Sheikët e Shipitullës

Aktuale December 11, 2017 - 07:49

Kërkesat për shpronësime në Hade dhe në Shipitullë kanë arritur në rreth 25 milionë euro, nga 4.5 milionë euro sa ishin më herët. Banorët e zonës po kërkojnë nga shteti që shtëpitë e tyre të kompensohen nga 350 euro për metër katror nga themelet deri në kulm, përderisa kompensimi për objektet përcjellëse, si WC-të fushore, 200 euro për metër katror. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se shpronësimi i një shtëpie mesatare në këtë zonë del të jetë më i shtrenjtë se çmimi i shtëpive në lagjet më ekskluzive të Prishtinës, si në lagjen “Marigona”, etj, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vlera e përgjithshme e shpronësimeve në Shipitullë dhe në Hade të Obiliqit ka arritur së fundi në rreth 25 milionë euro, duke u rritur për 600 për qind për një kohë të shkurtër, krahas 4.5 milionë eurosh sa ka qenë vite më parë.

Gjithë kjo për shkak të lejimit të ndërtimit në kundërshtim me ligjin, pasi që me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte shpallur Zonë me Interes të Veçantë Ekonomik, ku ndërtimet dhe mbindërtimet nuk do të duhej të lejoheshin dhe as kërkesat astronomike për shpronësime nga banorët.
Vetëm vitet e fundit vlerësohet se 140 ndërtime janë realizuar në kundërshtim me ligjin, krahas 99 objekteve të ligjshme sa ishin më herët, shkruan tutje "Zëri".

Në drejtim të këtij fshati duhet të zgjerohen mihjet e KEK-ut, në të kundërtën vendi rrezikon të zhytet në kolaps të thellë energjetik gjatë muajve në vijim si pasojë e mungesës së qymyrit për termocentrale.

Duke e ditur varësinë e KEK-ut për pronat e tyre, banorë të fshatit Hade po kërkojnë kompensime marramendëse nga shteti i Kosovës. 

Gazeta Zëri, në bazë të një hulumtimi disajavor, ka arritur ta sigurojë dokumentacionin me kërkesat e banorëve të fshatit Hade, të cilët më 23 nëntor 2017 ia kanë dorëzuar Zyrës së Kryeministrit Haradinaj “formularët realë për vlerësimin e pasurisë sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 03/02, të datës 15.09. 2017 dhe vendimit nr. 05/119, të datës 03.11.2014”.

Sipas këtyre formularëve, ata po kërkojnë t’u kompensohen shtëpitë nga 350 euro metri katror prej themeleve e deri në kulm, ndërsa për objektet përcjellëse, siç është cekur në dokumentacion, për WC-të fushore kërkojnë 200 euro për metër katror, etj.

Sipas një kalkulimi të thjeshtë, për një shtëpi mesatare, sipas këtyre kërkesave, vlera e shpronësimit arrin në rreth gjysmë milioni euro, më shtrenjtë se çmimi i shtëpive në lagjet më ekskluzive të Prishtinës, si në lagjen “Marigona”, etj.

Kërkesat astronomike: WC-të fushore të kompensohen 200 euro për metër katror

Ndonëse ndërtimet në shumicën e rasteve në këtë zonë janë ndërtuar “shkel e shko” vetëm me qëllim të përfitimit nga shpronësimi, këta banorë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës vlera marramendëse për shpronësim. 

Ata zyrtarisht kanë kërkuar që për një metër katror të themeleve të kompensohen 350 euro, 350 euro për një metër katror të bodrumit, 350 euro për një metër katror të katit përdhes, 350 euro për katin e parë, 350 euro për katin e dytë, 350 euro për katin e tretë, 350 euro për nënkulm dhe 350 euro për metrin katror të kulmit.

Vlera marramendëse financiare ata kanë kërkuar edhe për shpronësimin e objekteve përcjellëse. Kështu për metrin katror të WC-së fushore ata i kanë kërkuar 200 euro, 100 euro për metrin katror të depos, 100 euro për metrin katror të garazhit, 100 euro për metrin katror të murit rrethues, 150 euro për metrin katror të puseve të ujit, etj.

Ndërsa për metrin katror të fermave kanë kërkuar 330 euro dhe 330 euro për metrin katror të punëtorisë.

Kërkohet kompensim edhe për humbjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore

“Sipërfaqja e pronave do të llogaritet si sipërfaqe bruto. Për shtëpitë, të cilat janë ndërtuar me tokë ndërtimore, me truall ose me oborr, të arrihet koeficienti i kualitetit të shtëpive 1.1 si pasojë e zhvendosjes jovullnetare, pasi që banorët janë autoktonë dhe bëjnë jetë reale”, thuhet mes të tjerash në dokumentin e banorëve të dërguar në Qeveri, të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”.

Ata po ashtu kërkojnë kompensim për strehim të përkohshëm në vlerë prej 200 eurosh në muaj për person, siç thonë, si pasojë e ndërtimit të shtëpisë e deri në rehabilitim në të, i cili kompensim, sipas tyre, duhet të fillojë prej datës së incizimit të pronës ose datës së arritjes së marrëveshjes formale. Banorët kërkojnë edhe kompensim dhe benificione shtesë.

“Kompensim deri në rikthimin e jetës normale, i cili kompensim duhet të jetë në vlerë të përgjithshme të pronës. Kompensim për humbjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, i cili kompensim duhet të jetë 10% e vlerës së përgjithshme të pronës”.

Loja e Haradinajt me banorët

Kryeministri Ramush Haradinaj të shtunën që lamë pas ka takuar banorët e fshatit Shipitullë dhe Hade dhe menaxhmentin e KEK-ut, ku ka diskutuar për zhvendosjen e banorëve të këtyre dy fshatrave.

Haradinaj ka konfirmuar se ka disa ditë që ka ngecur puna dhe shpronësimi. Sipas tij, janë disa matrapazë që me këtë situatën e zhvendosjes dhe krizën energjetike po duan ta plaçkitin buxhetin e Kosovës.

Ai u ka dhënë afat dhjetëditor banorëve të këtyre fshatrave për ta pranuar ofertën e Qeverisë dhe siç, ka thënë ai, kur të kalojë afati, atëherë do të pasojë zbatimi i ligjit.

“Ka matrapazë edhe tek banorët, në KEK, në Ministri dhe në Komunë, që duan të përfitojnë, por ne nuk do t’i presim shumë. Nëse banorët nuk e pranojnë ofertën gjeneroze, atëherë bagerët do të shkojnë aty dhe do ta zbatojnë ligjin”.

Derisa të shtunën i quajti matrapazë, Haradinaj në shtator të këtij viti, pasi ishte zgjedhur kryeministër dhe para fushatës së zgjedhjeve lokale, ai ishte “heroi” i banorëve të Shipitullës.

Më 12 shtator 2017 në një takim me banorët ai u kishte premtuar shpronësim të shpejtë dhe punësimin e nga një anëtari të familjes.

Bajrami: Individët s’mund ta shantazhojnë shtetin

Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, Hykmete Bajrami, e cila ka qenë ministre e Tregtisë në Qeverinë e kaluar, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se kur kryeministri Haradinaj e kishte marrë detyrën dhe takonte banorët e Shipitullës dhe të Hades, me të cilët kishte arritur marrëveshje, kishte konstatuar se një marrëveshje e tillë ka qenë joligjore, pasi që, siç thotë ajo, kjo çështje nuk ka qenë në kompetencë të kryeministrit.

Ajo fajëson Komunën e Obliqit për lejimin e ndërtimeve në atë zonë me interes të veçantë shtetëror dhe për pasojë është rritur dukshëm vlera e shpronësimeve.

“Nuk është dashur të lejohen ndërtimet në atë zonë në bazë të vendimit të Qeverisë. Ato shtëpi janë ndërtuar vetëm me qëllim të përfitimit nga shpronësimi, pasi që shumica prej tyre nuk janë të banueshme”, shprehet deputetja Bajrami, duke shtuar se institucionet e shtetit duhet ta zbatojnë ligjin dhe të mos i lejojnë disa individë ta shantazhojnë shtetin.

Ajo thotë se duhet banorëve të Obliqit t’i jepet përparësi në ndarjen e buxhetit, pasi që vuajnë më së shumti pasojat nga ajri i ndotur, por, sipas saj, është e papranueshme që disa individë të përfitojnë jashtëligjshëm para nga buxheti i shtetit.

Në anën tjetër, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) javën e kaluar nëpërmjet një komunikate për medie u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave Hade e Shipitullë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që brenda afateve ligjore të lajmohen në zyrat e KEK-ut, Departamenti i Pronës, për t’i nënshkruar marrëveshjet për zhvendosje jo më vonë se deri më 15 dhjetor 2017.

“Për të dalë nga kjo situatë KEK-u edhe një herë u bënë thirrje banorëve të fshatrave Hade e Shipitullë që të reflektojnë karshi ofertave shumë të favorshme të KEK-ut dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke nënshkruar sa më parë marrëveshjet për zhvendosje. Ky veprim mbi të gjitha duhet të shihet si obligim e si interes nacional”, thuhej mes të tjerash në komunikatën e KEK-ut.

Sipas kësaj të fundit, vazhdimi i vonesave për marrëveshje nuk është as në të mirën e banorëve, por edhe është duke ndikuar direkt edhe në stabilitetin financiar të Korporatës dhe të punëtorëve e mbi të gjitha po e rrezikon vendin të mbetet pa energji elektrike ose të paguajnë me çmimin shumëfish me të lartë për import të energjisë elektrike. 
 

Image

Image

Image

Image