Ekonomia

Rruga e keqpërdorimeve

Rruga e keqpërdorimeve
04 dhjetor 2017 • 07 : 45 Foto: Driton Bublaku
Enis Veliu

Në emër të mospunës efektive, amortizimit të mjeteve të punës, si dhe për shlyerjen e obligimeve që kanë ndaj bankave konsorciumi “Bechtel & Enka” përpos mjeteve të parapara me kontratë për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit nga Qeveria ka kërkuar edhe 63 milionë euro shtesë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Qeveria e Kosovës pritet t’ia paguajë konsorciumit “Bechtel & Enka” edhe 63 milionë euro shtesë përpos atyre të parapara me kontratë për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, për shkak të neglizhencës në marrje të vendimeve të Qeverisë së kaluar.

Para pak ditësh përmes një shkrese zyrtare konsorciumi në fjalë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’ua paguajë këtë shumë të mjeteve në emër të mospunës efektive pa fajin e tyre, në emër të amortizimit të mjeteve të punës, si dhe për shlyerjen e obligimeve që kanë ndaj bankave, shkruan tutje "Zëri".

Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, thotë se para pak ditësh nga konsorciumi “Bechtel & Enka” ka marrë një kërkesë për pagesën e 63 milionë eurove shtesë për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit për shkak të neglizhencës dhe mosvendimmarrjes së ish-ministrit të Infrastrukturës.

“Ajo që vlen të theksohet është se disa herë kanë komunikuar, janë ulur në tavolinë, mirëpo asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë vendim për riprogramim të vijave buxhetore për t’i shlyer obligimet ndaj kësaj kompanie. Kështu që në shkresën që ma kanë dërguar mua në emër të mospunës efektive, të precizuar me kontratë, për amortizim, për shlyerjen  e obligimeve bankare, për kreditë që i kanë marrë, ata kanë kërkuar nga ne që t’ua paguajmë këtë shumë të mjeteve prej 63 milionë eurove”, ka thënë Lekaj për gazetën Zëri”.

Lekaj: Kjo ka ardhur si pasojë e neglizhencës

Lekaj më tutje thotë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë një zgjedhje në këtë drejtim.

Ai thotë se ka kërkuar nga përfaqësuesit e kësaj kompanie që të ulen në diskutim për të gjetur një zgjidhje. Sipas tij, për çka do që është e paraparë me kontratë Qeveria e Kosovës do t’u përgjigjet atyre.

“Nëse ka diçka shtesë ne së bashku me ministrin e Financave, si dhe me përfaqësuesit e konsorciumit në fjalë do të diskutojmë së bashku se a kanë të drejtë ata që po e kërkojnë këtë shumë të mjeteve. Por, ne jemi të bindur se gjithë kjo ka ardhur si pasojë e neglizhencës së Qeverisë së kaluar”, ka thënë ministri Lekaj.

Ministri më tutje thotë se për çështjen në fjalë nuk ka informuar kryeministrin Haradinaj, pasi po pret t’i takojë në zyrë direkt përfaqësuesit e konsorciumit në fjalë 

Po ashtu edhe Ela Ruçi, zëdhënëse në konsorciumin “Bechtel & Enka”, thotë se konsorciumi në fjalë e ka informuar Ministrinë e Infrastrukturës mbi koston për vonesat dhe për ndryshimet në planifikimin e ekzekutimin e projektit në 2.5 vjetët e kaluara, e cila është rreth 63 milionë euro.

“Ne do të punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës si gjithnjë për ta arritur një marrëveshje”, ka thënë Ruçi për gazetën “Zëri”.

Për një javë rresh gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë edhe me ish-ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku, por kontakti më të ka qenë i pamundur. Gazeta po ashtu i ka dërguar Zharkut edhe mesazhe telefonike në numrin e tij mobil të telefonit, por ai nuk është përgjigjur fare.

Rukiqi: Të ketë llogaridhënie

Berat Rukiqi, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë se

janë disa anomali që na i shpërfaq ky problem. Sipas tij, edhe 17 vjet pas lufte dhe 10 vjet shtet nuk kemi arritur të ndërtojmë një sistem efikas për menaxhimin e projekteve publike.

“Nëse kjo autostradë është projekti kryesor publik është e pafalshme që të mos ketë financim të qëndrueshëm. Ende pa përfunduar ky projekt ne flasim për projekte tjera të ngjashme pa fizibilitet dhe pa një vlerësim të saktë financiar. Në këtë rast nuk mund të flas se a ka elemente penale apo jo, duke mos e pasur të qartë rastin dhe kronologjinë e tij, por ajo që është shumë e qartë është se duhet të ketë llogaridhënie në bazë të përgjegjësisë institucionale, në të kundërtën ndëshkimet nuk do të na ndalen në çdo projekt publik, pa marrë parasysh vlerën”, ka thënë Rukiqi për gazetën “Zëri”.

Demhasaj: Prokuroria t’i nisë hetimet

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, thotë se Prokuroria duhet t’i nisë menjëherë hetimet për të zbardhur këtë aferë, e cila po e dëmton rëndë buxhetin e shtetit për hiç më pak se 63 milionë euro.

“Prokuroria duhet ta hetojë këtë çështje pasi për një nënshkrim të dikujt që nuk e ka dhënë me kohë buxheti i shtetit po dëmtohet për 63 milionë euro. Kjo është shumë e dyshimtë. Prokuroria duhet  t’i marrë të gjitha dokumentet që kanë qenë pjesë e këtij tenderi dhe të zbardhë këtë aferë, ndoshta edhe korruptive”, ka thënë Demhasaj për gazetën “Zëri”.

Ai më tutje thotë se kontratat e Qeverisë me konsorciumin “Bechtel & Enka” gjithmonë kanë qenë të papublikuara, kështu që opinioni asnjëherë nuk e ka ditur se çfarë terma të referencës ka në këto kontrata.

“Për vetë faktin se kontratat nuk janë publike krijon mundësinë që Qeveria së bashku me ‘Bechtel & Enkën’ të bëjnë pazare të tilla, edhe të rrisin çmime ose të japin shuma tjera përpos asaj që është e paraparë me kontratë, sikur është tash rasti i 63 milionë eurove. Kur nuk e dimë se si ka qenë e paraparë me kontratë, atëherë mund të ketë dyshime të ndonjë afere të mundshme korruptive, pasi bëhet fjalë për një shumë të madhe parash”, ka thënë ai.

Sipas tij, në këtë rast zyrtarët të cilët kanë nënshkruar kontratën në fjalë janë treguar shumë të papërgjegjshëm që kanë lejuar të ketë penallti të tilla, pasi që buxheti i shtetit në këtë rast është dëmtuar rëndë.

“Me sa unë e di edhe gjatë ndërtimit të autostradës Prishtinë - Morinë ka pasur penallti të tilla. Nëse një ditë është vonuar kompania pa fajin e tyre penalltia ditore ka qenë 40 mijë euro”, ka thënë Demhasaj.

 

© zëri.info