Përçarja e opozitës, komoditet i Qeverisë

Aktuale December 15, 2017 - 07:47

Partia më e madhe dhe më e zëshmja opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”, po përballet me një luftë të brendshme në prag të 100-ditëshit të qeverisë “Haradinaj”. Analistët vlerësojnë se dobësimi i opozitës u krijon partnerëve në bashkëqeverisje një lloj komoditeti, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Përçarjet që janë shpërfaqur në partinë më të madhe opozitare, në lëvizjen “Vetëvendosje”, e cila njëherësh ka qenë partia më e zëshme në Kuvend, i konvenojnë më së shumti koalicionit qeverisës.

Kështu vlerësojnë analistët politikë në vend, duke shtuar se koalicioni qeveritar nuk është stabil pasi ka vetëm 61 vota në Kuvend dhe çdo iniciativë serioze e opozitës do të mundë ta rrëzonte Qeverinë.

Sipas tyre, opozita në vend se “ta luftonte” Qeverinë, ka disa ditë që po përballet me një luftë të brendshme, shkruan tutje "Zëri".

Në anën tjetër, zyrtarë të dy partive opozitare (LVV dhe LDK) thonë se rrëzimi i Qeverisë nuk varet nga çështjet e brendshme të një partie, por nga bashkëveprimi opozitar.

“Duke pasur parasysh numrat e nevojshëm dhe qasjen e duhur të bashkimit opozitar, atëherë mund të konstatoj që akoma nuk është arritur një bashkim i tillë i forcave opozitare për një veprim të tillë. Një veprim i tillë nuk varet nga zhvillimet e brendshme në lëvizjen ‘Vetëvendosje’, por nga mungesa e bashkëveprimit opozitar”, ka deklaruar për gazetën Zëri deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje” Rexhep Selimi.

Ndërsa nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një prononcim të shkurtër për gazetën “Zëri” ka thënë se mocioni i votëbesimit ndaj qeverisë “Haradinaj” do të ndodhë pas përfundimit të të gjithë procesit të zgjedhjeve lokale.

“Pasi të përfundojë procesi i zgjedhjeve lokale”, tha ai.

Por Agron Halitaj, drejtor i gazetës online “AktivPress”, ka deklaruar për “Zërin” se dobësimi i opozitës pa dyshim se u krijon partnerëve në bashkëqeverisje një lloj komoditeti.

Sipas tij, sa më e dobët dhe e pakoordinuar të jetë opozita, aq më e parrezikuar dhe më e pambikëqyrur është Qeveria.

“Partnerët e koalicionit së paku nuk druhen se do të rrëzohen nga forcat oponente pavarësisht brishtësisë që kanë në kuptimin e numrave”, ka thënë Halitaj.

Ai ka shtuar se megjithatë stabiliteti i kësaj Qeverie nuk është i varur nga fuqia apo nga dobësimi i opozitës sa është i varur nga pamundësia për t’i kaluar të ashtuquajturat vendime të mëdha, të cilat qenë bërë shkak edhe për rrëzimin e qeverisë “Mustafa”.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Belul Beqaj ka thënë se mocioni për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nuk varet vetëm nga opozita.

“Koalicioni nga dita e parë është në këmbët e qelqit, prandaj çështja e përfundimit të tij nuk varret vetëm nga opozita, por edhe nga balancimi i interesave të partnerëve të koalicionit”, tha Beqaj.

Ai gjithashtu ka thënë se nëse mocioni mbështetet edhe vetëm nga një deputet mund t’i japë fund këtij pushteti.

“Çdo ditë që rrezikon interesin mes partnerëve të koalicionit, çdo mocion i opozitës që do ta ketë mbështetjen edhe të një deputeti mund të shkaktojë fundin e këtij pushteti”, ka përfunduar Beqaj.

Gazetari Arben Rugova thotë se jostabiliteti i opozitës më së shumti i konvenon Qeverisë. Megjithatë, sipas tij, rrëzimi i Qeverisë nuk është vetëm çështje numrash, por dy partitë opozitare, LVV-ja dhe LDK-ja, nuk janë të gatshme për zgjedhje të reja parlamentare.

“Opozita nuk është e gatshme të merret me temat e mëdha si: Demarkacioni, Asociacioni, bisedimet me Serbinë, pasi këto çështje janë të interesuara t’i përfundojnë partitë në pushtet”, shprehet Rugova.

Përndryshe, lëvizja “Vetëvendosje” ditëve të fundit po e përjeton përplasjen më të thellë deri më tash. Kjo pas publikimit të disa bisedave në “Viber”, ku deputetja e LVV-së Aida Dërguti kishte ofenduar ish-liderin e kësaj partie Albin Kurtin.

Pas kësaj deputetë e përfaqësues të tjerë të LVV-së u pozicionuan në dy taborë, disa në mbështetje të Kurtit e disa të tjerë në krah të Dërgutit, përkatësish të ish-sekretarit të partisë Dardan Molliqajt.

E tërë kjo çoi deri te dorëheqja e Dërgutit nga Kryesia e LVV-së dhe nga Dega e Partisë në Vushtrri.