Testi i shpejtë i Haradinajt me Listën Serbe

Aktuale September 16, 2017 - 07:57

Pak ditë pas formimit të Qeverisë së re kryeministri Ramush Haradinaj po ballafaqohet me një test të ashpër në raport me Listën Serbe. Opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile po e kërkojnë shkarkimin e ministrit Nenad Rikallo nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në keqtrajtimet e shqiptarëve gjatë luftës në vend. Njëkohësisht eksponentë të lartë të Listës Serbe ditë më parë kanë vizituar Rusinë, shtet ky që e kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Mosshkarkimi ose mossupendimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo (i cili po akuzohet se ka keqtrajtuar shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë), si dhe përkrahja e Rusisë që ia ka dhënë së fundi Listës Serbe për t’i ndjekur politikat e saja, paraqesin testin e parë për qeverinë “Haradinaj”.

Kjo po dëshmon njëherësh edhe varësinë e Qeverisë së re nga Lista Serbe.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se Rikalo së paku duhet të suspendohet në mënyrë që të dëshmohet e kundërta, që Qeveria nuk është e varur nga Beogradi, shkruan tutuje "Zëri".

Ndërkohë, zyrtarë të partisë së Vladimir Putinit, pas mbështetjes që ia kanë dhënë Listës Serbe në Moskë, kanë thënë se çështjet në Kosovë tash e tutje do të zgjidhen në bashkëpunim me subjektin më të madh politik të serbëve në vend.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e dy blloqeve opozitare, të LVV-së e LA-së, kanë konsideruar se Qeveria duhet ta shkarkojë sa më parë ministrin serb Rikalo, përderisa  vetë Haradinaj para pak ditësh ka bërë të ditur se ka marrë të dhënat nga të gjitha organet e drejtësisë, të cilat, siç ai ka thënë, nuk kanë dëshmuar se Rikalo ka të kaluar kriminale.

E ky i fundit ka mohuar kategorikisht akuzat e bëra në drejtim të tij, me ç’rast ka thënë se tërë këto po bëhen për ta rrëzuar Qeverinë..

Rikalo: Në asnjë moment s’u kam bërë të këqija shqiptarëve

Pas shumë akuzave nga qytetarët, shoqëria civile e opozita në drejtim të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, ka reaguar ky i fundit, me ç’rast ka mohuar se akuzat ndaj tij janë të vërteta.

“Në asnjë moment nuk i kam bërë asnjë të keqe asnjë shqiptari të Kosovës. Deri në vitin 1999 kam luajtur basketboll, kam studiuar dhe kam bërë një jetë të qetë në Prishtinë. Asnjëherë me asnjërin prej fqinjëve nuk jam fjalosur apo hyrë në konflikt. Tani po e shoh se disa prej tyre nuk më paskan pëlqyer edhe aq, por besoj se me shumicën kam pasur respekt”, ka deklaruar ai.

Rikalo madje ka thënë se tërë këto akuza po bëhen me qëllim të diskreditimit të tij dhe rrëzimit të Qeverisë aktuale.

Ministri i Bujqësisë, ndër të tjera, në reagimin e tij ka bërë të ditur se 4 vjet ka qenë anëtar i bordit në fondacionin “Soros”, së bashku me Shpend Ahmetin, me Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina. Madje, sipas tij, me Kurtin e kishin themeluar lëvizjen KAN.

“Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it. Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë. Ai më vonë ka ndryshuar bindjet e veta duke nisur një rrugë tjetër, ka formuar lëvizjen “Vetëvendosje”, e cila përdor metoda të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike në politikë, gjë që mua nuk më ka konvenuar. Që nga atëherë kemi ndërprerë bashkëpunimin”, thuhet mes të tjerash në reagimin e tij. 

Ndërkohë, para pak ditësh për të njëjtin rast ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili përmes një deklarate të lëshuar për medie ka thënë se nga të dhënat që ka marrë nga organet e drejtësisë Rikalo nuk ka qenë i përfshirë në veprime kriminale siç po pretendohet.

 Mbështetja e Rusisë për Listën Serbe

Nga ana tjetër “Rusia e Bashkuar”, subjekti politik i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, para pak ditësh i ka dhënë mbështetje Listës Serbe gjatë një takimi që të dyja palët patën mes vete.

Në komunikatën e publikuar nga lideri i LS-së, Goran Rakiq, thuhet se përfaqësuesit e partisë së Putinit kanë deklaruar se çështjet në Kosovë tash e tutje do të zgjidhen me përfshirjen e Listës Serbe.

“Rusia sillet me respekt ndaj politikës së Serbisë për Kosovën. Më vjen mirë që Lista Serbe i ka përforcuar pozicionet e veta dhe se të gjitha çështjet në Kosovë tash do të zgjidhen me mendimin e popullit serb. Për këtë shkak edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale Rusia e bashkuar i jep mbështetje të plotë Listës Serbe që këtë luftë ta vazhdojë me kapacitet të plotë”, ka thënë zëvendëssekretari i Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti, Sergej Zheljeznjak (sipas kësaj komunikate).

Kurti: Nëse s’është i varur nga Serbia, Haradinaj ta shkarkojë Rikalon

Nga ana tjetër Tinka Kurti, zyrtare për medie në lëvizjen “Vetëvendosje”, ka konsideruar se asnjë person me të kaluar kriminale nuk mund të ketë angazhim politik e as përgjegjësi të lartë zyrtare. Andaj, sipas saj, po që se Haradinaj nuk është i varur nga Lista Serbe duhet që sa më herët ta shkarkojë ministrin Rikalo.

“Angazhimi i Nenad Rikalos, emri i të cilit lidhet ngushtë me krime, nuk mund të jetë në dobi të qytetarëve të Kosovës. Krejt çka dimë për këtë ministër të Haradinajt është materiali që ai të hetohet nga Prokuroria dhe asnjë dëshmi për t’u bërë, as për të qëndruar ministër. Haradinaj, nëse nuk është tërësisht i varur nga Serbia, duhet ta shkarkojë Rikalon sa më parë”, është shprehur ajo për “Zërin”.

Nga ana tjetër, edhe shefi i Grupit Parlamentar të LA-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo. Me këtë rast Hoti ka bërë të ditur se shefi i ekzekutivit do të thirret në interpelancë lidhur me këtë çështje.

“Kundërshtitë do të jenë në forma demokratike e jo të dhunës, siç i përdori partia e kryeministrit. Ne do ta thërrasim në interpelancë kryeministrin”, ka theksuar Hoti gjatë ditës së djeshme.

Baraliu: Veprimet e LS-së do të duhej ta vetëdijesonin Qeverinë

Kurse njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka konsideruar se për këdo që dyshohet se ka bërë një vepër penale duhet të ndiqen procedurat ligjore, në mënyrë që të vërtetohet fajësia ose e kundërta e saj. Kjo meqë, sipas tij, askush nuk mund të shpallet fajtor pa kaluar nëpër procedurat që i parasheh ligji.

Megjithëkëtë, Baraliu ka konsideruar se veprimet e Listës Serbe, duke përfshirë këtu shkuarjen e përfaqësuesve të tyre në Rusi dhe deklaratat e bëra kundër politikës kosovare, janë një test për qeverinë “Haradinaj” që dëshmojnë varësinë e saj nga Lista Serbe.

“Sigurisht që janë test, sigurisht që do të duhej ta vetëdijesonin Qeverinë se ka të bëjë me një strukturë politike që haptas punon dhe deklaron se nuk e njeh shtetin e Kosovës, se nuk ia do të mirën. Gjatë zgjedhjeve ai vetë ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me Listën Serbe, por bëri kështu që kjo ishte situatë pa rrugëdalje, sepse nuk i kishin votat dhe mandatet për ta bërë Qeverinë, qoftë edhe pakicë”, ka shtuar Baraliu. 

Mushkolaj: Rikalo duhet të suspendohet derisa të hetohet rasti

Ndërkaq, analisti politik, Imer Mushkolaj, ka konsideruar se ministri në fjalë duhet të suspendohet derisa të  hetohet rasti.

“Qeveria ‘Haradinaj’ duhet t’i bëjë thirrje Prokurorisë që ta hetojë rastin. Deri atëherë, shkaku i dyshimeve të ngritura, ministri duhet të suspendohet nga posti që mban. Kjo nuk e paragjykon fajësinë ose pafajësinë e tij. Ministri Rikalo duhet të deklarohet për këtë çështje. Nuk duhet harruar reagimet ndaj ish-ministrit Jablanovic për një fyerje, ndërkohë që dyshimet për Rikalon janë më të rënda”, ka thënë ai, duke shtuar se kryeministri Haradinaj duhet që në bashkëpunim me Listën Serbe ta trajtojë çështjen e ministrit Rikalo.