Pacolli, pasnesër te PAN-i

Aktuale August 22, 2017 - 07:48

AKR-ja e Behgjet Pacollit të enjten do t’i bashkohet koalicionit PAN, duke i mundësuar këtij të fundit që të njëjtën ditë ta zgjedhë Kadri Veselin kryeparlamentar. Edhe me këto “përforcime” koalicioni PAN s’do të mundë të formojë Qeveri stabile pasi që nuk do t’i ketë më shumë se 62 deputetë në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) po i numëron ditët e fundit në këtë përbërje. Partia e Behgjet Pacollit (Aleanca për Kosovën e Re) edhe zyrtarisht të enjten (pasnesër) do t’i bashkëngjitet koalicionit PAN, duke i mundësuar këtij të fundit që në ditën kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit ta zgjedhë kryeparlamentar Kadri Veselin.

Megjithatë përkrahja që do t’i japë AKR-ja koalicionit PAN nuk do t’i ndihmojë këtij të fundit ta krijojë një qeveri stabile, e cila vështirë se do t’i ketë më shumë se 62 vota në Kuvend, shkruan tutje "Zëri".

Kjo për faktin se nëse lideri i partisë, Pacolli, merr post në ekzekutiv në vend të tij në Kuvend do të ulet Imet Rrahmani nga LDK-ja, duke e lënë AKR-në me vetëm 3 deputetë.

Po ashtu nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu, disa herë ka përsëritur se edhe nëse partia e tij i bashkohet PAN-it ai nuk do t’i votojë kandidatët e këtyre të fundit. Kështu që AKR-ja vështirë se mund t’ia sigurojë më shumë se dy vota koalicionit PAN në Kuvend.

Selmanaj: Të enjten zhbllokohen institucionet

Rasim Selmanaj, deputet i koalicionit PAN, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se të enjten kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, do t’i zhbllokojë institucionet.

“Mesazhi i z. Pacollit është shumë i qartë. Ai e ka thënë edhe më herët që nuk do të lejojë të bllokohet formimi i institucioneve. Ne themi që të enjten dhe të premten do të zgjidhet edhe kryetari, edhe situata”, ka thënë ai.  

Selmanaj ka thënë se PAN-i është i bindur në përkrahjen e kreut të AKR-së Behgjet Pacollit.

“Përveçqë jemi të bindur, këtë e ka deklaruar vetë z. Pacolli që do t’i zhbllokojë këto bllokada të panevojshme që janë krijuar”, ka thënë ai.

I pyetur se kur mund ta presim një marrëveshje zyrtare mes AKR-së e koalicionit PAN, Selmanaj ka thënë se kjo do të ndodhë të enjten, kur edhe do të jetë vazhdimi i seancës konstituive. “Procesi është në formim e sipër dhe kjo do të ndodhë. Do ta shihni edhe të enjten. Zhbllokimi i institucioneve do të ndodhë ditën e enjte dhe të premte”, ka përfunduar Selmanaj.

Makolli: AKR-ja do të votojë për interesin e vendit

Në anën tjetër Vesel Makolli, sekretar i përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re (AKR), ka deklaruar se qëllimi i AKR-së është vetëm t’i shtyjë gjërat përpara. Ai tha se AKR-ja deshi që t’i nxisë LVV-në e LDK-në për bashkëpunim, por, siç thotë ai, ato nuk janë të interesuara për qeverisje.

“Presidenti ynë ka qenë i vetmi i cili ka tentuar t’i shtyjë gjerat përpara. Në atë kontekst është edhe qëndrimi i Kuvendit të AKR-së. Ideja ishte që t’i shtyjmë LDK-në dhe LVV-në drejt një marrëveshjeje, sepse nuk është në rregull që njëra dëshiron të shkohet në zgjedhje dhe tjera dëshiron ta shtyjë deri në zgjedhje lokale. Ato sikur nuk duan të qeverisin. Vendi po pëson dhe i gjithë qëllimi ynë ka qenë t’i shtyjmë gjërat përpara. Ju e dini që janë edhe disa faktorë që ndikojnë, e ai është edhe faktori ndërkombëtar, sepse shpeshherë na kanë nxjerrë nga këto pozicione. Duhet t’i lëmë anash armiqësitë dhe duhet t’i analizojnë gjërat”, tha Makolli.

Ndërsa për një marrëveshje të mundshme me koalicionin PAN Makolli tha se ende nuk ka asgjë zyrtare, por ai tha se AKR-ja është pro zhbllokimit të institucioneve të vendit.

“Ende nuk ka asgjë zyrtare, por jemi duke e analizuar situatën. Do të bisedojmë edhe me koalicionin. Ne u kemi thënë që u rrimë besnikë, por nuk do të thotë që besnikëria jonë do të shkojë në dëm të interesit të vendit”, ka thënë ai.  

Veliu: AKR-ja të mos mendojë për një mandat

E deklaratat e tilla të AKR-së nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, i ka quajtur të papranueshme.

Sipas tij, AKR-ja duhet të mendojë për një të ardhme më afatgjate dhe jo vetëm për një mandat.

“Kjo është një çështje që ata duhet ta kishin menduar se a ia vlen që të sillen kështu në politikë. Me hy në koalicion dhe pas një muaji të dalësh ta rrëzosh koalicionin... Ata duhet të mendojnë për një të ardhme më afatgjatë dhe më stabile të Kosovës sesa për një mandat për një ditë, sepse kjo sjellje e subjekteve politike është për mua e papranueshme. Në kohen e lidhjes së koalicioneve thoshin që po lidhin koalicione për parime, programe dhe të mirën e Kosovës. Pra për këtë mua më duket e pabesueshme që po sillen në këtë mënyrë. Nuk kam ende një qëndrim zyrtar, por në parim këto forma nuk janë të pëlqyeshme pa marrë parasysh të kujtdo qofshin”, ka thënë Veliu.

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, disa herë ka deklaruar se qëllimi i tij ishte ta afronte LDK-në e LVV-në, mirëpo Veliu ka treguar për “Zërin” se këto dy subjekte politike janë larg një bashkëpunimi të mundshëm.

“Nuk ka asgjë. LDK-ja dhe LVV-ja nuk mund të them që janë afër. LVV-ja duhet të japë përgjigje në disa çështje që janë fundamentale për Kosovën dhe pastaj jemi edhe me parime e me programe larg”, përfundoi ai.

Tahiri: AKR-ja u josh nga lakmia për pushtet

Ramush Tahiri, njohës i çështjeve politike, është treguar i bindur që AKR-ja ka ndryshuar qëndrim dhe se do ta përkrahë koalicionin PAN.

Sipas tij, AKR-ja do ta votojë kandidatin për kryetar Kuvendi të PAN-it dhe po ashtu do të votojë për qeverinë Haradinaj.

Sipas Tahirit, një veprim i tillë është i pamoralshëm dhe që tregon interes për pushtet.

“Konsideroj që më 24 gusht duhet të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët. Kjo mundëson që të kalohet në zgjedhjen e Qeverisë, që është përfundim i procesit të zgjedhjeve me pozitë e opozitë të diferencuar. AKR-ja ka ndryshuar qëndrim dhe është e gatshme ta votojë PAN-in edhe për kryetar Kuvendi, edhe për Qeveri, kundrejt një pazari për vende ministrash, që nuk duket e moralshme, por që shpreh interesin konkret të pushtetit”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërsa Haki Abazi, analist politik, ka thënë se deri më tani institucionet janë mbajtur peng për shkak të zgjedhjeve lokale.

Sipas tij, pas pazareve për zgjedhje lokale do të formalizohen të gjitha marrëveshjet për krijimin e Qeverisë.

“Situata e barrikadimit dhe status-quos është situatë e dëmtimit të procesit zgjedhor dhe të institucioneve, dhe rrjedhimisht duhet të dilet nga kjo situatë”.