Dështimi i tretë për shfuqizimin e Speciales

Aktuale January 18, 2018 - 07:47

Për të tretën herë Kryesisë së Kuvendit të Kosovës i ka dështuar mbledhja, ku pritej të diskutohej për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kjo për faktin se kishte mungesë kuorumi. Reagim të ashpër kundër kësaj iniciative edhe dje pati nga ambasadori amerikan Greg Delawie, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryesia e Kuvendit ka dështuar edhe gjatë ditës së djeshme ta mbajë mbledhjen, ku pritej të diskutohej për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Në mungesë të kuorumit kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbyllur mbledhjen (e cila nisi me një orë vonesë), duke thënë se atë do ta thërrasë për javën tjetër.

Kryekuvendari kishte thirrur mbledhje edhe në natën e 22 dhjetorit pikërisht për këtë çështje, porse në mungesë të numrave kishte dështuar dy herë radhazi, shkruan tutje "Zëri".

Mbledhjen e djeshme, pos lëvizjes “Vetëvendosje”, e bojkotuan edhe AAK-ja, Nisma e komunitetet joshumicë (pjesë të koalicionit qeverisës). Përfaqësuesit e këtyre partive u arsyetuan duke thënë se disa prej anëtarëve ishin jashtë vendit.

Ndërkaq përfaqësuesit e LDK-së, ani pse ishin të pranishëm në sallë, bënë të ditur se kishin planifikuar ta lëshonin mbledhjen kur të vinte në radhë Projektligji për Shfuqizimin e Dhomave të Specializuara.

Mirëpo meqenëse kjo iniciativë ende nuk ka marrë një epilog, bashkësia ndërkombëtare edhe gjatë ditës së djeshme ua ka tërhequr “veshin” liderëve institucionalë, duke kërkuar që një gjë e tillë të shuhet përfundimisht.

Hoti: Do ta lëshonim mbledhjen kur të vinim tek shfuqizimi i Speciales

Pas mbledhjes shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti (i cili ishte prezent në sallë), ka thënë se mosparaqitja e anëtarëve të Kryesisë në mbledhje përbën një fatkeqësi më vete, kur sipas tij dihet se shumë çështje kanë mbetur ende pa u finalizuar.

“Është më se e qartë që ky koalicion nuk është funksional. Vetë e kanë thirrur mbledhjen e Kryesisë, ajo u desh të shtyhet në mungesë të kuorumit për shkak se anëtarët e Kryesisë nga shumica parlamentare, nga shumica qeverisëse nuk u paraqitën në mbledhje”, ka deklaruar ai.

Me këtë rast Hoti ka thënë se LDK-ja nuk do të rrijë duarkryq, përkundrazi, siç ai është shprehur, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore e kushtetuese që mundësojnë funksionim normal të institucioneve.

E sa i përket çështjes së Gjykatës Speciale Hoti ka bërë të ditur se LDK-ja nuk ka ndërruar qëndrim në këtë drejtim.

“Ju i dini qëndrimet e LDK-së në atë pikë, ne do ta jepnim mendimin tonë dhe do ta lëshonim mbledhjen e Kryesisë”, ka nënvizuar ai.

Isufi: Jemi kundër Speciales

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka kritikuar nënkryetarët e Kuvendit që s’kanë marrë pjesë në mbledhje, ani pse as AAK-ja nuk ishte prezente aty.

Ndërkohë, nuk ka dashur t’i komentojë reagimet e ndërkombëtarëve kundër shfuqizimit, megjithatë ka thënë se AAK-ja vazhdon të mbetet kundër Gjykatës Speciale.

“E dini përcaktimin tonë, ka qenë edhe në mandatin e kaluar kur është votuar kundër Gjykatës Speciale për shkak se konsiderohet se vepron vetëm kundër një etniteti dhe po ashtu dëmton imazhin e Kosovës dhe të luftës së UÇK-së”, është shprehur Isufi.

Delawie: Zhbërja e Speciales kthen me vite mbrapa Kosovën

Ndërkaq veprimet e djeshme nuk kanë lënë duarkryq as bashkësinë ndërkombëtare. Meqë nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk u përmbyll as dje ka reaguar sërish ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Me këtë rast ai ua ka tërhequr edhe një herë vërejtjen politikanëve në Kosovë lidhur këtë çështje.

“Ndryshimi ose zhbërja e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe demonstrimi i përbuzjes së saj për sundimin e ligjit do ta kthente Kosovën prapa me vite të tëra në integrimin e saj në institucionet evropiane. Nëse doni të anëtarësoheni në një klub duhet të jetoni sipas rregullave të atij klubi. E njëra ndër rregullat më të rëndësishme në klubin euroatlantik është sundimi i ligjit”, ka potencuar Delawie.

Ambasadori i SHBA-së më tutje ka thënë se Kosova duhet t’i përmbushë obligimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe ta mbyllë kapitullin e Speciales edhe në rast se kjo do të nënkuptonte që disa udhëheqës të kohës së luftës të japin llogari.  

Soltes: Shfuqizimi i Speciales rrezikon Kosovën

Për idenë e shfuqizimit të Speciales gjatë së mërkurës ka reaguar edhe Igor Sholtes, raportues i posaçëm në Parlamentin Evropian për Kosovën, me ç’rast ka kërkuar që të mos shfuqizohet ligji për këtë gjykatë. 

Kjo meqë, sipas tij, një vendim i tillë do ta rrezikonte dukshëm Republikën e Kosovës.

“Ky vendim do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e sundimit të ligjit dhe do të lëkundte kredibilitetin e Kosovës si një partner të barabartë me BE-në. Mendoj se një vendim i tillë do ta rrezikonte shumë përparimin që është arritur në Kosovë në disa vitet e fundit. Mendoj se edhe ky kapitull i së kaluarës duhet të përmbyllet. Ndaj edhe një herë u bëj thirrje të gjitha institucioneve dhe liderëve të partive në Kosovë të mos lejojnë miratimin e një vendimi të tillë, sepse kjo do të thoshte që Kosova po shkon drejt izolimit dhe jo bashkëpunimit”, ka thënë Sholtes për DW-në.

Arsyet pse LVV-ja e Nisma bojkotuan mbledhjen e Kryesisë

Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka bërë të ditura arsyet se pse askush nga LVV-ja nuk mori pjesë në mbledhjen e djeshme të Kryesisë, ku pritej të diskutohej mbi shfuqizimin e Speciales.

“Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Aida Dërguti, është në Strasburg, ku po mbahen punimet e Grupit të Parlamentit Evropian me delegacionin e Kosovës për MSA-në. Ndërsa unë nuk mora pjesë sepse jam vetëm shef i grupit dhe nuk përbëj kuorum”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, ka përmendur dy arsye se pse anëtarët e këtij subjekti nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Kryesisë, ku pritej të shqyrtohej Projektligji për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Hoti në një prononcim për “Zërin” ka thënë se shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, gjendet jashtë vendit, ndërkohë deputetja Albulena Balaj-Halimi ishte vonuar pak, derisa mbledhja, siç tha ai, kishte përfunduar shumë shpejt.

“Sherifi është në udhëtim zyrtar jashtë vendit. Kështu ka qenë edhe Albulena, por ajo është kthyer. Albulena erdhi, por tha se përfundoi mbledhja, është vonuar në ardhje, nuk ka pasur asnjë arsye tjetër”, ka thënë Hoti.

Megjithatë, Hoti ka thënë se Nisma i qëndron prapa qëndrimit që kishte për Specialen dhe posa Projektligji për Shfuqizimin e saj të vijë në Kuvend Nisma do ta votojë.

“Përndryshe, ne jemi në qëndrim tonin, s’ka diçka. Si të vijë në Parlament Ligji për Gjykatën Speciale do ta votojmë”, ka theksuar ai.