Nxënësit e shkollës ‘Elena Gjika’ bojkotojnë mësimin

Aktuale January 19, 2018 - 17:39

Në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë ka tre ditë që nxënësit e një klase të dytë,  nuk po e mbajnë mësimin. E gjitha kjo ka ardhur si rezultat i bojkotimit të orëve nga nxënësit për shkak të ndërrimit të mësueses. Shqetësimin më të madh për këtë situatë e kanë prindërit e këtyre fëmijëve, shkruan "Zëri.info".

Valdete Rama është njëra ndër prindërit e cila thotë se nuk dëshiron që fëmijën e saj ta sjell me dhunë në shkollë.

“Fëmija nuk po pranon. Nëse unë e sjelli fëmijën tim me dhunë në shkollë ku do ta gjej  vullnetin ajo për mësim. Kjo ka  ndikuar shumë negativisht”, ka thënë Rama.

Sipas saj, problemi nuk qëndron tek mësuesja por tek, ndërrimi i katër mësuesve për një vit e gjysmë.

“Ne nuk jemi kundër mësueses, por kundër zhvillimeve që po bëhen, d.mth është e katërta mësuese për një vit e gjysmë, që ndërrohet.  Kemi bërë ankesë edhe në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës edhe te drejtori kur u mbajt mbledhja. Kanë kthyer përgjigje që është me vendim”  ka shtuar ajo.

Në lidhje me pakënaqësitë e prindërve, drejtori i kësaj shkolle Fisnik Thaçi pohon se çdo gjë është bërë në pajtim me ligjin, pasi që mësuesi paraprak e ka pasur kontratën vetëm për gjysmë vjetorin e parë, shkruan tuje “Zeri.info”.

“Tek klasa e 2/4 mësuesi i mëparshëm  ka qenë vetëm në gjysmëvjetorin e parë. Arlind Mehana e ka pas kontraten e caktuar d.m.th vetëm për gjysmëvjetorin e parë. Kjo kontratë  i ka përfunduar, kurse Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) e ka transferuar mësuesen Natyra Rexhepi nga shkolla fillore ”Meto Bajraktari” në Prishtinë që është krejt ligjore”  ka thënë ai.

Po ashtu ai pranon që ka pasur ankesa nga ana e prindërve për këtë gjë teksa e sheh të paarsyeshme këtë bojkotim të mësimit.

“Fillimisht prindërit  e kanë bërë një ankesë drejtuar shkollës. Këtë ankesë e kemi përcjell në DKA dhe kemi komunikuar me drejtorin  e DKA-se për ta analizuar gjendjen”, ka shtuar ai.

Në lidhje me këtë ngjarje është e informuar edhe Komuna e Prishtinës. Sipas Ardiana Ismaili zyrtare e lartë e arsimit në këtë Komunë, në DKA janë të informuar për rastin. Poashtu ajo konfirmon që Arlind Mehana ka qenë vetëm zëvendësues.

“Mësimdhënësi Arlind Mehana, ka qenë vetëm i angazhuar në shkollën “Elena Gjika në mënyrë që mos të mbeten nxënësit pa mësuese pas vdekjes së mësueses Mire Hoxha”, ka thënë ajo.

Sipas saj ka qenë vet mësuesja Rexhepi ajo e cila ka kërkuar transferimin në këtë shkollë.

“Pas vdekjes së mësueses Mire Hoxha, mësuesja Natyra Rexhepi ka kërkuar transferim nga shkolla “Meto Bakraktari”, ku ka marrë edhe aprovimin nga Drejtoria e Arsimit mbasi mësimdhënësja në fjalë ka treguar performance të mirë në shkollën “Meto Bajraktari”, shtoi tutje ajo. /ZERI