Policia gjen informacione tjera për vrasjen e Ivanoviqit

Aktuale January 18, 2018 - 18:55

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një komunikate për media ka njoftuar se Policia e Kosovës ka ka identifikuar një numër të shasisë së veturës së djegur e cila është gjetur në Veri të Mitrovicës dhe e cila besohet se është e involvuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në njoftim thuhet se si rezultat i bashkëpunimit me një shtet të BE-së, ka rezultuar se vetura në fjalë, që nga viti 2009 ka qenë në një adresë të caktuar në Serbi e po ashtu ka arritur të siguroj se kujt i është shitur po e njejta veturë në vitin 2017.

Ky është njoftimi i plotë i MPB:

Ministri i Punëve të Brendshme, z.Flamur Sefaj, me t’u njoftuar me aktin kriminal që ndodhi në veri të Kosovës, si rezultat i të cilit u vra Oliver Ivanoviq, ka vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e MPB-së, me qellim që akterët e këtij krimi të kapen sa më parë.

Në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, e cila që nga momenti i parë është në vendin e ngjarjes dhe së bashku me mekanizmat tjerë relevantë të sigurisë dhe në koordinim me organet e ndjekjes eshte duke e trajtuar në mënyrë serioze aktin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Policia e Kosovës ka identifikuar një numër të shasisë së veturës së djegur e cila eshte gjetur në Veri të Mitrovicës e cila besohet se është e involvuar në vrasjen e Oliver Ivanovic-it dhe të cilën menjëherë ka arritur ta lokalizoj përmes kanaleve ndërkombëtare të komunikimit, në një shtet të BE-së.

Si rezultat i bashkëpunimit me këtë shtet të BE-së, gjithnjë në nivel operacional-policor, ka rezultuar se vetura në fjalë, që nga viti 2009 ka qenë në një adresë të caktuar në Serbi e po ashtu ka arritur të siguroj se kujt i është shitur po e njejta veturë në vitin 2017.

Me këtë rast, Ministri Sefaj së bashku me Drejtorin e Pergjitheshëm te Policisë së Kosovës, tashmë kanë dërguar njoftimin tek Prokurori i rastit i cili është në proces të dërgimit të kërkesës së tij nëpërmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike ndërkombëtare tek autoritetet serbe.

Institucionet e rendit, duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Ministria e Drejtësisë, posedojnë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të hetuar këtë rast, dhe jane ne maksimum te perkushtuara që këtij akti kriminal t’i japin sa më shpejtë një epilog.