Kryeministri provon ta arsyetojë rrogën, premton shumë punë më 2018

Aktuale December 31, 2017 - 10:49

Në një urim drejtuar qytetarëve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se po përmbyllet një vit jo i lehtë.

Kreu i Qeverisë ka deklaruar se në vitin e ardhshëm Kosovën e presin shumë punë.

“Një vit zgjedhjesh, një vit pune dhe një vit sfidash por edhe i të arriturave. Ndoshta-ndoshta, lajm i mirë ishte investimi në energji”, ka thënë shefi i Qeverisë së Kosovës në një video-mesazh të publikuar në profilin e tij në “Facebook”.

Haradinaj ka thënë se e di që në vitin që vjen na presion shumë punë, shumë sfida, dhe e di se qytetarët presin shumë nga Qeveria e vendit.

“Unë sot ju uroj ndërrimin e moteve. Ju uroj 2018-tën me shëndet e me të mira në familje”, ka theksuar Ramush Haradinaj, duke premtuar se do të punojë që secili prej nesh, në vendin tonë, ta ketë jetën më të mirë", ka thënë Haradinaj.

Dhjetë ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për t’ia dyfishuar rrogën shefit të saj – Ramush Haradinajt dhe ua ka rritur pagën edhe vartësve të tij.

Nga 1 mijë e 443 euro sa e kishte, rroga e kryeministrit tash e tutje do të jetë 2 mijë e 950 euro.

Kjo pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të zëvendëskryeministrave, ministrave dhe të gjithë kabinetit të tij.

Rroga për një ministër ka arritur në 2 mijë euro nga 1 mijë e 270 sa ishte më parë.