Përçarja para zgjedhjeve

Aktuale December 13, 2017 - 08:13

Pak muaj para se të organizoheshin zgjedhjet brendapartiake lëvizja “Vetëvendosje” po ballafaqohet me çarjen e parë serioze që nga themelimi i saj.

Planifikohet që në fund të muajit shkurt apo në fillim të marsit 2018 lëvizja “Vetëvendosje” t’i zgjedhë strukturat e reja në hierarkinë partiake, përderisa pak ditë më parë në medie është publikuar një komunikim në aplikacionin “Viber”, ku deputetja Aida Dërguti e ofendon rëndë ish-liderin e LVV-së Albin Kurtin dhe për këtë shkak të hënën që lamë pas ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtares së Kryesisë, si dhe nga funksioni i kryetares së Degës në Vushtrri. 
Në lëvizjen “Vetëvendosje” tashmë janë krijuar dy grupe, ai që e mbështet Kurtin, si dhe grupi i ish-sekretarit të LVV-së Dardan Molliqajt, pjesë e të cilit është edhe deputetja Dërguti.

Kurteshi: Zgjedhjet e brendshme, në fillim të 2018-ës

Ismail Kurteshi, sekretar i përgjithshëm dhe deputet i lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë dje për “Zërin” se zgjedhjet e brendshme të kësaj partie do të mbahen në fillim të vitit tjetër, por pa e precizuar kohën e saktë. “Natyrisht që zgjedhjet do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, por datën nuk e kemi caktuar. Një vendim të tillë e merr Këshilli i Përgjithshëm”, ka thënë Kurteshi. Kurteshi nuk ka pranuar të flasë se kush do të jenë kandidatët për kryetarë të partisë, ndonëse jozyrtarisht lakohen emrat e Kurtit, Molliqajt dhe Shpend Ahmetit. “Nuk e di kush do të kandidohet. Ka me qenë koha në dispozicion për t’i paraqitur kandidaturat. Kujt ia merr menja le të kandidojë. Ndërsa unë për vete e di që nuk do të kandidohem, por të tjerët të gjithë e kanë këtë mundësi. Në vetëm atë kohë po e presim, kur të vijë koha për kandidatura të shohim, çfarëdo që them tash mundem të mos ia qëlloj”, tha ai.

Kurteshi ka komentuar edhe dorëheqjen e Aida Dërgutit. “Mendoj që është vendim i saj personal, të cilin duhet ta përshëndes”, ka thënë ai.

Ndërkohë, kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje” ka mohuar se janë paraqitur dorëheqje brenda Lëvizjes, përpos të asaj të Aida Dërgutit. “E pranuam dorëheqjen e zonjës Aida Dërguti nga pozicioni i saj si anëtare e Kryesisë së lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe nga pozita si kryetare e Degës së lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në Vushtrri”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka dënuar gjuhën e përdorur nga Dërguti. Ai ka mohuar se anëtarët e Kryesisë, Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu, të kenë dhënë dorëheqje, pasi së fundmi u raportuara se ka pasur një kërkesë nga ana e tyre. “Pavarësisht atyre që janë raportuar në medie, që nuk janë të vërteta, nuk ka asnjë dorëheqje tjetër”, ka thënë Ymeri.

Mushkolaj: Molliqaj të garojë për kryetar të LVV-së

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë për “Zërin” se para çdo palë zgjedhjesh në parti ekzistojnë përpjekjet që të kandidohet dhe të zgjidhet dikush tjetër. Por, sipas tij, në “Vetëvendosje” kjo gjë është më shumë e shprehur. Ai tha se brenda kësaj partie ekzistojnë grupe që dëshirojnë ta marrin lidershipin e partisë. “Tash kur ‘Vetëvendosja’ ka dalë subjekti i parë në Kosovë dhe e ka fuqinë me të madhe dhe për këtë shkak këto mospajtime kanë ardhur duke u ashpërsuar dhe kemi ardhur në një situatë ku po duket se ekzistojnë grupe brenda ‘Vetëvendosjes’, që duan të marrin lidershipin e partisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Albin Kurti vazhdon të mbetet njeriu kryesor në LVV dhe i cili mund ta menaxhojë këtë situatë. “Mirëpo se a mund të menaxhohen gjithçka varet nga z. Kurti, pikërisht nga qasja e tij, deshi apo s’deshi, kushdo qoftë, duhet ta pranojë që Kurti është njeriu kryesor në LVV, pavarësisht që kryetar vazhdon të jetë z. Ymeri”, tha Mushkolaj.

Ai ka shtuar se nuk beson të ketë dorëheqje të tjera brenda “Vetëvendosjes”, pasi tha se edhe dorëheqja e Aida Dërgutit erdhi si pasojë e presionit të anëtarësisë së VV-së dhe jo se pati shkarkim apo ndëshkim nga LVV-ja. Ai ka thënë se do të ishte i kënaqur nëse për kryetar të kësaj partie do të ishte kandidat edhe Dardan Molliqaj. “Do të ishte shumë normale të ishte. Ne kemi kritikuar partitë politike që kanë pasur vetëm një kandidat ose kanë pasur kundërkandidatë vetëm sa për sy e faqe. Në këtë rast do të ishte jashtëzakonisht e shëndetshme edhe për LVV-në, edhe për partitë tjera që të ketë kandidatura reale”, ka thënë ai.

Ismajli: Përçarjet në LVV mund ta sjellin një forcë të re politike

 Dashnim Ismajli, njohës i çështjeve politike, ka thënë se konfliktet në lëvizjen “Vetëvendosje” po dalin të jenë më të shprehura sesa në partitë e tjera. Sipas tij, brenda LVV-së ekzistojnë “baballarët” dhe “të ardhurit e vonshëm”, por ai thotë se nuk duhet përjashtuar edhe individët që qëndrojnë të “papërcaktuar”, neutralë dhe në momentet e nuhatjes së pushtetit ata aktivizohen për të qenë hisedarë në marrjen e pushtetit të “pameritueshëm”.

Ai konfliktin në “Vetëvendosje” e ka krahasuar me konfliktet e kaluara brenda dy partive të mëdha, si LDK-së dhe PDK-së, ku sipas tij lufta zhvillohet për dominim dhe assesi për parime apo programatikë partiake.  

Ismajli ka thënë se në këtë konflikt kanë ndikuar zgjedhjet e reja të brendshme të këtij subjekti politik, por ka thënë se luftën e humbasin ata që sfidojnë liderin e partisë. “Zgjedhjet e fundit lokale kanë qenë indikator mjaft i fuqishëm në përshkallëzimin e konfliktit brenda LVV-së. Unë mendoj se luftën e brendshme politike brenda partisë e humbasin çdoherë ata që sfidojnë liderin apo bëjnë thirrje për reforma brendapartiake”, ka thënë ai.

  Ai thotë se konflikti brenda LVV-së është i kahershëm dhe përgjatë kësaj kohe vetëm sa është thelluar hendeku i përçarjes përbrenda strukturës së partisë. Këto përçarje, sipas tij, do ta sjellin krijimin e një force të re politike. “Unë mendoj se komunikimi që hasëm ditët e fundit nga elita e LVV-së dhe nga elektorati i saj tregon mjaftueshëm përçarjet dhe pakënaqësitë nga grupet përbrenda LVV-së, që mund të rezultojnë ose me ndarjen e LVV-së dhe krijimin e një force të re politike, apo edhe me përjashtimin heshtazi të kryengritësve brenda partisë dhe ‘rifreskimin e strukturës’ me besnikët e liderit”, përfundoi ai.