Vuçiq: Zbatimi i marrëveshjes së gjyqësorit të premten ose të hënën

Aktuale October 18, 2017 - 19:14

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se zbatimi i marrëveshjes së gjyqësorit në Kosovë do të bëhet të premten ose të hënën, sepse Serbia është një partner i besueshëm.

Duke komentuar deklaratën e Bashkimit Evropian,  se i vjen keq për dështimin për të zbatuar marrëveshjen për gjyqësorin në Kosovë, kreu i shtetit serb tha se vendi i tij është “mësuar me këto gjëra”.

“Disa vonohen në formimin e Asociacionit të komunave serbe katër vjet e gjashtë muaj, nga prilli 2013, në qoftë se unë nuk gabohem. Dhe nuk iu bie ndërmend që ta bëjnë atë , dhe kanë mbështetjen e shumë vende të botës Më mirë të mos më tërheqin për gjuhe “, tha Vuçiq, raportojnë mediat serbe, transmeton Klan Kosova.

Ai shtoi se kjo së shpejti do të bëhet sepse sipas tij, Serbia nuk e mashtron askënd dhe është një partner i besueshëm.

Zëdhënëse e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë të martën se BE ndjen keqardhje për dështimin për të zbatuar marrëveshjen për gjyqësorin në Kosovë, e cila pritej të fillonte së zbatuari të martën, dhe presin që të respektojë afatin e përcaktuar të përfshirjes së stafit serbë të gjykatave në gjyqësorin e Kosovës.

Ajo vuri në dukje se një marrëveshje e tillë është rënë dakord mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në fund të gushtit dhe ka theksuar se kjo do të “kontribuojë në respektimin e sundimit të ligjit në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Mitrovicës”.