Votohet marrëveshja, Kosova përfiton 71 milionë euro

Aktuale October 05, 2017 - 08:00

Kuvendi i Kosovës miratoi në seancën e djeshme Marrëveshjen për Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA 2016) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nga e cila Kosova përfiton rreth 71 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Marrëveshja e nënshkruar në prill të këtij viti u mbështet nga të gjitha grupet parlamentare (pozitë e opozitë), duke u votuar kështu nga të gjithë deputetët sa ishin në sallë, 98 gjithsej.

Seanca e kaluar, në të cilën pritej të votohej kjo marrëveshje, ishte ndërprerë meqë LDK-ja nuk kishte votuar fare e më pas edhe ishte larguar krejtësisht nga salla.

LEXO EDHE: Danielsson: Dy kriteret mbesin, pastaj vizat

Përfaqësuesit e këtij subjekti njoftuan më pas se një veprim të tillë e kishin bërë me qëllimin e vetëm që t’i tregojnë Qeverisë se nuk mund t’i kalojë marrëveshjet e tilla (të cilat kërkojnë 2/3-n) pa opozitën.

Përfitimet e Kosovës

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë seancës së djeshme tha se nga Marrëveshja për IPA-n 2016 Kosova përfiton rreth 71 milionë euro.

“Në tërësi programi konsiston në financimin e 45.5 milionë eurove nga ana e BE-së për Kosovën, ndërsa shuma totale e përfshirë është 71.15 milionë euro, ku përfshihet edhe ofrimi i kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 20.5 milionë eurosh për operatorët privatë, si dhe një shumë bashkëfinancimi nga ana e Kosovës në vlerë prej 4.75 milionë eurosh, ku 2.75 milionë janë nga Ministria për Kthim dhe Komunitete, një milion euro nga Ministria e Integrimit dhe një milion euro nga Ministria e Arsimit. Përfituesit individualë të granteve do të bashkëfinancojnë vlerën totale të marrëveshjes financiare në shumë prej 400 mijë eurosh”, deklaroi Hoxha.

Ajo më tej tha se kjo marrëveshje përfshin në vete gjithsej gjashtë projekte.

“Kjo marrëveshje financiare rregullon zbatimin e Programit IPA 2016. Pjesa e parë përfshin 6 projekte të cilat do të ndihmojnë për afrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, të drejtat e komuniteteve, rritjen e konkurrueshmërisë për ndërmarrjet kosovare, si dhe në përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës në politikat sociale”, shtoi ajo.

Ndërkohë u zotua se do të punohet që të kryhen të gjitha procedurat, në mënyrë që marrëveshja në fjalë të zbatohet.

“Dua t’ju njoftoj se afati përfundimtar për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje financiare është 31 dhjetori i këtij viti”, potencoi ajo, duke bërë të ditur se kjo marrëveshje u nënshkrua në prill të këtij viti.

Deliu-Kodra: IPA ndihmon Kosovën drejt anëtarësimit në BE

Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, tha se marrëveshja në fjalë ndihmon Kosovën në përmbushjen e kritereve drejt integrimit evropian.

“Marrëveshja është realizuar në kuadër të procesit të integrimit evropian. Përmes kësaj marrëveshjeje BE-ja e Kosova obligohen të japin kontribute të përbashkëta financiare, ashtu siç parashihen edhe në këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje e ndihmon Kosovën në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për zbatimin e obligimeve që dalin nga MSA-ja”, tha ajo.

Ndërkohë konsideroi se nga kjo marrëveshje do të ndihmohen institucionet e Kosovës, veçanërisht Qeveria.

“Kjo asistencë bëhet përmes projekteve të cilat janë përshkruar në këtë marrëveshje, e cila i ndihmon institucionet e Republikës së Kosovës në përgjithësi e në veçanti Qeverinë dhe institucionet e tjera të pavarura për realizimin e prioriteteve nacionale dhe sektoriale”, shtoi Deliu-Kodra. 

Sejdiu: Mosprezenca e kryeministrit në seancë, për keqardhje

Ndërkaq deputeti i “Vetëvendosjes”, Dardan Sejdiu, tha se është për të ardhur keq se si kryeministri nuk ka qenë i pranishëm në seancën e djeshme.

“Grupi Parlamentar i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ do të votojë për miratimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare IPA 2016. Por është për keqardhje qysh kryeministri zellin që e pati dje të ishte në seancë gjatë gjithë kohës sot për një marrëveshje kaq të rëndësishme nuk është prezent”, deklaroi ai.

Ndërkohë konsideroi se nga Marrëveshja për IPA-n 2016 duhet të ndihmohen edhe komunat.

“Sido që të jetë, besoj se kjo marrëveshje mund të ndihmojë jo vetëm në temat që janë paraqitur këtu, por gjithashtu edhe për komunat. Rrjedhimisht duhet të potencoj se komunat janë ato të cilat duhet të jenë përfitueset më të mëdha të këtyre fondeve”, theksoi Sejdiu.

Ndërkohë, lidhur me akuzat ndaj kryeministrit se pse ai nuk ishte i pranishëm dje në seancë reagoi shefi i GP-së së AAK-së, Ahmet Isufi, me ç’rast tha se ai nuk do të vijë në çdo seancë.

“Mund t’ju them se nuk është mirë të keqpërdoret vazhdimisht fjala sepse kryeministri nuk ka kohë për çdo projektligj, për çdo vendim kur është ministrja e Integrimeve këtu e cila e prezantoi projektligjin”, theksoi Isufi.

 Hoti: I treguam Qeverisë se marrëveshjet e tilla s’kalojnë pa opozitën

 Ndërkohë, pavarësisht se shkaku i LDK-së ishte ndërprerë seanca e kaluar meqë ky subjekt nuk votoi Marrëveshjen IPA, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se LDK-ja e përkrah këtë marrëveshje.

“Prioritetet që janë përcaktuar në këtë marrëveshje janë negociuar në detaje nga ministrat e Qeverisë. Kjo marrëveshje është e rëndësisë nacionale, ne sigurisht nuk mund të lejojmë që kjo marrëveshje të mos ratifikohet”, deklaroi ai.

Ndërkohë, lidhur me mosvotimin në seancën e kaluar ai tha se ky vendim ka ardhur vetëm sa për t’ia bërë me dije Qeverisë se nuk mund të ecet përpara pa opozitën.

“Atë që e kemi bërë dje me sjelljen tonë si LDK është t’i tregojmë Qeverisë se marrëveshjet e rëndësisë së tillë nuk mund të kalojnë pa votat e opozitës shqiptare, nuk mjaftojnë votat e Listës Serbe. Ne do të votojmë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, të gjithë deputetët tanë”, shtoi Hoti. 

Pajaziti: BE-ja përmes IPA-s mbështet vendin dhe prioritetet e Qeverisë 

Kurse deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, konsideroi si moment të mirë vullnetin e të gjitha partive për ta mbështetur Marrëveshjen e IPA-s.

“Grupi Parlamentar i PDK-së e mbështet ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA-n 2016. Njëkohësisht e konsiderojmë si moment të mirë i cili ka një vullnet nga të gjitha subjektet që ta mbështesin këtë marrëveshje dhe marrëveshjet e tilla që janë të rëndësishme për vendin. Siç e dimë, BE-ja përmes këtij instrumenti mbështet vendin tonë dhe prioritetet e Qeverisë në fusha të ndryshme”, deklaroi Pajaziti.

Ndërkaq kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se ky subjekt e mbështet këtë marrëveshje, veçmas kur kihet parasysh raporti i Kosovës me BE-në.

Deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, kërkoi nga Qeveria që Marrëveshja për IPA-n 2016 të zbatohet në kohë.