Haliti: Nuk pres epilog pozitiv për Demarkacionin

Aktuale January 20, 2018 - 08:53

“Me këto rrethana që kemi unë personalisht nuk pres që të kemi epilog pozitiv”.

Ky është vlerësimi i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës (nga radhët e PDK-së), Xhavit Haliti, lidhur me fatin e Demarkacionit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndonëse versioni aktual i kësaj marrëveshjeje, bashkë me raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare (i cili konstaton se humbet territor nga versioni i tanishëm) janë dërguar në Kuvend, Haliti ka thënë se ende nuk mund të dihet se kur kjo marrëveshje do të dalë para deputetëve për votim.

Gjatë një interviste dhënë për gazetën Zëri Haliti ka deklaruar se duhet të shihen se cilat mund të jenë pasojat po që se Demarkacioni del në votim dhe dështon të ratifikohet.

Për të mos ndodhur një gjë e tillë, sipas tij, duhet angazhim maksimal i të gjithë krerëve të partive politike drejt bindjes së deputetëve të tyre.

LEXO EDHE: Kosova synon të anëtarësohet në INTERPOL në fund të vitit

Mirëpo Haliti ka bërë të ditur se problemi aktualisht qëndron tek fakti që në Parlament ndodhen dy alternativa të Demarkacionit. Si rrjedhojë e kësaj, siç ai është shprehur, duhet të shihet se çka do të procedohet.

Demarkacioni nuk është çështje inati, as problem i lehtë për ta kaluar

Andaj, deputeti i PDK-së gjatë bisedës ka konsideruar se liderët e partive dhe grupet parlamentare duhet të punojnë me deputetët e tyre në mënyrë që t’i bindin ata rreth kësaj marrëveshjeje.

“Mendoj që çështja e demarkacionit nuk është problem në Komisionin për Punë të Jashtme, por është çështje e veçantë që i takon politikëbërjes së shtetit të Kosovës. Për të shikuar se cilat janë pasojat në rast se shkon në Parlament dhe nuk ratifikohet, kjo është një domosdoshmëri e cila i takon së pari lidershpitit të institucioneve, së dyti u takon që të merren me këtë punë kryetarëve të partive në Kosovë dhe grupeve parlamentare, të cilat do të duhej ta shqyrtonin seriozisht çdo hap dhe çdo vendim që ka të bëjë me këtë çështje”, ka thënë Haliti.

Ai më tej ka konsideruar se Kosova nuk duhet të mbahet peng për shkak të qëndrimeve të liderëve të partive politike, porse duhet të veprojë për të ardhmen e Kosovës.

“Nuk është kjo çështje inati, nuk është problem i lehtë për ta kaluar, ejani se po voton Parlamenti dhe e kryen detyrën patriotike, por duhet parë të ardhmen e Kosovës dhe të qytetarëve dhe duhet parë me kujdes të madh mënyrën sesi funksionon bota në këtë rast, sesi respektohet e drejta ndërkombëtare. Në përputhje më këtë duhet të veprojmë, unë s’po them as duhet kështu, as ashtu. Por, nuk është mirë që ta mbajmë Kosovën të bllokuar për kapriçot e njërit apo të tjetrit lider”, është shprehur i dyti i Kuvendit.

E duke u nisur nga rrethanat aktuale, Haliti nuk është shprehur optimist se do të gjendet një epilog pozitiv sa i përket çështjes së demarkacionit.

“Me këto rrethana që kemi, unë personalisht nuk pres që të kemi epilog pozitiv, varësisht se cilin epilog e konsiderojmë pozitiv. Sepse kemi dy anë të medaljes, dy qëndrime që janë diametralisht kundër njëra-tjetrës. Njëra palë thotë nuk duhet të ratifikohet dhe pala tjetër thotë duhet ratifikuar”, ka vazhduar ai.

“Duhet të shihet çka të procedohet, kemi dy alternativa të Demarkacionit”

Sipas Xhavit Halitit, liberalizimi i vizave është një problem i vogël karshi dëmeve të tjera që mund t’i shkaktohen Kosovës dhe qytetarëve të saj po që se vazhdohet të kritikohet Demarkacioni.

Ndërkohë, lidhur me atë se sa kohë do të marrë kjo marrëveshje derisa të dërgohet në Kuvend, Haliti ka thënë se problemi aktualisht qëndron te fakti që në Kuvend janë dy alternativa të Demarkacionit.

Si rrjedhojë e kësaj, sipas tij, duhet të shihet se çka do të procedohet.

“Teksti i Marrëveshjes është në Kuvend, por çështja është mënyra sesi do të procedohet dhe çfarë do të procedohet në Kuvend, sepse kemi dy alternativa dhe Komisioni nuk e ka sjellë një alternativë, por ka thënë se s’ka pasur pajtueshmëri”, ka potencuar ai.

Kurse ka shtuar se jo të gjitha vendimet në politikë janë të këndshme kur je pjesë e pushtetit vendimmarrës.

Krejt në fund, Haliti ka vlerësuar se çështjet e mëdha, siç është edhe demarkacioni, duhet të zgjidhen me konsensus të të gjithë spektrit politik, pozitë e opozitë.