Gjykata Speciale në proces të akreditimit të avokatëve

Aktuale December 04, 2017 - 08:04

Përfaqësues të Gjykatës Speciale kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se janë të gatshëm t’i pranojnë aktakuzat e para për ish-eprorët e lartë të UÇK-së. Ata më tutje kanë njoftuar se aktualisht është duke vazhduar akreditimi i avokatëve, të cilët do t’i mbrojnë personat e akuzuar për “Krime lufte”

Gjykata Speciale është gati t’i pranojë aktakuzat e para për ish-eprorët e lartë të UÇK-së qysh nga 5 korriku i këtij viti.

Zyrtarë të Dhomave të Specializuara kanë bërë të ditur për gazetën Zëri se aktualisht është duke vazhduar akreditimi i avokatëve.

Mirëpo, siç kanë njoftuar ata një gjë e tillë nuk e pengon aspak këtë proces që të nisë ngritja e aktakuzave.

Zyrtarë të Speciales po ashtu kanë njoftuar se janë duke punuar drejt miratimit të dokumenteve ligjore dhe të dokumenteve tjera të brendshme.

LEXO EDHE: Sot prezantohet raporti i Komisionit për Demarkacion

Ndërkohë, para pak ditësh për herë të parë në Kosovë ishte edhe vetë kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Përfaqësues nga Njësia për Informim dhe Komunikim me Publikun thonë se deri më tani kanë marrë një numër kërkesash nga avokatët për t’u akredituar.

“Momentalisht nuk mund të japim informacion konkret për arsye se procesi i përzgjedhjes është në vijim e sipër, mirëpo lista e mbrojtësve do të dalë në faqen tonë në internet në një fazë të mëvonshme”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre dhënë gazetës "Zëri".

Gjithashtu thanë se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të gatshme për procedura gjyqësore pasi kanë kryer të gjitha hapat e nevojshëm.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po punojnë drejt miratimit të një numri dokumentesh ligjore dhe dokumentesh të brendshme për procedura efikase”, vazhdoi tutje përgjigjja e tyre.  

Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave janë të zëna me kërkesat e avokatëve për pranim në listën e mbrojtësve të specializuar dhe në listën e mbrojtësve të viktimave.

“Edhe para finalizimit të këtyre listave nuk ka ndonjë pengesë për fillimin e procedurave gjyqësore, meqenëse mund të mundësohen mbrojtës kujdestarë. Gjithashtu, veprimtaria informuese dhe ndërgjegjësuese e Dhomave të Specializuara është shtuar me qëllim përmirësimin e komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun në Kosovë dhe në rajon”, përfundon përgjigjja e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun dhënë për gazetën “Zëri”.

Koci: Ngritja e aktakuzave po vonon për shkak se është çështje e ndjeshme

Avokati Arianit Koci nuk e sheh si hezitim vonesën për ngritjen e aktakuzave pasi janë çështjet të ndjeshme dhe duhet të trajtohen seriozisht.

“Një e mirë është se këto Dhoma, edhe pse janë formalisht në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës, janë tërësisht të pavarura prej Kosovës - në kuptimin e plotë të fjalës. Çështjet penale që do të trajtohen janë të natyrës komplekse dhe duhet kohë që të trajtohen seriozisht”, tha Koci.

Gjithashtu Koci tha se nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë neglizhencë në baza individuale.

“Në këtë sistem kompleks të drejtësisë dhe kjo e vonon procesin e fillimit të punës së Gjykatës. Sidoqoftë, besoj në drejtësinë ndërkombëtare, edhe pse fillimisht kam qenë kundër një gjykate që i gjykon vetëm palët e një etnie të caktuar”, përfundoi Koci.

Baraliu: Vonesa e ngritjes së aktakuzave tregon mosseriozitet

E njohësi i çështjeve juridike Mazllum Baraliu thotë se krijimi i kësaj Gjykate dhe mënyra se si është krijuar është e padrejtë.

“Edhe pse është bërë presion i pashembullt në institucionet e vendit sidomos në Kuvend dhe në Qeveri për ta miratuar, këta tanët që padrejtësisht dhe me një ndërgjegjësim ata tash ende nuk janë gati, që do të thotë  demokracia evropiane e Bashkimit Evropian doli të jetë thjesht e padenjë për ndërmarrje të tilla siç është edhe kjo iniciativë ndaj raportit të Dick Martyt lidhur me këtë çështje”, tha Baraliu.

Sipas tij, ata janë në vonesë dhe kjo është përgjegjësi e tyre.

“Nuk është vonesë e institucioneve tona, por kanë dëshmuar edhe një herë që nuk janë seriozë, siç nuk ishin seriozë as me EULEX-in, as me UNMIK-un…”, ka përfunduar ai.

Ish-gjyqtari i Tribunalit të Hagës, Wolfgang Schomburg, krijimin e Gjykatës Speciale e ka cilësuar si diskriminim për Kosovën.

“Unë e konsideroj këtë në njëfarë mënyre si diskriminim të Kosovës. Është e vetëkuptueshme që në rajone të veçanta edhe mund të ngrihen pretendime për raste të caktuara duke kërkuar që të zbardhen ato në nivelin lokal, pasi nuk kanë mund të përmbyllen në një gjykatë ndërkombëtare. Por në rastin e Kosovës unë nuk i kuptoj arsyet dhe kjo më duket si diskriminuese”, përfundoi deklaratën e tij dhënë për “Deutche Welle”.