Zgjedhjet e reja, kandidatët e vjetër

Aktuale August 22, 2017 - 07:58

Në zgjedhjet e reja për pushtetin lokal në Kosovë në garë do të jenë kandidatët e vjetër të partive politike. Këto të fundit kryesisht kanë zgjedhur kryetarët aktualë të komunave apo ish-kryetarët për të garuar në zgjedhjet e 22 tetorit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gara më interesante pritet të zhvillohet në Prishtinë, ku lëvizja “Vetëvendosje” do të garojë me kryetarin aktual të Komunës Shpend Ahmetin.

Rivali më i fortë i LVV-së në Prishtinë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk është përcaktuar ende se me cilin kandidat do të garojë në kryeqytet, ndonëse burimet e Zërinflasin për mundësinë e kandidimit të ish-kryetarit Ismet Beqirit, apo Arban Abrashit, ish-ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

LEXO EDHE: Pacolli, pasnesër te PAN-i

AAK-ja ka futur në garë për Prishtinën ish-gazetarin Arbër Vllahiun, përderisa nga radhët e PDK-së mund të kandidojë Blerand Stavileci apo Lirak Çelaj, shkruan tutje "Zëri".

Në Gjilan LDK-ja do ta rikandidojë kryetarin aktual, Lutfi Hazirin, ndërsa PDK-ja ish-ministrin e Brendshëm, Zenun Pajazitin. Kandidat për kryetar të Gjilanit nga LVV-ja do të jetë ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

Drejtimin e Komunës së Gjakovës edhe për një mandat e synon Mimoza Kusari-Lila, e cila muaj më parë ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Komunës, kur mori pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend.

Kandidat i AAK-së për Gjakovën do të jetë Ardian Gjini, ndërsa i LVV-së Driton Çaushi.

PDK-ja ende nuk ka vendosur për kandidatin për kryetar të Komunës, ndonëse si mundësi përflitet kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa.

LDK-ja do të garojë në këtë Komunë me Bekim Ermenin.

Në Prizren LDK-ja pritet të garojë me ish-deputetin Hatim Baxhaku, ndërsa LVV-ja me deputetin Mytaher Haskuka. PDK-ja ende nuk e ka përcaktuar kandidatin.

Kandidat i LDK-së për Pejën do të jetë kryetari aktual Gazmend Muhaxhiri, ndërsa AAK-ja do të garojë me ish-zëvendësguvernatorin e Kosovës, Fatmir Gashin.

Megjithatë, sot do të dihet lista definitive e kandidatëve të partive për kryetarë të komunave, pasi që është afati i fundit për t’i dorëzuar në KQZ.

Zëdhënës i lëvizjes “Vetëvendosje”, Shkodran Hoti, ka thënë për “Zërin” se shumica e emrave të kandidatëve të kësaj partie për kryetarë të komunave tashmë është publik. Ndërsa të martën (sot) do të bëhet publike e gjithë lista e kandidatëve të partisë për kryetarë.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka bërë të ditur se lista me emrat e kandidatëve do të bëhet e ditur sot.

"Sot përfundon afati ligjor dhe ne do t’i përfundojmë listat me kandidatë për kryetarë të komunave”, ka thënë ajo.

Ndërkaq nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, i cili do ta kërkojë votën e qytetarëve të Istogut edhe për një mandat, ka thënë se rikandidimi është rezultat i suksesit të kryetarëve në qeverisjen lokale.

Në anën tjetër, analisti Blerim Burjani ka deklaruar se në garën për zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të ketë, siç thotë ai, riciklim të kandidatëve.

”Me një riciklim të kandidaturave nuk pres asnjë zhvillim, apo ndonjë përparim të këtyre partive. Këto parti janë të mbërthyera në interesa të njëjta, në radhë të parë të liderit dhe të njerëzve të afërt që kanë”, theksoi Burjani.