Demarkacioni përçan koalicionin

Aktuale December 07, 2017 - 07:57

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi përkrahet vetëm nga partneri i madh i koalicionit qeverisës, por jo edhe nga partia e kryeministrit Haradinaj dhe nga Nisma për Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi bashkë me raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit qe disa ditë po qëndron në “sirtarët” e Kuvendit.

Ende nuk është vendosur se kur do të jetë në rend të ditës votimi i kësaj marrëveshjeje, në mungesë të 80 votave të nevojshme të deputetëve për ta miratuar të njëjtën.

LEXO EDHE: “Kasapët” e buxhetit!

Marrëveshjen për Demarkacionin aktualisht e përkrahin deputetët e PDK-së, sipas deklaratave të shefit të saj Kadri Veseli, si dhe shumica e deputetëve të LDK-së, përderisa e njëjta kundërshtohet nga partia e kryeministrit Haradinaj (AAK), nga lëvizja “Vetëvendosje”, si dhe Nisma për Kosovën me arsyetimin se humben mijëra hektarë tokë, të cilat i merr Mali i Zi.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar për gazetën Zëri se tashmë u mbetet deputetëve të Kuvendit të Kosovës të vendosin për këtë çështje.

“Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe raporti i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror i është dërguar Kuvendit të Kosovës që ditën kur është miratuar në Qeverinë e Kosovës. I mbetet tani Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve të tij që të vendosin për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e tyre për gazetën “Zëri”.   

Ndërsa kryetari i Kuvendit, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, menjëherë pas mbledhjes së djeshme ka bërë të ditur se në kohën më të shpejt kjo marrëveshje do të procedohet, pasi njëherë duhet të kalojë në Komisionin për Politikë të Jashtme.

“Çështja e shënjimit të kufirit ka ardhur mbrëmë, nuk ka mundur të vijë aq shpejt në seancë plenare. Njëherë duhet të kalojë në Komisionin për Politikë të Jashtme, pastaj momentin që vjen do ta procedojmë menjëherë”, deklaroi ai.

Ai më tej ka thënë se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të ratifikohet sa më shpejt që është e mundur.

Kjo meqë, sipas tij, çdo vonesë në këtë drejtim dëmton vetë shtetin e Kosovës. Ndërkohë, duke komentuar qëndrimin e kundërt të partive të tjera, Veseli tha se nuk duhet të ketë qëndrim emocional rreth kësaj çështjeje.

Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, vazhdon të insistojë që kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Kullë dhe në Çakorr. Ai beson në mirëkuptimin e palës malazeze që kjo marrëveshje të rinegociohet.

Të njëjtin qëndrim me AAK-në mban edhe Nisma për Kosovën. Shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Bilall Sherifi, tha se kjo parti do të votojë kundër kësaj marrëveshjeje (në versionin aktual).

Nga ana tjetër deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, tha se edhe LVV-ja do të vazhdojë ta kundërshtojë versionin aktual të Marrëveshjes së Demarkacionit.

Por, analisti politik Imer Mushkolaj konsideron që kjo marrëveshje do të kthehet sërish në pikën zero pas tre vjetëve të humbura me të njëjtën.

“Gjasat janë që Marrëveshja të rrëzohet në Kuvend dhe procesi të nisë nga fillimi. Kjo nënkupton se ne sërish jemi në të njëjtën situatë si para tre vjetësh dhe i kemi humbur tre vjet kot. Është e pasigurt pastaj se çfarë do të jetë qëndrimi i BE-së karshi liberalizimit të vizave dhe, po ashtu, sa kohë do të marrë negocimi dhe arritja e një marrëveshjeje të re për demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërkohë edhe Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se Kosova ka humbur pothuajse tre vjet për një çështje që vazhdon të mbetet në pikën e njëjtë.

Ai e sheh problematike edhe qasjen e ndryshme të subjekteve politike dhe të vetë kabinetit qeveritar për këtë çështje.

“Subjektet politike nuk arritën ta gjejnë një mes të përbashkët që me garanci ta marrin dhe ta përfundojnë punën e demarkacionit e tash jemi në një situatë ku edhe vetë kabineti qeveritar është i përçarë sa i përket kësaj çështjeje”, tha ai.