Kosova synon të anëtarësohet në INTERPOL në fund të vitit

Aktuale January 20, 2018 - 08:48

Kosova ende nuk është pranuar në organizatën më të madhe policore të botës në INTERPOL, ndonëse zyrtarët shtetërorë presin që këtë vit të bëhet anëtare me të drejta të plota, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Komiteti ekzekutiv i INTERPOL-it kishte vendosur që aplikimin e Kosovës për anëtarësim ta vërë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme, që është zhvilluar në Pekin të Kinës nga data 26 deri më 29 shtator 2017.

Mirëpo ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ai që po në shtator të vitit të kaluar kishte marrë vendim që të shtyhet votimi i Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.

Këtë vendim e kishte mirëpritur edhe Ministria e Punëve të Jashtme, sipas së cilës shterja e tij është në interes të Kosovës, shkruan tutje "Zëri".

Zyrtarë për komunikim në Zyrën e Kryeministrit thonë se synojnë që në takimin e radhës të Asamblesë së INTERPOL-it, i cili do të mbahet në muajin nëntor, Kosova do ta marrë mbështetjen e mjaftueshme të votave për anëtarësim.

Njohës të çështjeve të Integrimeve Evropiane thonë se Serbia po pengon anëtarësimin e Kosovës.

Ndërsa sipas ekspertëve të çështjeve juridike kushtetuese, Kosova i plotëson kushtet për anëtarësim vetëm se për këtë duhet të binden edhe shtetet e tjera.

Në anën tjetër ndonëse Kosova nuk u pranua në INTERPOL, ky i fundit i mundësoi kryeministrit Haradinaj dhe shumë zyrtarëve të tjerë të udhëtonin të lirë në shtetet e tjera pa frikën se do të mundë të arrestoheshin. E kjo pasi që INTERPOL-i ka larguar nga lista emrin e kryeministrit Haradinaj dhe 18 personave të tjerë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në shtator të vitit të kaluar kishte marrë vendimin që të shtyhet votimi i Kosovës për anëtarësim në INTERPOL në takimin e ardhshëm të kësaj organizate.

“Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është kontribut direkt në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit. Republika e Kosovës është e gatshme që t’i marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e INTERPOL-it. Besimin në Kosovën si anëtare e INTERPOL-it e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa zyrtarë për komunikim në Zyrën e Kryeministrit kanë thënë për “Zërin” se synojnë që në takimin e radhës të Asamblesë së INTERPOL-it në muajin nëntor Kosova do ta marrë mbështetjen e mjaftueshme të votave për anëtarësim.

“Anëtarësimi në INTERPOL është objektiv i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe angazhimi në këtë drejtim po bëhet në partneritet me shtetet mbështetëse. Qeveria ka themeluar grupin punues dhe ka ndërtuar kështu modalitetet e argumentimit profesional për anëtarësim. Sa u përket kushteve, Kosova i përmbush në mënyrë të plotë të gjitha kushtet profesionale dhe diplomatike. Synojmë dhe jemi të bindur që në takimin e radhës së Asamblesë së INTERPOL-it në muajin nëntor Kosova do ta marrë mbështetjen e mjaftueshme të votave të anëtarëve të INTERPOL-it”, kanë thënë ata për “Zërin”.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se vendimi për shtyrjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL është bërë pasi është vlerësuar në interes të vendit.

“Pas vlerësimit dhe analizimit të hollësishëm të procesit të anëtarësimit të vendit tonë në INTERPOL dhe dinamikave të brendshme brenda kësaj organizate, kemi vlerësuar se është në interesin tonë më të mirë që të shtyhet votimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL për vitin e ardhshëm. Nikoqiri i takimit të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it ka shfaqur hezitime për të lejuar pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në këtë asamble dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të pajisen me viza”, kanë thënë zyrtarë nga MPJ-ja.

Njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane Avni Mazreku ka thënë për “Zërin” se pengesë për pranimin e Kosovës në INTERPOL është Serbia, megjithëse sipas tij rol luajnë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Edhe Mazllum Baraliu, ekspert i çështjeve juridike kushtetuese, ka thënë për “Zërin” se Kosova i përmbush kriteret për të qenë anëtare në INTERPOL. Sipas tij, shërbimi policor i Kosovës është prej më të mirëve.

“Kosova i përmbush kriteret për të qenë anëtare në INTERPOL për arsye se Kosova është një shtet i ri dhe ka një shërbim policor prej më të mirëve dhe më të njohurve për nga meritat dhe veprimtaria demokratike edhe pavarësisht dobësive të brendshme që po shprehen herë pas here. Policia është trajnuar, si dhe avancuar. I plotëson kushtet, por vetëm se duhet vullnet i mirë i shteteve anëtare të kësaj organizate dhe duhet përgatitje dhe përkushtim më i mirë".