Përfundon autopsia e tre pacientëve që vdiqën në QKUK

Aktuale September 16, 2017 - 08:09

Është kryer autopsia e tre personave që u zhvarrosën të enjten në lidhje me vdekjet e dyshimta të javës së kaluar në QKUK, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo është konfirmuar nga drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili ka bërë të ditur se tashmë janë duke përfunduar analizat toksikologjike dhe hispatologjike.

“Në rastet kur nuk bëhet autopsia menjëherë në ditën e vdekjes dhe lejohet të varroset e dimë që stadi i kalbëzimit relativisht mundet të na destabilizojë gjendjen, por do të shohim çfarë mund të bëhet dhe do t’i propozojë Prokurorisë”, ka thënë ai për Zërin.

Ndërsa prokurori i rastit, Valdet Gashi, ka thënë se ende është herët për t’i ditur shkaktarët e vdekjes së këtyre personave.

Ai shtoi se do ta presin edhe përfundimin dhe analizat tjera dhe pastaj do të dalin me një raport.

LEXO EDHE: Testi i shpejtë i Haradinajt me Listën Serbe

“Ka përfunduar autopsia për këto tri raste, por që është ende herët të dimë përfundimisht se cili ka qenë shkaktari i vdekjes. Aktualisht janë duke u bërë edhe analizat toksikologjike, të cilat duan pak kohë dhe varet nga Mjekësia Ligjore deri kur munden të përfundojnë këto analiza. Nga ne është varur vetëm zhvarrosja, kryerja e autopsisë. Në autopsi ka marrë pjesë prokurori, komisionet nga mjekë dhe ekspertë ligjorë dhe tash jemi duke pritur raportin e autopsisë. Pra, nuk është çështje dite se kur mund të publikohet ky raport”, ka bërë të ditur Gashi.

Për ta zbardhur arsyen e këtyre vdekjeve është angazhuar edhe Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë.

Faik Hoti, zyrtar për Informim në këtë Ministri, ka thënë së janë duke bërë përpjekjeje që t’i ndriçojnë këto raste. “Procesi është në hetim e sipër, inspektoratet, ai shëndetësor edhe ai farmaceutik, po kryejnë punën e vet brenda përgjegjësive që ua jep ligji. Po bëjnë përpjekjeje që t’i ndriçojnë këto raste. Për përgjegjësit në fund të hetimeve e keni parë deklaratën e ministrit, i cili pa e paragjykuar epilogun e rezultateve ka deklaruar se “dëshiron t’i sigurojë të gjithë qytetarët se çfarëdo prove e keqmenaxhimit, neglizhencës ose ndonjë faktori tjetër do ta ketë përgjigjen e menjëhershme institucionale”, ka thënë Hoti.

Për vdekjen e tre pacienteve në QKUK ka reaguar dje edhe lëvizja “Vetëvendosje”. Sami Kurteshi, deputet i kësaj Lëvizjeje, përmes një konference për medie ka thënë se neglizhenca e personave përgjegjës në QKUK ka arritur në nivelin e krimit.

Ndryshe, vdekja e tre pacientëve, të cilët ishin duke u trajtuar në QKUK, dyshohet se ka ardhur nga gazi i cili përdorej në sallat e operimit. Lidhur më këto dyshime të enjten Prokurori i Shtetit ka intervistuar edhe pronarin e kompanisë e cila furnizonte QKUK-në me gaz.