“Kasapët” e buxhetit!

Ekonomia December 07, 2017 - 07:48

Partnerët e koalicionit qeverisës me emërimin e 67 zëvendësministrave, të cilët kanë nga një asistent dhe shofer personal, buxhetit të varfër të Kosovës i kushtojnë mbi 1.5 milion euro në vit. Nëse rritet numri i tyre, ashtu siç pritet të ndodhë, vetëm për pagat e tyre do të shpenzohen rreth 2 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pagat e 67 zëvendësministrave të emëruar deri më tani nga qeveria “Haradinaj” buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë rreth 1 milion euro në vit pa përfshirë këtu edhe pagat e 67 asistentëve të tyre dhe po aq shoferëve.

Pagat e asistentëve të zëvendësministrave arrijnë në rreth 350 euro në muaj, po aq sa janë edhe pagat e shoferëve.

Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se pagat e zëvendësministrave, të asistentëve dhe të shoferëve arrijnë shumën vjetore prej mbi 1.5 milion eurosh.

Megjithatë, kjo shifër mund të arrijë shumë shpejt 2-milionëshin nëse numri i zëvendësministrave arrin në 80, ashtu siç bazohet se janë pajtuar partnerët e koalicionit qeverisës.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur për gazetën Zëri se paga e një zëvendësministri aktualisht është 1,182,50 euro derisa paga e asistentes dhe e shoferit është 348,5 euro.

Por, pavarësisht kritikave që kryeministri Haradinaj po merr nga shoqëria civile për emërimin e një numri të madh të zëvendësministrave, ai përkundrazi nuk ka të ndalur.

Ai gjatë kësaj jave ka shtuar edhe dy zëvendësministra, Fehmi Mujota është zëvendësministri i tretë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Naim Qelaj që u bë zëvendësministri i pestë në Ministrinë e Diasporës.

Në anën tjetër Halil Matoshi, këshilltar për medie në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, thotë se nuk ka ndonjë llogari sa është kostoja financiare e këtyre zëvendësministrave, por koalicioni i gjerë qeverisës ka sjellë një situatë të tillë.

“Secila ministri e arsyeton apo e justifikon këtë numër duke përshkruar punët ose veprimet të cilat do t’i bëjnë këta zëvendësministra. Dhe ju e dini se kemi të bëjmë me një koalicion të madh, me 22 subjekte dhe grupe politike, prandaj është gjendja kjo që është”, tha Matoshi për “Radion Evropa e Lirë”.

Kurteshi: Po “rehatohen” njerëzit e tyre

Ismajl Kurteshi, deputet nga radhët e “Vetëvendosjes”, në një përgjigje dhënë “Zërit” ka thënë se një numër kaq i madh i zëvendësministrave bëhet për shkak të përmbushjes së nevojave të partnerëve të koalicionit.

“Nuk është hera e parë që ‘Vetëvendosja’ deklarohet lidhur me numrin enorm edhe të ministrive, por sidomos të zëvendësministrave. Për ne një gjë e tillë është e pakuptimtë dhe nuk është normale, jo për një vend të vogël siç është Kosova, por edhe për çfarëdo vendi. Kjo nuk po bëhet për shkak të nevojave të Kosovës, por po bëhet për shkak të obligimeve që kanë partnerët e koalicionit për t’i rehatuar njerëzit e vet dhe edhe kjo është një formë e keqpërdorimit, publikisht të buxhetit të Kosovës”.

Haziri: Qeveria me “101 zëvendësministra”

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, gjatë seancës së ditës së djeshme ka thënë se qeveria “Haradinaj” do të mbahet mend vetëm për një gjë - për numrin e madh të zëvendësministrave të emëruar. “Rritja enorme e numrit të zëvendësministrave, nëse për asgjë tjetër, qeveria ‘Haradinaj’ do të mbahet mend për numrin e madh të tyre”, theksoi Bajrami.

Njësoj deklaroi edhe bashkëpartiaku i saj Lutfi Haziri në një prononcim për “Zërin”, ku ka thënë se “arritja më e madhe e kësaj Qeverie do të jetë, Qeveria me 101 zëvendësministra”, duke e quajtur këtë qeverisje si qeveri e shpenzimeve enorme me një staf të mbingarkuar.

 Ndërsa Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike të vendit, pajtohet me faktin se ky numër kaq i madh nuk mund të prodhojë efikasitetin e duhur, si dhe ai është i mendimit se do të duhej që Qeveria të përbëhej nga më pak njerëz, por të zgjedhur.

“Është një qeverisje me shumë parti, një situatë specifike dhe Qeverinë e kemi me shumë ministri e me shumë staf administrativ. E kjo qeverisje është vazhdim i një tradite që po vazhdon sepse vazhdimisht kemi ministri, 21 kësaj radhe, edhe zëvendësministra, edhe këshilltarë, edhe të tjerë zyrtarë të cilët ngarkojnë jo vetëm buxhetin, por edhe mundësitë dhe kushtet e punës sepse nuk kanë zyrë për t’i vendosur”, ka thënë Baraliu.

Sipas tij, kjo qeverisje është një qeverisje glomaze dhe nuk mund ta ketë efikasitetin e duhur.

Dhe vijon ai duke thënë se do të duhej të ishin më pak njerëz, por njerëz të zgjedhur dhe jo në baza partiake apo në baza të militantizmit partiak.

Demhasaj: Këto pozita buxhetit i kushtojnë 3 milionë euro

Arton Demhasaj, nga organizata për demokraci, antikorrupsion dhe dinjitet “Çohu”, thotë se këto pozita qeveritare i kushtojnë buxhetit deri në tre milionë euro në vit.

Ai vlerëson se një numër kaq i madh i zëvendësministrave dhe i pozitave politike nuk është caktuar për të kryer punë të domosdoshme në Qeveri, por për të përmbushur egot e partive politike për pozita të larta qeveritare.

“Në rast se janë mbi 60 zëvendësministra, me nga 1000 euro pagë minimumi dhe secili prej tyre ka të drejtë të ketë dy asistentë, përafërsisht të dytë me pagë rreth 1000 euro, pra që në start vetëm pagat fillestare në muaj janë 120 mijë euro. Të mos flasim për shërbime tjera, siç janë shpenzimet e telefonit, mëditjet për udhëtime jashtë shtetit, derivatet e naftës e të tjera. Atëherë mund të them se vetëm zëvendësministrat dhe stafi ndihmës i tyre mund të kalojë shifrën prej tre milionë eurosh për një vit”, thotë Demhasaj.

Image

Image