Sot prezantohet raporti i Komisionit për Demarkacion

Aktuale December 04, 2017 - 07:53

Komisioni i Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi, sot do t’ia dërgojë Qeverisë raportin final për të gjeturat rreth çështjes së demarkacionit.

Kështu kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” zyrtarë të Qeverisë dhe anëtarë të këtij Komisioni. Sipas tyre ky raport do të jetë final, i saktë dhe i argumentueshëm.

Anëtarë të këtij Komisioni për Zërinkanë thënë se këto të gjetura do të jenë bazë se si të veprojë më tutje Qeveria me çështjen e demarkacionit. 

LEXO EDHE: Rruga e keqpërdorimeve

Florim Isufi, anëtar i Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, i emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë për “Zërin” se sot në mëngjes do t’i dërgojë të gjeturat për demarkacion te Qeveria dhe kjo më pastaj do të bëjë prezantimin e këtij raporti.

“Qeveria ka caktuar nesër që ta bëjë prezantimin. Çdo gjë do të shihet nesër, paraprakisht nuk mund të them asgjë vetëm se është një mendim i Komisionit që të dhënat nesër në mëngjes t’ia dorëzojë Qeverisë pastaj ajo do t’i bëjë publike”, ka thënë Isufi.

Ai nuk ka dashur të zbulojë asgjë nga të gjeturat duke ia lënë Qeverisë, por tha se Komisioni ka punuar mbi këtë raport që në të ardhmen të jetë bazë se si të veprohet me këtë çështje.

“Nuk e kemi mbajtur punën tonë sekret dhe kemi qenë të hapur ndaj medieve gjatë gjithë kohës dhe besoj që edhe Qeveria do të jetë e hapur. Jona ishte të ofrojmë këtë raport dhe i cili do të jetë material për politikën në të ardhmen se si të veprohet”, ka përfunduar Isufi.

Ndërkaq zëdhënësi i Qeverisë Arbër Vllahiu, i kontaktuar nga “Zëri”, ka treguar se sot Qeveria do të bëjë prezantimin e këtij raporti, mirëpo nuk ka pranuar të komentojë më shumë rreth të kësaj çështjeje.

“Nesër do të prezantohet raporti. Do të njoftoheni për të gjatë ditës së nesërme”, ka thënë shkurt Vllahiu.

Ndërkohë kujtojmë që Komisioni i Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi, më herët ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, me ç’rast ka prezantuar të gjeturat e deritanishme të këtij Komisioni lidhur me çështjen e kufirit.

Të gjeturat nga ky Komision dolën se komisioni i kaluar (i drejtuar nga Murat Meha) ka zhvendosur kufirin mes Kosovës e Malit të Zi duke bërë kështu që Republika e Kosovës të humbë territor.

Gjatë këtij raportimi Komisioni ishte zotuar se shumë shpejt do të dalë me një raport final të saktë dhe të argumentueshëm e të cilin Qeveria e Kosovës do ta prezantojë sot.