Specialja tremb PDK-në

Aktuale November 25, 2017 - 07:58

Deklarata e kryetares së Gjykatës Speciale të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, se aktakuzat e para për krime lufte do të ngrihen së shpejti, ka trembur deputetët e Partisë Demokratike (PDK) në Kuvendin e Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Të enjten gjatë seancën se parë të mbajtur pas një pauze të gjatë për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte akuzuar misionin ndërkombëtar të sundimit të ligjit, EULEX, për qasje diskriminuese dhe paragjykuese nga zyrtarët e EULEX-it ndaj ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë gjykuar në procese të ndryshme nga prokurorët dhe nga gjyqtarët e këtij misioni.

Pas fjalimit të tij deputetët e kësaj partie kishin lëshuar sallën, ku dhe ka dështuar seanca për të vazhduar të premten (dje). Mirëpo ajo sërish ka dështuar, ku pas arrestimit të tre deputetëve të lëvizjes “Vetëvendosje” një pjesë e madhe e deputetëve nuk kanë qenë në sallë, ku edhe seanca ka dështuar sërish.

Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile thonë se akuzuat e fundit të PDK-së ndaj EULEX-it po vijnë nga frika që deputetët e kësaj partie po kanë nga Gjykata Speciale.

Rexhep Selimi, deputet i lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë për gazetën “Zëri” se një veprim i tillë i PDK-së, duke e lëshuar sallën në shenjë proteste ndaj EULEX-it, është i pakuptimtë dhe është “hipokrizi e pastër”.

“Ajo çfarë ndodhi dje, kur PDK-ja lëshoi sallën e Kuvendit si reagim ndaj EULEX-it, ishte e pakuptimtë, kurse në anën tjetër ishte edhe hipokrizi, sepse ta lëshosh sallën si deputet i cili ka votuar Gjykatën Speciale kundër UÇK-së për mua është puro hipokrizi, ta lëshojë sallën partia e cila e ka vazhduar misionin e EULEX-it po ashtu është hipokrizi, pra nuk është çështje parimore”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, nëse PDK-ja dëshiron ta kundërshtojë EULEX-in, një gjë të tillë duhet ta bëjë në Parlament e jo jashtë tij...

Abdyli: Gjykata Speciale ka tensionuar situatën 

Haxhi Abdyli, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e  Kosovës, ka thënë se pikërisht ky tension i krijuar po i konvenon partisë në pozitë, PDK-së dhe si arsye e kësaj mund të jetë edhe Gjykata Speciale, porse qëllim kryesor i tyre është që para ndërkombëtarëve të paraqiten si zgjidhës të krizave.

“Tensionimi i situatës po i konvenon PDK-së, arsyeja mund të jetë edhe Gjykata Speciale dhe bllokada tani e Kuvendit që nga ata ka filluar, sepse tensionimi i situatës u konvenon atyre në mënyrë që pastaj të dalin edhe krijues të krizave, por edhe zgjidhës të krizave, edhe të paraqiten para ndërkombëtarëve si njerëz të cilët e stabilizojnë situatën në Kosovë, arsyet ata i dinë, por këto bllokada të Kuvendit, si ajo e djeshmja dhe ajo e sotmja nga ana e tyre meqenëse e kanë shumicën, por kjo gjë është një sinjal i keq për Kosovën”, ka thënë deputeti Abdyli. Sipas tij, agjenda politike e Kosovës është shndërruar në agjendë personale dhe grupore dhe kjo gjë duhet të ndërpritet sa më shpejt. 

Mushkolaj: PDK-ja po bëhet agresive 

Analisti Imer Mushkolaj thotë se veprimet e PDK-së do të bëhen edhe më agresive kundrejt EULEX-it me afrimin e Gjykatës Speciale. “Sa më shumë afrohet publikimi i aktakuzave nga kjo gjykatë, veprimet dhe qasja e PDK-së do të bëhen më agresive, sepse në shënjestër pritet të jenë zyrtarë të lartë të saj. PDK-ja reagon ndaj EULEX-it vetëm kur nuk i konvenon e kjo është qasje selektive, është reagim emocional që pak kush e beson”, ka thënë Mushkolaj. 

Në anën tjetër Arben Rugova, analist, konsideron se një veprim i tillë i PDK-së ndaj EULEX-it nuk është luftë partiake, por më shumë është mesazh i Prishtinës për Brukselin që ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës. Por sipas Rugovës, pavarësisht qëllimit të këtij “rebelimi”, siç e quan këtë veprim si të panevojshëm, “Nuk e besoj që është luftë partiake ndaj EULEX-it.

Po ashtu nuk besoj se bojkotimi i seancës së Kuvendit të Kosovës ka të bëjë me afrimin e ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale për disa ish-pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ky bojkotim më ngjan si një mesazh i Prishtinës zyrtare për Brukselin zyrtar, që ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe ta ndalojë përdorimin e raporteve të dyfishta përballë zhvillimeve në Ballkan, në veçanti në dialogun Kosovë - Serbi”, ka thënë Rugova.