Përplasjet çojnë në ndarje

Aktuale December 15, 2017 - 07:55

Tetë dhjetori i këtij viti ka nxjerrë në sipërfaqe përplasjen më të thellë brenda lëvizjes “Vetëvendosje”, ndonëse mospajtimet e brendshme për disa muaj ishin heshtur, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Publikimi i disa mesazheve të realizuara në aplikacionin “Viber” mes deputetëve bënë që përfaqësuesit e LVV-së të ndahen në dy taborë brenda partisë: grupi i ish-liderit të LVV-së Albin Kurti dhe i ashtuquajturi i ish-sekretarit organizativ Dardan Molliqaj.

Në grupin e parë janë pozicionuar deputetët si: Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli, si dhe grupi i aktivistëve në Shqipëri. Ndërkohë në grupin e dytë pretendohet të bëjnë pjesë deputetët: Visar Ymeri, Aida Dërguti, Dardan Sejdiu, Dukagjin Gorani, si dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, shkruan tutje "Zëri".

Përplasjet mes “Vetëvendosjes” nuk mbaruan vetëm me publikimin e mesazheve ku deputetja Aida Dërguti shihej ta ketë ofenduar ish-liderin Albin Kurti.

LEXO EDHE: Përçarja e opozitës, komoditet i Qeverisë

Përkundrazi ato vazhduan edhe pas dorëheqjes së Dërgutit nga anëtarësia e LVV-së dhe nga Dega në Vushtrri.

Madje përplasjet dhe dallimet vazhduan të shpërfaqen edhe pas deklaratave të liderit Visar Ymeri karshi kësaj situate.

Përderisa deputetët si Pacolli, Aliu e Haxhiu drejtuan kritika të ashpra drejt tij, aktivistë të kësaj partie kërkuan dorëheqjen e Ymerit nga pozita e kryetarit.

Sulmet verbale, nga Dërguti te Ymeri

Pas zhvillimeve të fundit brenda LVV-së deputeti Dardan Sejdiu kishte qenë ai i cili kishte ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e nënkryetarit të kësaj partie.

Kështu ka bërë të ditur lideri i LVV-së Visar Ymeri, i cili pas gati një javë pasi deputetja Dërguti dha dorëheqje foli rreth këtyre çështjeve. Ai me këtë rast bëri të ditur se përplasjet në “Vetëvendosje” kishin filluar qysh para një viti.

Duke folur rreth përplasjeve Ymeri tha se duhet të krijohet më shumë hapësirë brenda LVV-së, në mënyrë që asnjë aktivist të mos ketë frikë për mendimet ndryshe.

E sipas tij, metodat e përdorura deri më tash në asnjë mënyrë nuk mund të krijojnë hapësirën për këtë. Ymeri madje u shpreh i gatshëm të japë dorëheqje po që se një veprim i tillë do ta zgjidhte situatën.

Ndërkohë, ndonëse tha se Kurti e ka kontributin e pazëvendësueshëm për LVV-në, sipas tij, asnjë njeri nuk duhet ta shohë veten më të rëndësishëm sesa organizatën.

Më tej i pari i LVV-së i doli në krah deputetit Dardan Molliqaj, duke thënë se ai ishte shënjestër e sulmeve nga aktivistët e këtij subjekti, kurse nuk përjashtoi opsionin e ndarjes.

Menjëherë pas këtyre deklaratave vërshuan “sulmet” verbale në drejtim të Ymerit, ashtu siç kishte ndodhur me Dërgutin.

Për një gjë të tillë nuk u kursyen jo vetëm aktivistët të cilët kërkuan dorëheqjen e Ymerit, por as deputetët e LVV-së.

Deputeti Liburn Aliu tha se këto deklarata nuk pasqyrojnë fare qëndrimet e LVV-së, përkundrazi ato janë krejtësisht të njëanshme.

Edhe deputetet Fitore Pacolli, Albulena Haxhiu e deputeti Xhelal Sveçla e kundërshtuan ashpër Ymerin, duke i dalë në mbrojtje Albin Kurtit.

Nga ana tjetër, disa deputetë të tjerë tashmë janë rreshtuar në krahun tjetër kundër Kurtit. Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Aida Dërguti e Dardan Sejdiu janë disa të cilët tërthorazi janë rreshtuar këtej.

Pos këtyre në krahun anti-Kurti po pretendohet të jenë edhe deputeti Dukagjin Gorani bashkë me të parin e Prishtinës Shpend Ahmetin.

Ndërkaq, ka të atillë për të cilët ende nuk dihet se cilit tabor i përkasin. Deputeti Rexhep Selimi është ai i cili ka qëndruar tërësisht neutral në këtë situatë, bashkë me disa deputetë të tjerë.

I kontaktuar nga “Zëri” disa herë gjatë kësaj jave Selimi nuk ka dashur të flasë rreth ndodhive të fundit në LVV.

Grafite kundër Kurtit

“Lufta” mes këtyre dy krahëve ka vazhduar edhe më tej. Gjatë ditës së djeshme para zyrës së LVV-së janë shkruar grafite kundër Kurtit, në të cilat thuhet se “S’ka babë, ka ide”.

Kjo meqë disa prej aktivistëve po e cilësojnë Kurtin si njeriun kyç “Babë” të lëvizjes “Vetëvendosje’, kurse disa të tjerë po e kundërshtojnë si ata të grafiteve.

Pas kësaj ka reaguar zëdhënësja e këtij subjekti, Tinka Kurti, e cila ka thënë se nuk po kërkohet baba, por drejtuesi që po luftohet nga një pjesë e LVV-së.

“Jo, ne nuk po e kërkojmë babën. Ne po e kërkojmë drejtuesin. Drejtuesin që ju po e luftoni”, është shprehur ajo.

Kryeziu: Epilogu, jo ndarja

Nga ana tjetër Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), duke komentuar këto përplasje ka thënë se e tërë kjo situatë nuk duhet të rezultojë me ndarjen e partisë.

“Procesi i reformimit dhe i konsolidimit nga lëvizje në parti nuk do të duhej të marrë epilog të ndarjes sepse s’e mendoj që ka kapacitete dhe vlera politike për t’i ofruar skenës politike dy alternativa”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Andaj sipas Kryeziut, “Vetëvendosje” duhet të përqendrohet te zhvillimi i partisë e jo ta mbysë demokracinë brenda subjektit.

“Prandaj LVV-ja do të duhej t’i koncentrojë energjitë e zhvillimit të partisë përmes konfrontimeve të koncepteve dhe ideve në një debat që synon demokratizimin e brendshëm dhe ripozicionimin e kësaj partie në skenën politike e jo ta mbysë demokracinë e brendshme përmes kushtëzimeve”, ka nënvizuar ai.

Maliqi: Luftë për të ardhmen e LVV-së

Kurse analisti politik Agon Maliqi ka thënë se brenda LVV-së është duke u zhvilluar një luftë për të ardhmen e kësaj partie.

“Është një luftë për të ardhmen e ‘Vetëvendosjes’, jo vetëm në kuptimin e asaj se cili grup do të jetë më i fuqishëm, por me gjasë edhe me pasoja mbi orientimin ideologjik në të ardhmen”, është shprehur ai për “Zërin”.

Sipas tij, edhe blloku i Albin Kurtit, e edhe ai kundër tij dëmtohen pa njëri-tjetrin.

“Për këtë arsye ata arsyetojnë se problemi nuk mund të zgjidhet vetëm brenda strukturave ekzistuese (Këshillit të Përgjithshëm), por me gjasë përmes një rithemelimi të organizatës mbi parime më gjithëpërfshirëse. Grupi i themeluesve në anën tjetër kërkon që ta ruajë fuqinë që ua siguron struktura ekzistuese e Këshillit dhe e Kryesisë. Bllokimi ekziston sepse të dyja palët e dinë se kanë nevojë për njëra-tjetrën”, ka shtuar Maliqi.

Ndërkohë, ndonëse sipas tij në interes të dyja palëve është që të arrijnë konsensus, gjasat më të mëdha janë të mbizotërojë e kundërta.

Ndërkaq politologu Belul Beqaj ka thënë se po që se LVV-ja nuk do të dijë si të dalë nga situata e krijuar, atëherë mund të shfaqen edhe probleme më të mëdha.

“Nëse nuk gjendet kompromisi i tejkalimit të shkaqeve, më mirë është të largohen ata që nuk ndjekin vizionin e ‘Vetëvendosjes’ sesa të vazhdojnë unitetin e rrejshëm”, ka theksuar Beqaj.