Danielsson: Dy kriteret mbesin, pastaj vizat

Aktuale October 05, 2017 - 07:53

Qeverisë dhe kryeministrit Haradinaj vazhdojnë t’i vijnë mesazhe të qarta nga komuniteti dhe nga institucionet ndërkombëtare sa u përket kritereve për liberalizimin e vizave.

Pas pëlqimit të këtij mesazhi nga shumë ambasadorë dhe nga përfaqësues të BE-së, Haradinaj dje mori një tjetër në “shtëpinë e tij” nga drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në konferencën e përbashkët për shtyp që patën Haradinaj dhe Danielsson, ky i fundit tha se kriteret e mbetura për Kosovën para liberalizimit të vizave janë të qarta - zgjidhja e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

LEXO EDHE: Fushatë pa programe

“Kriteret janë të njohura dhe të qarta për liberalizimin e vizave. Këshilla jonë për Qeverinë është që të gjenden mënyra për t’i adresuar këto çështje të mbetura”, ka thënë Danielsson.

Në vazhdim Danielsson ka shtuar se në momentin që Kosova do t’i plotësojë këto kritere, atëherë edhe Komisioni Evropian do të lëvizë me hapa të shpejtë drejt liberalizimit të vizave.

“BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë rrugën evropiane të Kosovës”

Përveç këshillave për Qeverinë Danielsson pati edhe disa lajme të mira. Ai tha se Bashkimi Evropian, si njëri nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë, ku nga viti 1999 ka dhuruar 2.5 miliardë euro, do të vazhdojë që ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e saj evropian edhe në vitet në vazhdim. Sipas Danielssonit, “Kemi pasur takim të mirë. Unë jam këtu për ta diskutuar edhe procesin e zgjerimit në Ballkan. Kosova ka nevojë për reforma të thella në ekonomi, në arsim, në administratë publike dhe në energji. Kemi pasur biseda të mira me kryeministrin. Natyrisht kemi folur edhe për agjendën evropiane të Kosovës. Nga ana jonë ne do ta përkrahim përkushtimin e Kosovës në këtë drejtim. Ne do ta ndihmojmë Kosovën në mënyra të ndryshme, qoftë edhe financiare. Që nga 1999-a 2.5 miliardë euro ka dhënë Bashkimi Evropian për Kosovën dhe do të vazhdojë t’i japë 100 milionë euro në vit”, ka thënë Danielsson.

Nga ana e tij kryeministri Haradinaj tha se Kosova si një palë kontraktuese me BE-në përmes Marrëveshjes së MSA-së do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për adaptimin e programeve zhvillimore.

“Kosova është palë kontraktuese me BE-në përmes MSA-së. Kosova ka adaptuar agjendën e reformave evropiane të njohur si ERA dhe është në zbatim të saj. Sot fokusimi ishte në programin për reforma ekonomike dhe për lansimin e këtij programi në vitin që vjen”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai tha se nga Danielssoni morën sugjerimet rreth atyre çështjeve që janë më me rëndësi. E uroj Kosovën me votë në Kuvend për Marrëveshjen e IPA-s, që është një marrëveshje e cila tregon përkushtimin e BE-së për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës”, përfundoi Haradinaj.

Veseli: 70.5 milionë euro të IPA-s, ndihmesë e madhe për Kosovën

Drejtorin e përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson, dje e ka pritur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Së bashku kanë diskutuar për agjendën evropiane të Kosovës dhe për mbështetjen që Bashkimi Evropian po ia jep Kosovës në këtë proces.

Kryeparlamentari Veseli tha se Bashkimi Evropian mbetet prioritet strategjik i Republikës së Kosovës. Ai tha se qytetarët e Kosovës janë evropianë dhe përpjekjet integruese të institucioneve të vendit do të vazhdojnë pareshtur.

“Kemi shumë sfida, por si institucione të Republikës së Kosovës jemi të vendosur të ecim përpara në procesin e reformave”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se fondet e IPA-s, në vlerë mbi 70 milionë euro, do të jenë të fokusuara në inovacion, në sistem të drejtësisë, në arsim e në fusha të tjera dhe do të jenë një ndihmesë e madhe për Kosovën në proceset e saj zhvillimore dhe eurointegruese.

Drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson, tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës dhe njerëzve të saj. Danielsson tha se mbështetja e BE-së për Kosovën do të jetë konkrete nëpërmjet fondeve, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e saj.ë

Danielsson takon Pacollin, “Vetëvendosjen” dhe serbët

Christian Danielsson dje ka zhvilluar edhe disa takime me ministra dhe me udhëheqës të partive politike në vend.

Ka qenë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila ka pritur drejtorin e përgjithshëm për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore.

“Pritjet e qytetarëve janë të mëdha, institucionet me seriozitet dhe me përkushtimin të madh po punojnë në zbatimin e MSA-së dhe obligimeve të tjera që dalin nga procesi integrues”, theksoi Hoxha.

Ajo tha se përshpejtimi i kësaj dinamike do të bëhet duke punuar me të gjitha institucionet për përmbushjen e obligimeve, që janë pjesë e Agjendës së Reformave Evropiane dhe MSA-së në tërësi.

Drejtori gjeneral për Fqinjësi dhe Zgjerim, Christian Danielsson, dje ka takuar edhe ministrin për Punë të Jashtme Behgjet Pacollin, ministrin e Financave Bedri Hamzën, udhëheqësit e “Vetëvendosjes” dhe udhëheqësit e Listës Serbe.