Detaje të reja nga sulmi ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi

Aktuale October 14, 2017 - 08:04

Kryeredaktori i portalit “Insajderi”, Vehbi Kajtazi, është sulmuar fizikisht të premten pasdite derisa qëndronte i ulur në një kafene në qendër të Prishtinës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Gazetari Kajtazi është grushtuar në fytyrë, ndërsa pas sulmit është dërguar për mjekim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Kajtazi, i cili sipas burimeve është Faton Ramadani.

Flora Ahmeti, nga Zyra për Informim e Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se për sulmin ndaj Kajtazit Policia e ka shoqëruar për në stacionin policor një të dyshuar.

“Policia ka shoqëruar në stacionin policor një person për ta intervistuar në lidhje me ngjarjen në fjalë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje, me një fokus të veçantë për identifikimin e personave të dyshuar”, thuhet në njoftimin e mëvonshëm të Policisë.

Policia ka bërë të ditur se në koordinim me prokurorin e Shtetit po kryhen veprimet e fazës fillestare hetimore për të proceduar më tej në fazat e tjera.

Pasi ka marrë tretmanin mjekësor Kajtazi ka deklaruar për medie se e di kush e ka sulmuar dhe se kjo lidhet me shkrimet dhe me punën e tij. “E di kush më ka sulmuar dhe rasti lidhet me punën time, pra me shkrimet e mia. E njoh kush më ka sulmuar, por për shkak të hetimeve nuk mund të flas. Tani pres nga Prokuroria dhe Policia që ta zbardhin rastin”, ka thënë Kajtazi.

Sulmi ndaj Kajtazit është dënuar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria është zotuar për bashkëpunim me mediet. "Si Qeveri jemi zotuar për një bashkëpunim me medie, për të qenë transparentë i mendimit të lirë, i pikëpamjeve", ka thënë Haradinaj pas përmbylljes së mbledhjes së Qeverisë.

Gjatë ditës sulmi është dënuar edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. “AGK-ja u bën thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë sa më parë këtë rast. Kolegu Kajtazi ka qenë cak i sulmeve dhe i kërcënimeve të vazhdueshme edhe në të kaluarën. Fatkeqësisht disa nga këto raste ende nuk janë zbuluar, ndërkohë që ne presim hetime të pavarura dhe epilog të shpejtë. Hetimet për këtë rast duhet të dërgojnë në hetim të mirëfilltë të të gjitha dyshimeve. AGK-ja do të monitorojë këtë rast duke i dhënë mbështetje kolegut Kajtazi në këtë situatë të rëndë për të”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja ka theksuar se sulmet e tilla paraqesin shqetësim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe për lirinë e medieve në vendin tonë. Ky vit shënon rritje të konsiderueshme të rasteve ku viktima të dhunës janë gazetarët.

Edhe lëvizja “Vetëvendosje” e ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi.

Në një njoftim për medie, LVV-ja e ka quajtur sulmin të papranueshëm, ndërsa ka kërkuar nga organet e rendit që ta hetojnë rastin.