Pezullimi i dialogut dëmton Kosovën

Aktuale January 18, 2018 - 07:58

Pezullimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq do ta dëmtojë vendin tonë pasi që Kosova do të humbasë edhe më shumë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht se shteti ynë është i gatshëm që ta vazhdojë dialogun.

Kështu kanë vlerësuar njohës të çështjeve ndërkombëtare, të cilët thonë se Kosova duhet të kërkojë nga BE-ja që të përcaktohet afati kohor për përfundimin e dialogut me Serbinë (i cili pritet të përfundojë me njohje reciproke).

Në anën tjetër, shefi për negociata ndërmjet Kosovës e Serbisë, Avni Arifi, i tha Zërit se pala kosovare do të presë që BE-ja ta caktojë takimin e radhës.

Kurse opozita vazhdon ta kundërshtojë këtë mënyrë të bërjes dialog me Serbinë.  Ata kanë kërkuar që BE-ja të japë urdhër për përfundimin e këtyre negociatave.

LEXO EDHE: Dështimi i tretë për shfuqizimin e Speciales

Arifi: Po presim që BE-ja ta caktojë takimin e radhës

Avni Arifi, shef për negociata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë për Zërin se pala kosovare po pret nga BE-ja që ta caktojë takimin e radhës.

“Ne nuk presim prej Serbisë. Ne kemi hyrë në këtë marrëveshje me BE-në dhe presim nga BE-ja kur e aranzhon takimin e radhës dhe ne do të shkojmë”, ka thënë ai.

Arifi ka thënë se zvarritja e dialogut nga pala serbe nuk e pengon Kosovën në proceset e saj, pasi taktikat që përdor Serbia janë çështje e BE-së. Ai ka thënë se kjo fazë duhet të përfundojë me njohje reciproke. “Besoj që dy palët duhet ta dinë që dialogu nuk ka alternativë, kurse zvarritja nuk mund t’i ndalë proceset e Kosovës. Kemi hyrë në këtë proces me qëllim që të ketë njohje reciproke. Nuk do të kishte kuptim që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të mos kishte një përfundim të tillë. Është në interes të të dyja palëve që ky dialog të vazhdohet, por se çfarë taktikash përdor Serbia është çështje e BE-së”, tha Arifi.  

Ndërkohë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i habitur me vendimin e qeverisë serbe për pezullimin e bisedimeve ndërmjet delegacionit serb dhe atij kosovar në Bruksel. Sipas Haradinajt, është Kosova ajo e cila do të duhej të mos merrte pjesë në këto bisedime, të cilat ai i ka quajtur të konsumuara duke marrë për bazë kërcënimin e Serbisë se do të armatoset me raketa, të cilat do të arrijnë deri në vendin tonë. “Ne jemi habitur me vendimin e Serbisë me delegacionin në Bruksel. Por ne jemi të vetëdijshëm se dialogu si i tillë me Serbinë është i konsumuar. Deklarimet politike kanë peshë, por është shumë më kërcënues lajmi që Serbia do të armatoset me raketa që do të mbërrijnë në Kosovë. Pra kështu ka deklaruar shefi i shtabit ushtarak dhe kjo është shqetësuese. E për këtë arsye ne do të duhej të mos merrnim pjesë në dialog, jo ata”, ka thënë Haradinaj.

Gaxherri: Të kërkohet nga BE-ja përfundimi i dialogut

Kurse deputetja nga radhët e opozitës, Besa Gaxherri (LDK), ka thënë se vrasja e Oliver Ivanoviqit nuk është dashur të merret për bazë që të ndërpritet dialogu. Ajo ka kërkuar nga liderët që të reflektojnë pas kësaj sjelljeje të Serbisë. “Konsideroj që edhe kësaj radhe Serbia ka luajtur me letrën më të rrezikshme, siç është jeta e njeriut. Kjo nuk është dashur të merret për bazë që të ndërpritet dialogu, por unë konsideroj që liderët institucionalë duhet ta kenë parasysh që të kenë konsistencë dhe të reflektojnë, sidomos nga ky moment”, ka thënë Gaxherri. Ajo ka thënë se pala kosovare duhet të jetë e gatshme që të kërkojë nga Bashkësia Evropiane që këtij dialogu t’i vijë fundi dhe që dialogu ta ketë një epilog për të mirën e Kosovës. Por, sipas saj, liderët tanë tashmë mund të mos e kenë respektin e mjaftueshëm nga ndërkombëtarët, gjë që tha se është mjaft e dëmshme për vendin.

Të përcaktohen temat dhe afati kohor për dialogun

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë se Serbia po shfrytëzon situatën për favore të saj. Por, ai ka thënë se BE-ja duhet ta përcaktojë afatin kohor për përfundimin e dialogut që çështja mes dy shteteve të përmbyllet. “Serbia do të provojë që situatën e krijuar ta shfrytëzojë për favore. Dialogu nuk ka kuptim të vazhdojë sikurse deri tash. Duhet të vendoset afat i qartë kohor se kur ai duhet të përfundojë dhe me çfarë marrëveshjesh ndërmjet dy shteteve duhet të përmbyllet”, ka thënë ai.

Ndërsa Jeta Krasniqi, monitoruese e procesit të dialogut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se bisedimet me Serbinë duhet të bëhen në atë formë që të përcaktohen temat, epilogu, si dhe duke u ofruar qytetarëve sqarime rreth asaj. “Rinisja e dialogut duhet të bëhet mbi bazën e bashkërendimit ndërinstitucional, konsensusit politik e social për platformë shtetërore të bisedimeve. Duke përcaktuar temat, delegacionin, epilogun, rolin e SHBA-së dhe të BE-së, si dhe duke iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve lidhur me temat e diskutimit. Dialogu duhet t’i japë fund prezencës së Serbisë në Kosovë dhe t’i përmbyllë çështjet e hapura në mes dy shteteve”, ka deklaruar Krasniqi. E për të qenë efektiv ky dialog, sipas Krasniqit, duhet të ketë transparencë dhe unitet shtetëror.

“Qasje që anashkalojnë institucionet, qasje të cilat nuk njoftojnë qoftë institucionet, qoftë qytetarët nuk do t’i prodhojnë rezultatet e pritura. Si çështje shtetërore duhet të anashkalohen ndasitë politike, të ndërtohet strategjia e bisedimeve, të ketë transparencë”, është shprehur ajo.

Ismajli: Kosova po humb kohë, rrezikon të mbetet në izolim

Kurse Dashnim Ismajli, profesor universitar, tha se presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës është në rritje e sipër dhe sipas tij nuk ka mëdyshje se Serbia do të tentojë të bëjë veprime që provokojnë situatën dhe sigurinë e përgjithshme përbrenda vendit. “Vrasja e Ivanoviçit duhet medoemos të zbardhet dhe Kosova ta vërë në dijeni bashkësinë ndërkombëtare se Serbia përmes këtyre veprimeve, veprime këto të ndjekura nga një politikë shoviniste, po rrezikon paqen dhe stabilitetin rajonal në Ballkan”, ka thënë ai.

Ai tha se Kosova është duke humbur mjaft kohë, gjë që po shkon në disfavor të vendit e që mund të rezultojë me mbetje në izolim.

“Këtë humbje kohe Kosova nuk duhet ta lejojë, duhet të vazhdojë t’i nxisë ndërkombëtarët për të përshpejtuar me zgjidhjen e kësaj çështjeje, sepse çdo humbje apo neglizhim i kësaj çështjeje shkon në disfavor të shtetit të Kosovës dhe mbetjen e saj në izolim të vazhdueshëm”, ka thënë ai.