Alternativa Socialdemokrate e Visar Ymerit?

Aktuale January 19, 2018 - 07:58

Pas përplasjeve të fundit brenda lëvizjes “Vetëvendosje”, me kalimin e kohës vetëm se po thellohet “hendeku” mes dy taborëve të kësaj partie: ai i rreshtuar krah ish-liderit Albin Kurti dhe tjetri përkrah ish-sekretarit organizativ Dardan Molliqaj, i cili po identifikohet si grupi anti-Kurt, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

Meqë as në takimin e fundit dy blloqet nuk u dakorduan për një gjuhë të përbashkët, krahu anti-Kurt, siç ka mësuar gazeta “Zëri”, së shpejti pritet ta formojë një parti të re. Burimet e “Zërit” bëjnë të ditur se partia në fjalë me shumë gjasë do të quhet Alternativa Socialdemokrate dhe do të drejtohet nga ish-kryetari i LVV-së Visar Ymeri.

Kjo parti pritet t’ia rrëmbejë “Vetëvendosjes” më shumë se 10 deputetë, pjesa dërmuese e të cilëve tashmë ka dhënë dorëheqje nga pozitat drejtuese të LVV-së.

Mirëpo “Zëri” mëson se një veprim i tillë do të vijë tek pas përfundimit të procesit të zgjedhor brenda “Vetëvendosjes”. Të pyetur rreth kësaj çështjeje, deputetë të krahut anti-Kurt nuk kanë dashur të komentojnë, megjithatë kanë pohuar se pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme (që do të mbahen të dielën), do të tregojnë se si do të veprojnë më tutje. Ndërkaq deputetë të rreshtuar nga kandidati i vetëm për kryetar të LVV-së Albin Kurti janë shprehur optimistë se mes dy krahëve do të arrihet pajtimi, shkruan sot Gazeta 'Zëri'.

 Pantina: Do të flasim pas zgjedhjeve

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje” Shqipe Pantina, e cila tashmë është dorëhequr nga të gjitha pozitat drejtuese të partisë (e rreshtuar nga krahu anti-Kurt), nuk ka dashur të flasë rreth zhvillimeve më të fundit në LVV. Pantina ka thënë për “Zërin” se një gjë të tillë do ta bëjë tek pasi të përfundojë procesi zgjedhor, në mënyrë që deklaratat të mos ndikojnë në këtë proces. “Të dielën mbahen zgjedhjet për kryetar të Lëvizjes. Deri të kryhet procesi zgjedhor nuk dua të flas, sepse nuk po dua që të ndikoj në procesin zgjedhor. Pas zgjedhjeve do të flasim dhe do të tregojmë çka ka ndodhur dhe si e shohim ne rrugën përpara”, është shprehur ajo. 

Për të njëjtën arsye Pantina nuk ka dashur të flasë as rreth mundësisë së ndarjes së partisë.

 Ndërkohë, e pyetur nëse është e vërtetë që grupi i të dorëhequrve do ta formojë një parti të re, e cila do të quhet Alternativa Socialdemokrate, duke thënë shkurt “Jo” Pantina nuk ka dashur të komentojë më shumë. “Jo, ama po them që deri të dielën nuk dua të flas për asgjë”, ka potencuar ajo.

Kadaj-Bujupi, e dorëhequra e radhës

Nga ana tjetër, “Zëri” ka mësuar që edhe deputetja tjetër e LVV-së Donika Kadaj-Bujupi tashmë ka dhënë dorëheqje nga postet drejtuese të partisë. Megjithatë, e kontaktuar nga gazeta lidhur me këtë çështje, Kadaj-Bujupi nuk është përgjigjur në telefon e as në pyetjen e dërguar me shkrim. Ndërkaq deri më tash nga pozitat udhëheqëse të “Vetëvendosjes” kanë dhënë dorëheqje ish-lideri Visar Ymeri, deputetët Aida Dërguti, Dardan Sejdiu, Faton Topalli, Shqipe Pantina, Driton Çaushi, Frashër Krasniqi, kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati, si dhe anëtari i Kryesisë Zgjim Hyseni. Ndërkohë, pjesë e grupit anti-Kurt janë edhe disa deputetë të tjerë: Dukagjin Gorani, Fisnik Ismaili dhe Dardan Molliqaj. 

Kurteshi: Jam optimist se pajtimi është i mundshëm

Megjithëkëtë Ismajl Kurteshi, sekretar organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje”, njëherësh deputet i kësaj partie (nga radha e grupit të rreshtuar kah Albin Kurti), është shprehur optimist se mospajtimet e fundit brenda partisë nuk do të rezultojnë me ndarje. “Unë e di që përpjekjet po vazhdojnë dhe derisa të ketë përpjekje për të arritur pajtim unë jam optimist që pajtimi është i mundshëm. S’po them që pajtimi do të ndodhë patjetër, por është i mundshëm”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Kurteshit, përplasjet e fundit brenda “Vetëvendosjes” nuk e pengojnë procesin e brendshëm zgjedhor, i cili do të zhvillohet këtë të diel. “Këto mospajtime nuk i pengojnë zgjedhjet e brendshme, sepse ato janë në përputhje të plotë me statutin, në këtë pikë të gjithë pajtohemi. Janë me demokraci të drejtpërdrejtë, të gjithë anëtarët do të ftohen, do të krijohen kushte, secili ka të drejtë të votojë pro, kundër ose të abstenojë”, ka thënë ai.

E pasi të numërohen votat, siç ai është shprehur, po që se 51% e votuesve kanë votuar për, atëherë konfirmohet zgjedhja e kryetarit. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, sipas Kurteshit, atëherë përsëritet procedura.

Publikimi i rezultatit të zgjedhjeve mund të marrë kohë një javë

Ndërkohë, ka thënë se për zgjedhjen e kryetarit të ri të LVV-së do të mund të votojnë të gjithë anëtarët, edhe ata që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat drejtuese të partisë.

Kurse i pyetur se kur do të publikohen rezultatet për zgjedhjen e kryetarit të ri, Kurteshi ka thënë se nuk ka informacione të sakta, porse sipas tij kjo mund të shkojë deri në një javë pas të dielës. “Për këtë duhet të bisedoni me Komisionin Zgjedhor, ata i kanë disa procedura që unë kurrë nuk i mbaj mend përmendësh, por e di që është një kohë për ankesa, nëse ka ankesa është koha për shqyrtimin e tyre dhe në fund dalin rezultatet përfundimtare. Sa ditë duhen për krejt këto nuk e di. Mund të jenë 4-5 ditë ose një javë”, është shprehur Kurteshi.

Gazeta ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Komisioni i Brendshëm Zgjedhor, mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur.

Murati: Tendencat më shumë janë drejt ndarjes sesa drejt bashkimit

Nga ana tjetër Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se rreziku që LVV-ja të ndahet si parti është i pamohueshëm. “Sa më shumë që kalon kohë dhe nuk ka përafrim ndarja vjen e bëhet më aktuale dhe më e mundur. Duhet t’i presim edhe zhvillimet se çka po bëhet. Por, për momentin tendencat më shumë janë drejt ndarjes sesa drejt bashkimit”, ka potencuar ai.

Sipas tij, situata brenda LVV-së ka bërë që kjo parti të përqendrohet vetëm te problemet e brendshme e jo te çështjet e mëdha me të cilat përballet Kosova. E pavarësisht përplasjeve të fundit brenda “Vetëvendosjes”, Rasim Alija nga organizata joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D) ka thënë se ky subjekt do të bëjë përpjekje që të mos përfundojë me ndarje.                                          

Megjithatë, Alija nuk ka përjashtuar mundësinë që LVV-ja në zgjedhjet e ardhshme t’i hyjë garës me dy taborë. “Mund të ketë edhe zhvillime të tilla ku LVV-ja në zgjedhjet e ardhshme do të garonte me të dy krahët e saj dhe potencialisht të bashkoheshin të dy krahët në një qeverisje të ardhshme. Do të ishte jashtëzakonisht përcaktues rezultati zgjedhor nëse LVV-ja do të ndahej në dy parti në të ardhmen e afërt. Kjo mund të jetë edhe përcaktuese në një rikonfigurim të balancave të subjekteve politike në zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar ai.