‘Izolohen’ Haradinaj dhe Veseli

Aktuale October 31, 2017 - 07:49

Gjatë dy muajve prejse janë formuar institucionet qendrore kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli e kanë realizuar vetëm nga një vizitë jashtë shtetit. I pari e ka vizituar Shqipërinë, kurse i dyti Hungarinë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse janë bërë gati dy muaj prejse janë konstituuar institucionet e Kosovës liderët shtetërorë nuk kanë zhvilluar shumë takime jashtë shtetit të Kosovës.

Përkundrazi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli prejse e kanë marrë detyrën pas zgjedhjeve të 11 qershorit kanë pasur vetëm nga një takim jashtë vendit.

Përderisa Haradinaj ishte në Shqipëri pak pas zgjedhjes së tij, Veseli para pak ditës realizoi një vizitë në Hungari, shkruan tutje "Zëri".

E përderisa zyrtarë nga kabineti qeveritar thonë se kryeministri është përqendruar në temat e brendshme që janë lënë pas dore, nga Zyra për Informim e kryeparlamentarit thonë se pas vizitës së fundit Veseli ka edhe disa ftesa të tjera që ka pranuar, të cilat do të realizohen së shpejti.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se dy prej arsyeve pse ka qenë i pakët numri i vizitave të këtyre dy figurave përgjatë mandatit të fundit ka të bëjë me konsolidimin e institucioneve dhe zgjedhjet lokale.

Nga ana tjetër, ndonëse presidenti Hashim Thaçi ka bërë disa vizita jashtë vendit përgjatë dy muajve të fundit, opozita ka konsideruar se ai nuk ka kurrfarë autoriteti jashtë Kosovës.

Vllahiu: Kryeministri është përqendruar në temat e brendshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar vetëm një vizitë jashtë shtetit prejse është zgjedhur kryeministër i vendit (9 shtator).

Më 27 shtator ai takoi në Shqipëri homologun e tij, Edi Rama, si dhe disa figura të tjera të skenës politike.

Ndërkaq shefi i ekzekutivit u ftua që të marrë pjesë edhe në Samitin e 100-të në Shkup (16 tetor), mirëpo për shkak të agjendës në Kosovë, siç u tha më tej, ai nuk mundi të marrë pjesë.

Ndërkaq zëdhënësi i Qeverisë, Arbër Vllahiu, duke folur rreth vizitave të Haradinajt, ka thënë se kryeministri është përqendruar më shumë në temat e brendshme të shtetit të Kosovës.

“Kryeministri Haradinaj është përqendruar në temat e brendshme në Kosovë, që janë lënë pas dore dhe të pazgjidhura për vite me radhë. Çështjet që kanë të bëjnë me qytetarin e Kosovës, me mirëqenien e tij dhe përshpejtimi i përmbushjes së agjendës së reformave evropiane, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të zhvillimit ekonomik, janë të rëndësisë së veçantë”, ka deklaruar ai për “Zërin”, duke shtuar se kryeministri do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në çdo vend ku është e nevojshme.

“Veseli në mandatin e kaluar e takoi presidentin Trump”

Ndërkaq edhe kryeparlamentari Kadri Veseli ka pasur vetëm një vizitë jashtë shtetit të Kosovës prejse është rizgjedhur kryetar i Kuvendit (më 7 shtator të këtij viti).

Vizitën e parë dhe të vetme ai e ka zhvilluar javën që lamë pas, në Budapest.

Me këtë rast Zyra për Informim nga kabineti i kryetarit të Kuvendit ka bërë të ditur se pas vizitës në Hungari kryeparlamentari së shpejti do të zhvillojë edhe vizita të tjera.

“Në vazhdimësi kryeparlamentari Kadri Veseli merr ftesa për vizita të ndryshme jashtë vendit si nga homologët e tij në shtetet e rajonit, po ashtu edhe në vendet jashtë rajonit. Pas vizitës së fundit në Hungari, javën e kaluar, kryeparlamentari Veseli ka edhe disa ftesa që tashmë i janë dërguar nga disa shtete pas marrjes së detyrës zyrtare në mandatin e dytë dhe në javët e muajt e ardhshëm do të realizohen”, theksohet në këtë përgjigje.

Në përgjigje më tutje thuhet se kryetari i Kuvendit (gjatë mandatit të kaluar) ka pasur vizita të shumta në rajon, në Evropë dhe në SHBA.

Zyra për Informim po ashtu ka theksuar se kryeparlamentari gjatë këtij viti (në legjislaturën e kaluar) është takuar edhe me presidentin amerikan Donald Trump.

Gaxherri: Krerët shtetërorë, të papërgatitur plotësisht

Ndërkohë, presidenti i Kosovës gjatë dy muajve të fundit (shtator, tetor) ka zhvilluar disa takime edhe jashtë rajonit.

Gjatë muajit shtator Thaçi, ndër të tjera, pati një vizitë pesëditëshe në Nju Jork, me ç’rast takoi disa liderë botërorë.

Më tej Thaçi pati edhe një vizitë në Vatikan, ndërkohë krejt në fund të muajit ai ishte edhe në Uashington, ku takoi zëvendëspresidentin amerikan Michael Pence. Ndërkaq, këtë muaj presidenti pati vetëm një vizitë jashtë vendit (në Uashington).

Megjithatë deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka konsideruar se presidenti nuk ka asnjë autoritet jashtë vendit.

Ndërkohë, duke folur për kryeministrin, ajo ka thënë se ai duhet ta ketë një qasje krejtësisht ndryshe.

Gaxherri më tej ka konsideruar se disa prej takimeve të anuluara nga jashtë kanë ardhur për arsye të mospërgatitjes së krerëve shtetërorë të Kosovës.

“Prandaj unë e shoh që kanë qenë të papërgatitur plotësisht, prandaj edhe i kanë anuluar takimet”, ka shtuar Gaxherri.

Kurse deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, ka vlerësuar se  vizitat e tyre jashtë vendit mund të ndërlidhen me disa kushte që Republika e Kosovës nuk i ka plotësuar, që, siç thotë ajo, kanë të bëjnë me liberalizimin (dhe me luftimin e krimit e të korrupsionit).

Pantina më tej ka thënë se Kosova nuk ka ndonjë ndikim të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“E gjithë marrëdhënia jonë me shtetet tjera ose është ndihmuar apo shtyrë kryesisht nga vullneti shumë i mirë i SHBA-së në radhë të parë dhe pastaj i disa vendeve mike të BE-së, siç janë Gjermania, Britania e kështu me radhë, të cilat kanë lobuar më shumë sesa vetë Qeveria jonë”, është shprehur ajo, duke shtuar se tashmë është koha kur institucionet e Kosovës duhet që vetë ta përfaqësojnë veten.

Murati: Konsolidimi i institucioneve dhe zgjedhjet lokale, arsyet e vizitave të pakta

Nga ana tjetër, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka konsideruar se numri i pakët i vizitave të krerëve shtetërorë jashtë vendit ka të bëjë në radhë të parë me konsolidimin e institucioneve.

“Njëra prej arsyeve pse ndoshta ka vizita më të pakta rajonale gjatë kësaj kohe është pikërisht për shkak të kohës së shkurtër të funksionimit të Qeverisë. E dimë që Qeveria tash ka filluar punën për më pak se dy muaj dhe po besoj që së pari fokusi është konsolidimi i brendshëm i ekzekutivit dhe ndarja e detyrave dhe përgjegjësive”, ka deklaruar ai.

Kurse arsyeja tjetër, sipas tij, ka të bëjë me zgjedhjet lokale.

Nga ana tjetër Fatmir Arifi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka konsideruar se lidershipi i Republikës së Kosovës nuk po arrin ta perceptojë zhvillimin e dinamikave globale.

Sipas tij, mungesa e pjesëmarrjes së Kosovës në forumet ndërkombëtare është një mungesë e profesionalizmit.

“Ndaj mungesën e institucioneve të Republikës së Kosovës në diplomacinë e forumeve multilaterale e shoh më shumë si mungesë të profesionalizmit sesa si qëndrim të vullnetit të duhur”, ka theksuar Arifi.