Plani i opozitës për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale October 31, 2017 - 08:09

LDK-ja po e pret momentin më të volitshëm për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të mosbesimit, njëjtë siç u rrëzua muaj më parë ekzekutivi që udhëhiqej nga Isa Mustafa. Lëvizja “Vetëvendosje” është e gatshme ta shqyrtojë një iniciativë të tillë derisa deputetët e koalicionit qeverisës thonë se kjo është vetëm një lojë para balotazhit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po synojnë që ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të mosbesimit, njëjtë siç u rrëzua muaj më parë ekzekutivi që udhëhiqej nga kryetari i partisë së tyre, Isa Mustafa.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ditë më parë ka deklaruar për medie se mocioni i votëbesimit ndaj Qeverisë do të ndodhë shumë shpejt, madje ai ka bërë të ditur se një iniciativë e tillë është çështje ditësh.

LEXO EDHE: ‘Izolohen’ Haradinaj dhe Veseli

Ndërsa deputetja e këtij subjekti politik (LDK) Besa Gaxherri, është shprehur për gazetën Zërise kjo Qeveri nuk do të ketë jetë të gjatë, duke marrë parasysh numrin prej 61 votave në Kuvend.

Megjithatë, ajo thotë se para se të vijë në rend dite mocioni, po bëhen disa analiza që të shikohet momenti më i përshtatshëm për rrëzimin e Qeverisë.

LEXO EDHE: KQZ-ja, e ngathët me rezultatet

“Ne jemi aty, sigurisht që do t’i vijë radha edhe mocionit, por para se të bëhet mocioni bëhen disa analiza, disa biseda. Kështu që, deri ta shohim momentin se cili është më i volitshmi dhe në atë moment që ne i kemi numrat për ta bërë, do ta bëjmë. Aty jemi sa më shpejt që këtë Qeveri ta rrëzojmë”, ka thënë ajo.

Selmanaj: Mocioni, lojë e LDK-së para balotazhit  

Në anën tjetër deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, idenë e Lutfi Hazirit për ngritjen e mocionit të mosbesimit e konsideron si joserioze dhe lojë para balotazhit.

Sipas tij, sikur LDK-ja t’i kishte numrat nuk do ta lejonte as formimin e qeverisë “Haradinaj”.

“Unë mendoj që këto deklaratat e z. Hazirit janë lojëra para balotazhit dhe s’kanë të bëjnë absolutisht me diçka serioze sepse vetë LDK-ja po t’i kishte pasur numrat do ta ndalonte formimin e Qeverisë. Pra, s’ka asgjë serioze këtu”, ka thënë ai.

Selmanaj ka shtuar se Qeveria është stabile dhe se nuk i frikësohen mocionit, pasi opozita s’mund t’i bindë deputetët e pozitës për përkrahje.

“Edhe nëse kërkojnë mocion për rrëzimin e Qeverisë ne i kemi numrat dhe Qeveria vazhdon të jetë stabile. Nuk mendoj që opozita mund ta bindë ndonjë deputet të pozitës për ta përkrahur mocionin, vetëm mund të jetë një lojë për efekte mediale”, përfundoi Selmanaj.  

Pantina: Sa më jetëshkurtër kjo Qeveri, aq më mirë për qytetarët

Ndërkaq Shqipe Pantina, deputete e lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Kosovës, tha se nëse LDK-ja vendos të ngrejë mocion mosbesimi partia më e madhe opozitare do ta shqyrtojë një iniciativë të tillë, duke shtuar se Qeveria duhet të ndërrohet sa më shpejt. 

“Nëse ka një mocion të tillë që ngrihet nga ana e LDK-së ne do ta shqyrtojmë në ‘Vetëvendosje’ dhe mendimi ynë zakonisht varet nga përmbajtja e mocionit. Megjithatë, unë mendoj se kjo Qeveri sa më të shkurtër që do ta ketë jetën, aq më mirë do të jetë për qytetarët e vendit duke pasur parasysh në veçanti faktin se ajo varet nga disponimi i Listës Serbe”, ka thënë ajo, duke shtuar se Qeveria është e brishtë dhe në dëm të interesave të Kosovës.

“Shumica qeveritare është një shumicë e brishtë, e cila nuk garanton funksionim të mirëfilltë pa qenë e varur dhe pa i plotësuar apetitet e Listës Serbe, të cilat dëshmuan në të kaluarën që janë kryesisht në dëm të Kosovës”, tha Pantina.  

Pavarësisht deklaratave të deputetëve, gazetari Agron Halitaj konsideron se tani nuk është momenti i duhur për ngritjen e mocionit të mosbesimit.

Ai thotë se gjasat që LDK-ja të marrë mbështetjen e 61 deputetëve janë të pakta tani për tani dhe sipas tij duhet pritur kur pozita përçahet rreth temave të mëdha, përçarje kjo që sipas Halitajt nuk është larg.

“Opozita, në rastin konkret LDK-ja, duhet ta analizojë mirë kohën dhe rrethanat se kur një mocion i tillë do të mbështetej potencialisht prej 61 deputetëve, aq sa nevojiten për ta rrëzuar ekzekutivin. Tash për tash gjasat se mund ta marrë këtë mbështetje nuk ekzistojnë. Gjërat mund të ndryshojnë atëherë kur partnerët e koalicionit qeverisës do të nisin të thyhen mes vete rreth temave të mëdha, ditë kjo që nuk pritet të jetë edhe aq e largët. Për shkak të ndjeshmërisë së temave, përballjes me presionin e jashtëm dhe pamundësisë për t’i çuar përpara proceset partnerët qeverisës do të jenë të interesuar ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme më shumë sesa do të jetë opozita”, ka thënë ai.

Më tutje Halitaj ka shtuar se në këtë kohë zgjedhjet e parakohshme nuk janë aspak të përshtatshme.

“Në secilin variant zgjedhjet e parakohshme nuk është mirë të mbahen në kohë dimri, pasi përvoja nga e kaluara ka dëshmuar se ‘vjedhja industriale’ e votave është shumë e lehtë natën dhe në mot të ligë”, përfundoi ai.