Haga kritikon Serbinë për Lazareviqin

Aktuale November 01, 2017 - 13:45

Gjykata e Hagës ka kritikuar Serbinë lidhur me mosekstradimin e dy radikalëve si dhe angazhimin e gjeneralit të pensionuar Vladimir Lazareviq në Akademinë Ushtarake në Serbi.

Këto shqetësime të Gjykatës  Ndërkombëtare për krime në ish- Jugosllavi,  kryetari  i saj, Carmel Agius ia përcolli presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë një takimi që pati me të në Beograd.

Nga ana e tij, kreu i shtetit serb  ia ka shfaqur shqetësimet mysafirit  në lidhje me trajtimin dhe shëndetin e të akuzuarve të Hagës.

Lazareviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vjet burgim, për përgjegjësi komanduese për krime të luftës në Kosovë, pritet të jetë ligjërues në Akademinë Ushtarake në Serbi.

Lajmin se gjenerali i pensionuar serb mund të angazhohet në akademinë ushtarake e kishte bërë të ditur ministri i Mbrojtjes së këtij vendi, Aleksandar Vulin, i cili kishte thënë se gjeneralët, sikurse Lazareviqi, kanë shumëçka të rëndësishme që t’ua bartin kolegëve të rinj.

Përveç Lazareviqit, i cili ka qenë komandat i Korpusit të Prishtinës dhe Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, në mesin e ligjëruesve, sipas paralajmërimeve të Vulin, do të mund të jenë edhe gjenerali i pensionuar, deputeti dhe anëtari i Partisë Radikale Serbe, Bozhidar Deliq, si dhe shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Lubisha Dikoviq.