëjë me trajnimin dhe me edukimin e ushtrisë, ata duhet të jenë të përgatitur për këtë.

Zëri: A e shihni këtë ambicie te politikanët e Kosovës?

Skovbo: Ishim këtu para zgjedhjeve dhe biseduam me Qeverinë dhe me opozitën. Kemi qenë këtu për 24 muaj duke u përpjekur për ta marrë një kontratë ose për të hyrë në një bashkëpunim më të ngushtë me Kosovën, kemi shpenzuar 40 mijë euro si një investim, natyrisht dhe kjo do të jetë njëra nga përpjekjet tona të fundit me ushtrinë e Kosovës apo me FSK-në, sepse ne nuk mund të jemi këtu përgjithmonë pa u marrë një kontratë e punës sonë, kështu që nëse kjo do të jetë një “Jo” për disa arsye ne do të kthehemi në vendet e tjera të Ballkanit, të cilat janë shumë më bashkëpunëtore sesa FSK-ja, kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me të gjitha ushtritë në vende të tjera.

Zëri: A konsideroni se FSK-ja ka kapacitetin e duhur për një transformim të tillë?

Skovbo: Nëse jemi duke folur për transformimin, unë jam më shumë për ecjen përpara, nëse po themi se transformimi ka qenë një plan i internimit, nga këndvështrimi i Qeverisë do t’i duhen 10 vjet, sipas këndvështrimit tim ata mund ta fillojnë tranzicionin sot ose dje, sepse njëri nga hapat më të rëndësishëm do të jetë trajnimi dhe ky nuk do të jetë vlerësim për t’i parë arritjet e juaja.
Këtu dëgjojmë ushtri, ushtri, ushtri, qetësohuni, merrni trajnimet e duhura së pari, pastaj mund të ia lini emrin si të doni. Në përgjithësi mendoj që ne vetëm kemi nevojë për mbështetjen e Qeverisë dhe nëse ata e duan të mirën e Kosovës dhe të FSK-së do ta nënshkruajnë kontratën, do të ecim para. Merrni njerëz të cilët nuk janë nga grupe të ndryshme, familjarë apo pjesë e partive, sepse disa nga instruktorët e mi kanë 15-20 vjet shkollim, ndërsa të gjithë jemi 100 instruktorë total në nivele të ndryshme, gjë që mund ta ndihmojë shtetin e Kosovës. Ne dëshirojmë ta ndajmë atë me ju dhe do ta shohim nëse politikanët e Kosovës janë të gatshëm, nuk e di a janë, po shpresoj që po.

Zëri: A duhet shndërruar FSK-ja në Forca të Armatosura të Kosovës përmes ligjit apo duhet të bëhen ndryshime kushtetuese?

Skovbo: Unë nuk jam politikan, por siç e shoh këtë ka dy mënyra, e para është që mund ta bëni përmes Kushtetutës dhe përmes shumicës me 2/3 nga Parlamenti, duke përfshirë edhe serbët, ose ju mund ta bëni atë drejtpërsëdrejti përmes ligjit dhe kjo mund të marrë kohë, nuk e di sa vite, por tani përderisa keni kaluar 10 vjet dhe nuk keni bërë asgjë për 10 vjet, është koha për të lëvizur përpara. Edhe pse njëri nga premtimet e zgjedhjeve të kaluara në Kosovë ishte të bëhet tranziconi në ushtri, por nuk jam duke e parë një gjë të tillë ende.

Zëri: Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në shtetin e Kosovës?

Skovbo: Në parim është stabile, por kjo gjë ishte edhe në Mitrovicë ku kemi minoritetin serb, sigurisht që ka problem, por duhet ta kemi një gjë në mendje, që jemi shtet i ri me vetëm 10 vjet dhe një fëmijë 10 vjeç ka shumë për të mësuar, si të vrapojë dhe si të ecën përpara, ka sfida për të gjithë. Unë jam i bindur se nëse ju keni vullnet politik nga të gjitha partitë do të arrini, sepse ju keni shumë mundësi këtu.

Zëri: A e konsideroni, z. Skovbo, se pas vrasjes së udhëheqësit të iniciativës qytetare SDP Oliver Ivanoviç mund të ketë mundësi për destabilizim në Kosovë? A mund të jetë kjo përpjekje për ta destabilizuar vendin?

Skovbo: Ka qasje të ndryshme për këtë, tani nëse shikojmë nga veriu dhe nëse ata thonë se situata në veri është e paqëndrueshme, se ju nuk jeni duke mbrojtur pakicën e që janë serbë, nëse nuk mund ta bëni atë, atëherë do ta bëjmë ne, prandaj edhe ju thashë se duhet ta bëni diplomacinë dhe ta zbuloni shpejt se kush e bëri këtë për ta zbutur çdo situatë, por po kjo mund të jetë një problem. E kemi vrasjen në Mitrovicë dhe çka është më e rëndësishmja, pavarësisht se kush e ka bërë vrasjen do t’i adresohet shtetit, sepse nuk ka rëndësi a e bënë serbët apo kosovarët, rëndësi ka që të dyja t’i adresohen shtetit. Kështu që është shumë me rëndësi që diplomatët po punojnë mirë dhe Policia është e pavarur në hetime të tregojë se çfarë ndodhi qartë dhe t’i qëndrojë pas asaj, ndoshta edhe t’i ftojnë serbët në tavolinë, por Kosova duhet të jetë ajo që kryeson hetimet.

Zëri: A mendoni se pas arrestimeve të para nga Gjykata Speciale mund të ketë destabilizim në Kosovë?

Skovbo: Gjykata Speciale tani është më shumë se një gjykatë ndërkombëtare, të gjithë kriminelët natyrisht duhet të ndiqen për krimet që kanë bërë, por ajo që unë kam më shumë frikë është se mund  të jetë më shumë “dëgjim i kalimtarëve”, sepse do të jenë gjyqtarë nga një vend tjetër që vetëm do ta gjykojnë popullin e vendit, por shteti i bashkuar duhet gjithashtu ta kërkojë të njëjtën gjë edhe tek serbët. Por, mendimi im është që ju gjithmonë shihni kohët e vjetra, asgjë e mirë nuk mund të vijë nga ajo, duhet të ecni përpara.

Zëri: Cili është programi i Akademisë Ushtarake Daneze për 4 vjetët e ardhshme?

Skovbo: Ne kemi bërë një program për 4 vjet dhe ne jemi gati të fillojmë me mbështetjen e shtetit, natyrisht nëse Qeveria do ta nënshkruajë kontratën sot ne do të jemi këtu pas 1 muaji dhe do të fillojmë me të parët 24 oficerë. Kështu që ne mund ta takojmë Qeverinë më vonë sot ose nesër që të marrë përgjigje se a kanë nevojë për ne apo jo. Kjo është në dorë të Qeverisë, kemi qenë këtu 24 muaj dhe kemi qenë në zyrën e kryeministrit Haradinaj dhe papritmas ai nuk ishte në dispozicion për ne, pas dy orësh pritjeje ne ende nuk e dimë pse e bëri një gjë të tillë. Unë dua ta di vetëm se pas 24 muajve a ju nevojitemi apo jo, nëse dëshironi ta edukoni FSK-në, kush duhet ta bëjë këtë? Shtetet e Bashkuara? NATO-ja? NATO-ja nuk është një partner trajnimi dhe nëse duhet të jetë NATO-ja ata duhet të gjejnë kontratën, duhet t’i gjejnë ushtarët dhe buxhetin që kërkon disa vjet. Kështu që ne jemi këtu, ne ishim të unifikuar për t’i bërë të njëjtat metoda si në vende të ndryshme, sepse kjo gjë do të ishte shumë mirë për FSK-në.

Zëri: Skovbo: Duam të bëjmë ndryshim në Kosovë

Skovbo: Ne sapo e formuam kompaninë këtu “East Bridge Academy of Kosovo” dhe shpresojmë që do ta marrim një kontratë, ne duam këtë detyrë jo vetëm për para, por ne duam të bëjmë mirë për Kosovën. Nuk na intereson nëse Qeveria është e kuqe, e gjelbër ose e verdhë, ne jemi këtu për shtetin dhe mendoj se mund ta bëjmë një ndryshim të madh. Gjithashtu shoqëria do të marrë përfitime, sepse ne do të marrim edhe staf vendor dhe do t’i punësojmë rreth 20 mbështetës vendorë, si dhe 200 njerëz që do të furnizohen indirekt nga “Akademia Ura Lindore”. Kjo është shumë dhe po ta shikojmë ekonominë dhe atë që njerëzit në Kosovë bëjnë, mendoj se ju mund të keni nevojë për këtë.