Sejdiu: Thaçi, Haradinaj dhe Veseli, trojka që po e shkatërron Kosovën

Aktuale December 25, 2017 - 07:58

Deputeti Korab Sejdiu gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se tre liderët kryesorë të vendit: presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, si dhe kryeparlamentari Veseli, me veprimet e tyre të fundit për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale po e shkatërrojnë Kosovën. Sipas tij, një blof i tillë ishte për ta shpëtuar veten nga Specialja, si dhe për t’i rritur pazaret në prag të arrestimeve të para

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Korab Sejdiu, i cili njëherësh është jurist me profesion, thotë se tentativa e presidentit Hashim Thaçi, e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe e kryeparlamentarit Kadri Veseli për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale ishte për ta shpëtuar veten nga kjo e fundit dhe për t’i rritur, siç thotë ai, pazaret në prag të fillimit të arrestimeve.

Këto komente Sejdiu i ka bërë gjatë një interviste për gazetën Zëri, duke shtuar se të premten u pa qartë një blof i tillë i trojkës (Thaçi, Haradinaj dhe Veseli), që, sipas tij, po e shkatërron Kosovën.

Juristi Sejdiu thotë se në lidhje me iniciativën e fundit nuk bëhet fjalë për një ligj të rëndomtë, por, siç thotë ai, për një përpjekje pak më të madhe në kontekst të votave që nevojiten për ta bërë një ndryshim të tillë, i cili ka edhe implikime kushtetuese dhe një investim shumë të madh nga partnerët ndërkombëtarë, në veçanti nga SHBA-ja dhe BE-ja.

LEXO EDHE: Kontradiktat me Demarkacionin

“Pra, në rastet si këto kur ne hyjmë në obligime që kanë edhe implikime ndërkombëtare nuk mund pastaj të luajmë me ata të cilët janë pjesë e procesit, sepse, siç edhe po shihet, këtë ata nuk e tolerojnë”, ka pohuar Sejdiu.

Ky i fundit madje është shprehur i gatshëm që ta japë votën e tij pro mocionit për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nëse opozita punon në këtë drejtim, siç ka deklaruar së fundi.

Zëri: Z. Sejdiu, veteranët e UÇK-së kanë dorëzuar në Kuvend një peticion me 15 mijë nënshkrime për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. A vlerësoni se ka disponim të deputetëve që ta japin votën e tyre për ndryshimin e këtij ligji?

Sejdiu: Në këtë fazë është vështirë të parashihet mbështetja e deputetëve për këtë iniciativë. Me gjasë do të analizohet nga deputetët individualisht, si dhe në grupe dhe do t’i marrin vendimet e tyre. Por, çka duhet potencuar këtu është fakti se nuk bëhet fjalë për një ligj të rëndomtë, por për një përpjekje pak më të madhe në kontekst të votave që nevojiten për ta bërë një ndryshim të tillë, që ka edhe implikime kushtetuese, por ku kemi edhe një investim shumë të madh nga partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti nga Bashkimi Evropian dhe nga SHBA-ja. Pra, në rastet si këto kur ne hyjmë në obligime që kanë edhe implikime ndërkombëtare nuk mund pastaj të luajmë me ata të cilët janë pjesë e procesit, sepse, siç edhe po shihet, këtë ata nuk e tolerojnë. Unë jam prej atyre që kam potencuar nga fillimi se Gjykata Speciale është një dukuri shumë e dëmshme për Kosovën, mirëpo tash veç është punë e kryer dhe dukemi shumë joseriozë nëse fillojmë të zmbrapsemi kur ka investime shumë të mëdha në këtë drejtim dhe gjendemi në prag të zbatimit. Një veprim i tillë me gjasë do ta dëmtonte shumë atë pak progres që kemi arritur dhe do ta cenonte edhe vetë shtetësinë e Kosovës. 

Zëri: Z. Sejdiu, të premten e kaluar pamë zhvillime dramatike në lidhje me vendimin e Kryesisë për ndryshimin e Ligjit për Specialen. Si e komentoni ju një tentativë të tillë të tre udhëheqësve kryesorë të shtetit dhe reagimet e ndërkombëtarëve?

Sejdiu: Po, ky është vetëm hapi i radhës i një klase të papërgjegjshme të pushtetarëve tanë, të cilët vazhdojnë të marrin vendime në dëm të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.  Kjo dërgon një porosi shumë të qartë edhe tek populli e edhe tek bashkësia ndërkombëtare, se me këta njerëz progres në Kosovë nuk ka dhe se kemi nevojë urgjente për një klasë të re vendimmarrëse në skenën politike në vend. Unë jam deklaruar më parë se ky veprim, përveç tentativës për ta shpëtuar veten dhe për t’i rritur pazaret eventuale në prag të arrestimeve, është edhe një blof i trojkës që po e shkatërron Kosovën, por një blof që shihet lehtë e qartë. Me këtë tentativë tash në prag të aktakuzave/arrestimeve mundohet t’i hedhë popullit hi syve dhe tenton që për Specialen t’ia lërë fajin opozitës. Kinse ne deshëm ta anulojmë, por nuk deshi opozita. Por, kot e kanë. Specialen na e sollën pikërisht ata dhe ata personalisht e bartin përgjegjësinë para popullit e para historisë. Ta dinë mirë se populli nuk harron e nuk fal më aq lehtë.

Pra, shpresoj që kjo, ndër të tjera, të mbahet në mend nga populli. Të mos harrohet se për ta shpëtuar veten deshën ta kallin vendin. Për t’i ikur përgjegjësisë para popullit e historisë ishin të gatshëm ta fundosin të ardhmen tonë. Për të përfituar personalisht ishin të gatshëm ta sakrifikojnë të ardhmen e fëmijëve tanë. Për t’ia zgjatur vetes pushtetin edhe disa ditë deshën të na prishin me miqtë tanë më të mirë.

Prandaj reagimet e ndërkombëtarëve ishin të pritura. Këta shkatërrues të së ardhmes sonë po mendojnë se mund të luajnë me bashkësinë ndërkombëtare ashtu si luajnë me neve si popull, por e kanë shumë gabim e kjo u pa edhe nga kërcënimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nëse dëshirojmë të jemi shtet ne duhet t’u qëndrojmë besnikë zotimeve tona ndërkombëtare, që e cilësoj edhe Gjykatën Speciale si një përpjekje të tillë.  Papërgjegjësia të cilën e tregojmë lidhur me punët tona të brendshme në asnjë mënyrë nuk pi ujë kur bëhet fjalë për raporte me implikime ndërkombëtare. Por, përgjegjësit për të këtë situatë e njëherësh edhe për situatën e mjerë që po zotëron në Kosovë nuk kanë për qëllim ruajtjen e shtetësisë së Kosovës dhe miqësisë me mbështetësit tanë më të mëdhenj, përkundrazi, e fundosin të tërën edhe për vetëm disa ditë shtesë mbijetesë.

Zëri: Kur është miratuar ky ligj në Kuvendin e Kosovës veteranët kanë heshtur. A mund të jenë të nxitur veteranët nga disa liderë kosovarë që ta kundërshtojnë Ligjin në prag të fillimit të arrestimeve të para nga Gjykata Speciale?

Sejdiu: Nuk kam informata nëse veteranët janë nxitur apo jo. Dhe, thënë të drejtën, nuk i përfshij veteranët domosdoshmërisht në veprimet e atyre që e cilësojnë veten si përfaqësues të veteranëve. Por çka duhet thënë është se askush nuk ka të drejtën që për përfitime personale ta instrumentalizojë këtë grup të veçantë të qytetarëve tanë, pra atyre që kanë sakrifikuar shumë për ta mbrojtur vendin dhe për ta përjashtuar okupatorin nga Kosova. 

Zëri: Ju personalisht a e përkrahni iniciativën e veteranëve si deputet i ri në Parlamentin e Kosovës?

Sejdiu: Si çdo gjë tjetër, kur këto informata na dorëzohen nga administrata e Kuvendit unë do ta vlerësoj edhe këtë çështje. Standardi im personal me të cilin vlerësoj çdo çështje para meje është që të marr vendim që është në të mirën e qytetarëve dhe të vendit.  Pra, edhe këtu do të vendos për atë që e cilësoj që është më e mira për qytetarët dhe vendin, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat gjendemi. Por, një vlerësim preliminar i rrethanave më bën të mendoj se një veprim i tillë në këtë fazë mund të bënte shumë më shumë dëm sesa mirë.

Reagimi i Thaçit për Specialen, hipokrit

Zëri: Presidenti Hashim Thaçi së fundi ka deklaruar se kjo Gjykatë nuk do të sjellë drejtësi, ndërsa Ligji është iniciuar në kohën kur ai ishte kryeministër. Cili është komenti juaj?

Sejdiu: Po më duket pak reagim i vonë dhe hipokrit. Unë thashë që gjithmonë e kam kundërshtuar ndarjen e drejtësisë nga të huajt, sepse kjo dëshmon papjekurinë tonë për t’i adresuar çështjet tona të brendshme të drejtësisë. Por ka qenë pikërisht kryeministri Thaçi në atë kohë që ka insistuar në realizimin e këtij projekti të dëmshëm. Thënë këtë, nga të gjithë njerëzit në Kosovë ai ka më së paku të drejtë të komentojë lidhur me dëmin që kjo Gjykatë mund t’ia bëjë vendit dhe qytetarëve.

Zëri: Kur prisni që kjo Gjykatë t’i ngrejë aktakuzat e para dhe a mund të ketë destabilizim në Kosovë, pasi që supozohet se mund të akuzohen ish-eprorët e lartë të UÇK-së?

Sejdiu: Me gjasë u jemi afruar aktakuzave të para, edhe pse nuk dihet saktë se kur do të ndodhin ato. Të gjithë ata në Kosovë që pretendojnë ndryshe po mundohen ta bëjnë këtë për përfitime personale, por nuk kanë ndonjë informatë të saktë. Pavarësisht, duke pasur parasysh përfundimin e përgatitjeve që kjo Gjykatë ta fillojë punën dhe faktin se janë në përfundim e sipër, mund të supozohet se aktgjykimet e para pritet të ndodhin kah pjesa e parë e vitit 2018, pra shumë shpejt. Lidhur me destabilizimin, mbetet përgjegjësi e të gjithëve që të angazhohemi për ta evituar ndonjë destablizim eventual, por veçanërisht të atyre që janë drejtpërdrejt dhe personalisht përgjegjës që na e sollën Gjykatën Speciale në Kosovë.                                                          
Largimi i Nasim Haradinajt u bënë nder veteranëve

Zëri: Kreu i veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka deklaruar në medie se “Punë e madhe që janë vrarë disa zyrtarë të LDK-së”. Cili është komenti juaj?

Sejdiu: Këtu kemi të bëjmë me dy fatkeqësi të mëdha. Së pari, që një personi të tillë i jepet hapësirë mediatike për t’u deklaruar dhe për ta helmuar opinionin publik me plehrat që ai i flet. Dhe vlen të potencohet që nuk është hera e parë që bën deklarime të tilla. Dhe fatkeqësia e dytë, edhe më e madhe, është që ky person pretendon se i përfaqëson veteranët e UCK-së. Pra, ai pretendon se përfaqëson një grup të jashtëzakonshëm të qytetarëve të këtij vendi, që kanë bërë sakrificat më sublime për këtë vend dhe me deklarimet e tij mbi të gjitha poshtëron ata të cilët pretendon se i përfaqëson. Dhe sa më parë që ky person hiqet nga posti që zotëron, aq më shumë u bëhet nder veteranëve të UCK-së. 

Zëri: Jeni deputet në Kuvendin e Kosovës. Si e vlerësoni punën e Kuvendit dhe të Qeverisë gjatë 100-ditëshit të parë?

Sejdiu: Nuk e di se a ka diçka për të vlerësuar. Pra, po flasim fillimisht për një vonesë goxha serioze në konstituim të Kuvendit. E më pastaj me themelim të Qeverisë u ballafaquam me një angazhim të deputetëve dhe të Qeverisë në zgjedhjet lokale, me ç’rast mungoi përkushtimi për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’i shtyrë përpara proceset e rëndësishme që e presin Kosovën. Tani më në fund kemi pranuar një mori projektligjesh, pjesa dërmuese e të cilave janë projektligje nga Qeveria e kaluar që janë kthyer në Qeveri me shpërbërjen e legjislaturës së kaluar. Po e them tërë këtë për të treguar se nuk kam shumë aktivitet të Qeverisë për të vlerësuar, pra thjesht mungojnë përpjekjet për të shtyrë procese dhe reforma përpara.

Unë nuk po shoh që ka përmbushje premtimesh as për së afërmi. Lidhur me Qeverinë, bëhet fjalë për një punë të fokusuar në shkelje ligjore, emërime politike të panevojshme, shpenzime të kota të parasë publike, qeverisje pa ndonjë drejtim të caktuar, konflikte interesi, vendime për interesa personale dhe cenim serioz të shtetësisë së vendit së fundi, ndër të tjera. Pra, edhe një vështrim i thjeshtë i raportit të 100-ditëshit, që ata vetë e kanë përpiluar, tregon se ato që Qeveria pretendon janë suksese, në fakt janë punë të qeverive paraprake. Dhe të vetmet të “arritura” që mund t’i atribuohen kësaj Qeverie janë veprime të cilat në botën normale do të cilësoheshin si skandaloze e besa edhe kriminale, duke përfshirë këtu edhe vendimin e fundit të pamenduar mirë, i cili vendim rrit rrogat e kryeministrit me klanin e tij të të emëruarve politikë. 

Zëri: Kjo Qeveri kritikohet për emërimin e një numri të madh të zëvendësministrave. A mund të jenë efikas 5 zëvendësministra në një ministri?

Sejdiu: Nëse kjo Qeveri do t’i kishte 6-7 ministri, atëherë ndoshta edhe do të arsyetohej me pasjen e 3-4 zëvendësministrave për të adresuar dikastere të veçanta përbrenda ministrive përkatëse. Mirëpo në këtë Qeveri megalomane nuk ka hapësirë as që të ketë një zëvendësministër për ministri, aq më pak për nga pesë për secilën prej tyre. Por nuk besoj që po theksoj diçka që nuk është e ditur. Pra, shihet qartë që qëllimi i kësaj Qeverie nuk është përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe zhvillimi i vendit, por vetëm rehatimi i militantëve partiakë dhe i familjarëve. 

Zëri: A do ta votoni Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi nëse procedohet në seancë të Kuvendit?

Sejdiu: Komisioni funksional ka kërkuar informata shtesë lidhur me këtë marrëveshje.  Ne si deputetë duhet t’i vlerësojmë thellësisht të gjitha të dhënat që ndërlidhen me këtë çështje posa t’i pranojmë edhe informatat shtesë. Ky është një vendim tepër i rëndësishëm dhe kërkon analizë të thellë dhe serioze e jo politike, në çka është shndërruar nga përfituesit e ndryshëm politikë. Po dua të them se kjo çështje është çështje kombëtare dhe duhet trajtuar si e tillë.  Dhe duhet menduar shumë më thellë sesa përfitimi i mundshëm afatshkurtër. 

Në gjendjen aktuale, pa informatat shtesë, unë nuk po shoh që ekzistojnë votat e mjaftueshme për ta kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit. Ajo që ka bërë Qeveria është tërësisht e paarsyeshme e besa edhe e papërgjegjshme. Pra, t’ia dërgojë Kuvendit për miratim një marrëveshje së bashku me rekomandim për të mos e votuar, ku edhe vetë anëtarët e shumicës parlamentare janë deklaruar se nuk do ta votojnë. Them edhe një herë se kjo çështje kombëtare është tejet e rëndësishme për ta shndërruar në lojë politike të një qeverie të paaftë për të shtyrë procese të mëdha për vendin përpara. 

E di një gjë, që në marrjen e këtij vendimi unë personalisht nuk e kam drojën nga gjykimi i atyre që jetojnë sot, por nga mallkimi i atyre që ende nuk kanë lindur. 

Fundi i kësaj Qeverie, në të mirë të Kosovës

Zëri: Partitë opozitare flasin për një mocion votëbesimi të Qeverisë pas 100-ditëshit. A e përkrahni ju një iniciativë të tillë?

Sejdiu: Edhe pse mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve ka një kosto të lartë për vendin si financiare, ashtu edhe në pamundësimin e realizimit të projekteve që marrin kohë për realizim. Mirëpo kostoja e pasjes së një qeverie inerte dhe të dëmshme për vendin, si po tregohet kjo aktualja, është shumë më e lartë. Prandaj sa më parë që i jepet fundi kësaj Qeverie të ngathët, shkatërruese dhe të pakoordinuar, aq më mirë do të jetë për vendin dhe për qytetarët e Kosovës. Rrjedhimisht, për ata që ia dëshirojnë të mirën vendit nuk ka votë tjetër që mund ta japin përpos votës pro mocionit për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”.