LAJMI I FUNDIT: Vijnë edhe dy dorëheqje të mëdha nga Kryesia e VV-së

Aktuale December 11, 2017 - 20:45

Shpend Ahmeti pohoi më herët para mediave se në mbledhjen e Kryesisë së Vetëvendosjes po mbahen diskutime normale, mirëpo duket se vetë ai dhe Dardan Sejdiu kanë ofruar dorëheqjet nga Kryesia pas ngjarjeve të fundit.

Periskopi, portal i afërt me VV’në, ka kuptuar nga burime të veta se Ahmeti e Sejdiu dhe të tjerë anëtarë, kanë ofruar dorëheqjet nga Kryesia, si dhe kanë kërkuar që të mos kandidohen më si anëtarë kryesie.

“Edhe Shpendi, edhe Dardani, edhe plot te tjerë i kanë ofruar dorëheqjet e veta nga Kryesia. Madje, që të gjithë, kanë kërkuar të mos kandidohen më për Kryesi”, thotë një burim brenda VV-së.


Mbledhja e Kryesisë së VV-së po mbahet pasi që u kuptua edhe publikisht për fërkimet brenda VV-së. Deputetët e zyrtarët e lartë të partisë janë ndarë në dy tabore. 

E gjithë kjo u kuptua pas rrjedhjes së disa shkëmbimeve të mesazheve mes Qendrës së VV-së në Tiranë dhe kryetarit të VV-së, Visar Ymeri.Më pas, në media doli edhe fyerja që deputetja Aida Dërguti i kishte bërë Albin Kurtit në grupin e përbashkët të komunikimit të anëtarëve të Kryesisë.

Tashmë, dorëheqje nga Kryesia dhe pozita e kryetarit të Qendrës në Vushtrri, ka dhënë Aida Dërguti, derisa u kuptua se dorëheqje nga Kryesia kanë dhënë më herët edhe deputetet Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.