Koalicioni s’ka vota as për projektbuxhetin 2018

Aktuale December 07, 2017 - 08:12

E nisur para dy ditësh, seanca ku pritej të bëhej shqyrtimi i parë i projektligjit për buxhetin e vitit 2018, ka përfunduar pa miratimin e këtij projektligji.

Partitë në pushtet dështuan ta votojnë këtë projektbuxhet, meqë pro tij votuan vetëm 58 deputetë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndërkohë, partitë opozitare nuk morën fare pjesë në votim, meqë ishin kundër mënyrës së përpilimit të këtij projektligji.

Përderisa opozita insistonte se ai është hartuar në mospërputhje të plotë me programin qeverisës, pozita e pohonte të kundërtën. Kështu gjatë kësaj seance dyditore (e martë, e mërkurë) pati shumë diskutime, kundërshtime, akuza e kundërakuza mes pozitës e opozitës.

LEXO EDHE: Demarkacioni përçan koalicionin

Megjithatë Kuvendi miratoi Marrëveshjen  Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Pos kësaj, deputetët votuan edhe për miratimin e projektligjit mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Menjëherë pas kësaj kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, përmbylli seancën, pa arritur të kalojë në parim projektbuxheti për vitin 2018. Seanca e njëjtë ishte ndërprerë edhe të martën pasi në Kuvend nuk pati kuorum.

Topalli: Buxheti për vitin 2018, i njëjtë me vitet e kaluara

Vazhdimi i seancës dje nisi me kritikat e përfaqësuesve të opozitës drejtuar Qeverisë lidhur me hartimin e projektbuxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Në nisje të saj deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Faton Topalli, tha se buxheti i planifikuar për vitin 2018 nuk sjell kurrfarë ndryshimi për qytetarët. Përkundrazi, sipas tij, ky buxhet është krejtësisht i njëjtë me ata të viteve paraprakë.

“Nuk kemi ndryshime sepse nuk kemi ndryshime të politikave ekonomike. Buxheti që kemi është buxhet i mbijetesës, por jo i zhvillimit. Përsëritje e vitit 2017, 2016, 2015”, deklaroi ai gjatë seancës së djeshme.

Topalli më tej, duke komentuar rritjet e shifrave të prezantuara në këtë buxhet (të paraqitura para dy ditësh nga Qeveria), tha se një rritje e tillë nuk është aspak e mjaftueshme edhe po qe se realizohet.

“Rritja e paraparë është gjithsej 140 milionë euro. Rritja prej 140 milionë eurosh është një rritje jashtëzakonisht e vogël. Nëse këtë rritje e zbërthejmë në shifra, atëherë vitin që vjen secili banor i Kosovës do të përfitojë rreth 5 euro më shumë në muaj, 16 centë në ditë. Tani, ministër i Financave thuaju qytetarëve se sa mund të ndryshojë gjendja me 16 centë në ditë?”, shtoi ai.

Hamza: Rritja ekonomike prej 4,6 për qind, më e larta që nga paslufta

Mirëpo ministri i Financave, Bedri Hamza, duke iu kundërpërgjigjur deputetit të LVV-së Faton Topallit, tha se buxheti nuk është i njëjtë me vitet e kaluara. Përkundrazi, ai tha se rritja ekonomike për vitin që vjen do të jetë më e larta që nga periudha e pasluftës.

“Nuk e di si thuhet se është një buxhet i njëjtë kur Ministria e Infrastrukturës ka 35% rritje të buxhetit, Ministria e Arsimit ka 24 % rritje. E di se Kosova ka nevojë më të madhe, por rritja ekonomike me 4,6% është rritja më e madhe ekonomike në vitet e pasluftës, por që ka nevojë të kalojë edhe në nivel më të lartë”, u shpreh ai.

Hamza me këtë rast kritikat e Topallit i quajti krejtësisht politike dhe joprofesionale.

“Buxheti është publik. Prandaj analiza juaj z. Topalli ishte puro politike, pa asnjë saktësi profesionale”, theksoi ai.

Ndërkaq deputeti i LVV-së, Faton Topalli, në kundërreplikën e tij tha se nuk ka ndryshime në politikat e bërjes së këtij projektbuxheti, ndonëse ka në numra.

Selmanaj: Buxheti s’parasheh asnjë cent për ushtrinë

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, hodhi një sërë kritikash në drejtim të projektligjit për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Me këtë rast ai tha se tipari i vetëm që e cilëson atë është mospërputhja me programin qeverisës.

Sipas tij, në programin qeverisës është paraparë rreth 7 për qind rritje ekonomike, kurse në projektbuxhet vetëm 4,6 për qind.

“Dje na ofroheshin dy të vërteta, një nga opozita dhe një nga Qeveria. Dje na u tha që në Kosovë do të ketë rritje ekonomike 4,6 për qind në vlerën nominale dhe 4,8 për qind në vlerën reale për këtë vit dhe dy vjetët e ardhshme në programin qeverisës është paraparë rritje prej 7 për qind”, u shpreh ai.

Deputeti i LDK-së deklaroi se paradoksi tjetër ka të bëjë me transformimin e FSK-së në ushtri, ku sipas tij, në buxhet nuk parashihet asnjë cent për ushtrinë.

“Paradoksi i radhës vjen te FSK-ja. Në programin qeverisës thuhet që FSK-ja do të transformohet në ushtri të rregullt. Në buxhet nuk ndahet asnjë cent shtesë për të, përveç atyre për shpenzime të rregullta që bën FSK-ja”, theksoi ai.

Mirëpo, në replikën e tij ministri Bedri Hamza tha se buxheti për ushtrinë nuk do të jetë aspak problem, porse fillimisht duhet të kryhen disa procedura tjera.

Deputetja e LVV-së akuzoi Thaçin dhe Veselin për vrasjen e komandant “Drinit”

Pos kritikave rreth projektbuxhetit për vitin e ardhshëm gjatë seancës së djeshme pati edhe përplasje mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Drita Millaku, akuzoi krerët institucionalë për vrasjen e Ekrem Rexhës - komandant “Drinit”.

“Çka po i duhet kjo rritje e buxhetit presidentit ku nuk i ka mbetur asgjë tjetër veç të takohet me Vuçiqin dhe të bëjë shpërndarje të dekoratave dhe atë pa kriter. E në anën tjetër, kërkesa për dekorimin e komandant ‘Drinit’ rri në sirtar qe katër vjet, pra nuk e dekoron sepse me urdhër të tij dhe me dijeni të tij e të Kadri Veselit ai është vrarë”, tha Millaku. 

Menjëherë pas saj reagoi deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, i cili hodhi akuza të tjera në drejtim të Millakut.

“Drita Millaku si reja e Sylë Millakut, unë e di që Sylë Millaku ka fakte sepse ka punuar në organet e UDB-së dhe të Jugosllavisë. Duhet të jetë më profesionale, është mirë të ketë fakte kur thotë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin që kanë dorë në vrasjen e komandant ‘Drinit’, një ushtarak i respektuar edhe nga Thaçi, edhe nga Veseli dhe gjithë ushtarët e UÇK-së”, tha Çoçaj, duke i bërë thirrje asaj që t’u besojë organeve të Serbisë për t’i ndjekur ata persona nëse nuk u beson atyre kosovare.

Lidhur me këtë çështje reagoi edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se që nga janari secili do ta marrë përgjigjen për atë çfarë ka bërë.

“Është mirë të keni dinjitet, është mirë të merrni përgjegjësi për atë çka flisni. Është mirë të merrni përgjegjësi edhe jashtë këtij Parlamenti, por do të vijmë edhe tek ato gjëra ngadalë-ngadalë. Priteni prej janarit do të vijmë me të mira shumë, nuk do t’i ikë askujt në këtë dynja çka ka bërë e çka flet. Ka marrë fund koha e ish-Serbisë, ka marrë fund përgjithmonë”, tha Veseli.