Prokuroria po heton 3 raste të vdekjeve të dyshimta, QKUK thotë se janë vetëm 2

Aktuale September 19, 2017 - 17:08


Zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po insistojnë se janë vetëm dy pacientë, vdekja e të cilëve po cilësohet si e dyshimtë. Ndërkohë që prokuroria e shtetit zyrtarisht ka njoftuar se lidhur me këtë rast po i heton tri raste. E edhe Mjekësia Ligjore u ka bërë analizën e obduksionit tre personave, që kanë qenë pacientë në QKUK e që tashmë kanë vdekur.

Nga 17 operacione të zhvilluara në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, më datën 7 shtator tre pacientë kanë vdekur.. Njëri në sallën e operacionit ndërsa dy të tjerët më pas. Organet e hetuesisë vendore tashmë kanë nisur hetimin për të zbardhur rrethanat që kanë çuar në vdekjen e këtyre tre pacientëve.

 Hetimet e para si shkaktar gjejnë gazin medicinal Oksidull (N20), me të cilin QKUK është furnizuar nga kompania “Bubeari Komerc”.

Por, pavarësisht se Prokuroria e Shtetit zyrtarisht ka deklaruar se janë tri raste që po hetohen tash e një javë, QKU’ja vazhdon të insistojë se janë vetëm dy pacientë të cilët kanë vdekur në rrethana ende të pasqaruara më datën 7, në këtë institucion.

 “Nga 17 operacione, 1 pacient ka vdekur  në  sallë,  1 më  vonë,   6 tjerë  me simptoma e komplikime   pas operacionit. Rastet tjera kanë  shkuar mirë . Për dy raste të  dyshimta po merret prokuroria  e shtetit,  është bërë  autopsia, shpresojmë  të  kemi rezultatet finale”, thuhet në përgjigjen që zyrtarë nga QKU’ja i kanë dhënë të martën Gazetës Express.

Edhe nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore, me urdhër të prokurorisë, të premten që shkoi u është bërë analiza tre personave, pacientë në QKUK të cilët kanë ndërruar jetë më datë 7 shtator. Analizat për të njëjtit ende nuk kanë dalë dhe sipas drejtorit të këtij instituti, duhet kohë, deri tek rezultati final.

"Analizat ende nuk janë dërguar jashtë vendit. Marrin kohë për t’u ditur rezultatet", ka thënë Gerxhaliu të martën për Express.

E në anën tjetër edhe prokuroria e shtetit, po deklaron se janë duke i hetuar tri vdekje të dyshimta për të cilat edhe ka dhënë urdhër që të zhvarrosen.

“Në kuadër të hetimeve dhe me qëllim të ndriçimit të rastit, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë zhvarrimin  e tri kufomave, vdekja e të cilëve është cilësuar si vdekje e dyshimtë dhe pastaj ta bëjë autopsinë ku do të konstatohet shkaku i vdekjes se tyre”, kanë bërë të ditur ditë më parë zyrtarë të prokurorisë në Prishtinë.

QKUK: Ende nuk dihet shkaktari i saktë i vdekjeve të dyshimta

Mirëpo pavarësisht se dyshimet fillestare për shkaktarin e këtyre vdekjeve bien mbi këtë gaz medicinal Oksidull (N20), QKUK thotë se ende nuk dihet shkaktari i saktë për këto raste.

“Sipas të gjitha hulumtimeve deri tash, nuk kemi shkaktar  të sigurt, as ne, as prokuroria,  as mjekësia ligjore, për momentin janë  vdekje  të dyshimta. Nuk shihet se ka neglizhencë, janë  pretendime nga akterë  të  ndryshëm që  mund të  ngrisin çështje. Është  shikuar nga aspekti  i aparaturave që  bënë  përzierjen e gazit,  aparatura nuk lejon të gabohet, por  edhe nëse gabohet,  ose tekniku lëshon sasi të madhe   osksidulli, sistemi i  valvulave nuk lejon me futë sasi të gazrave më  shumë, aparatura është  e  tillë, pra nuk mund të  quhet neglizhencë”, thuhet tutje në përgjigjen e këtij institucioni shëndetësor.

Por ajo çka deri më tani dihet nga ana e organeve të hetuesisë është se dyshimet e para kanë të bëjnë me gazin medicinal Oksidull (N20), i prodhuar pa licencë në Kosovë. Për këtë çështje, ditë më parë është intervistuar pronari i kompanisë “Bubeari Komerc”, i cili dyshohet se e ka prodhuar këtë gaz. /GazetaExpress/