Përplasje mes 'Vetëvendosjes' dhe PDK-së

Aktuale November 01, 2017 - 21:59

Lëvizja Vetëvendosje i ka kërkuar sot Partisë Demokratike të Kosovës që t’ua lirojë zyrat e Grupeve Parlamentare.

Shefi i GP të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se pasi VV është GP më i madh i Parlamentit, Kryesia dhe Kuvendi nuk po ndajnë hapësirën që u takon. Ai madje ka kërkuar që të respektohen praktikat e mëhershme.

E lidhur me këtë çështje, Indeksonline ka kontaktuar shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin i cili ka thënë se pret që shumë shpejtë administrata të kryerje punën e vet.

Gjithashtu Sipas Krasniqit, zyrat nuk i ka askush me tapi dhe se askush s’mund të përcaktojë se cila zyrë e kujt është.

“Kjo nuk është çështje për të cilën vendosin vetë Grupet Parlamentare. Sipas Rregullores së Punës, është administrata e Kuvendit ajo që e ka për detyrë të sigurojë hapësira për punë për secilin grup parlamentar, ndërsa vendimet për këtë i merr Kryesia e Kuvendit. Zyrat nuk i ka askush me tapi dhe askush s’mund ta përcaktojë se cila zyrë e kujt është”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij është e rëndësishme që secili Grup Parlamentar të ketë hapësirë të mjaftueshme për punë.

“E rëndësishme është që secili Grup Parlamentar të ketë hapësirë të mjaftueshme për punë, sipas nevojës që ka dhe në pajtim me numrin e deputetëve. Për këtë besoj se administrata do ta kryej punën e vetë shumë shpejtë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë Indeksonline ka provuar të kontaktojë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqin për të marr qëndrimin e tij, por ky i fundit nuk është deklaruar.

Ndërsa Vetëvendosje këtë çështje thuhet ta ketë ngritur edhe në Kryesi, por që sipas Konjufcës, sekretaria e Kuvendit u ka thënë që praktika e deritanishme ka qenë që grupi më i madh parlamentar dhe grupi i dytë të merren vesh, por që sipas tij është pikërisht nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, ai i cili ka refuzuar.

Duhet përkujtuar që Vetëvendosje është grupi më i madh opozitar në  Kuvendin e Kosovës, që tani ka edhe shumicën e Komisioneve Parlamentare.