Tre pretendentë të PDK-së për kreun e Drenasit

Aktuale August 17, 2017 - 08:13

Në një takim të Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas, e cila është mbajtur të martën pasdite, janë zhvilluar polemika të ashpra në mes të Ramiz Lladrovcit, Bislim Zogajt dhe Naim Bazajt. Ata kanë këmbëngulur se do të udhëheqin me Drenasin në katër vjetët e ardhshme, pasi që, siç kanë thanë ata, u ka premtuar Kadri Veseli, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryesia e Degës së PDK-së në Drenas do të dalë e pavarur nëse PDK-ja e nominon Ramiz Lladrovcin kandidat për kryetar të Drenasit edhe për një mandat tjetër.

Gazeta nga burime të sigurta përbrenda Degës së PDK-së ka mësuar se anëtarët e Kryesisë së Degës së PDK-së do ta nënshkruajnë një peticion kundër kandidaturës së Ramiz Lladrovcit për kryetar të Drenasit dhe atë do t’ia dorëzojnë qendrës në Prishtinë me kërkesën që të mos e nominojnë Lladrovcin kandidat për kryetar të kësaj Komune të Drenicës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

LEXO EDHE: Konkluzionet e tryezës

“Mbi 90 për qind e Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas është kundër kandidaturës së Ramiz Lladrovcit për kryetar të Drenasit. Ai ka dëshmuar se nuk është i zoti për të qeverisur me Drenasin dhe se prej se ka ardhur vetëm sa janë përkeqësuar raportet ndërnjerëzore, është shtuar korrupsioni dhe nuk janë ndalur keqpërdorimet në shumë fusha. Çka është më e keqja, ai me veprimet e tij vetëm sa e ka prishur imazhin që ka pasur PDK-ja në këtë pjesë të Drenicës dhe ka humbur besimin e qytetarëve të Drenasit”, ka thënë burimi.

Të martën në orët e pasdites është mbledhur Kryesia e Degës së PDK-së në Drenas dhe është bërë përpjekje që të propozohet kandidati për kryetar, por polemikat e shumta dhe të ashpra në mes të kandidatëve kanë bërë që të mos mundë të merret asnjë vendim. Mbledhja është shtyrë për të premten dhe deri atëherë do të bëhen përpjekje që të bëhet ndonjë zgjidhje. Në takimin e së martës të Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas kryetari aktual i Drenasit ka siguruar se ai do të jetë kandidati për kryetar të Drenasit.

“Unë kam me qenë kryetar edhe pikë”, ka shpërthyer Lladrovci, ndërsa pas tij me të njëjtën fjalë është shprehur edhe Bislim Zogaj. “Jo, unë kam me qenë kryetar, më ka premtuar Veseli”, ka thënë ai. Ka ndërhyrë pastaj edhe Naim Bazaj. “As ti Ramiz e as ti Bislim nuk keni me qenë kandidatë për kryetar të Drenasit. Kam me qenë unë, sepse ju të gjithë e dini që vetë Kadri Veseli më ka premtuar kur më ka rekomanduar të tërhiqem nga kandidatura për kryetar të Drenasit, në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016. Unë jam tërhequr për shkak të fjalës së tij dhe tani ai duhet ta mbajë fjalën që ma ka dhënë”, është shprehur Bazaj, i cili është kërcënuar se nëse ndodh që ai të mos kandidohet për kryetar të Drenasit, atëherë do t’i hyjë garës si i pavarur. Është interesat për të theksuar se që të tre ata kanë siguruar se kanë marrë premtimin e Kadri Veselit se do të jenë të nominuarit e vetëm për të parin e Drenasit në zgjedhjet e 22 tetorit të sivjetmë.

Në anën tjetër, lëvizja “Vetëvendosje” është subjekti i vetëm politik në Drenas që ka nominuar kandidatin e vet për kryetar, i cili do ta sfidojë kandidatin e PDK-së. Shemsi Elezi është i nominuari i “Vetëvendosjes” për kryetar komune të Drenasit, pasi që anëtarët e saj në Drenas e kanë zgjedhur me vota Shemsi Elezin që të jetë kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e 22 tetorit. Elezi ka qenë nënkryetar i Nismës për Kosovën deri në kohën kur kjo e fundit bëri koalicion me AAK-në. Ai njihet në Drenas, përveç si politikan, edhe si biznesmen.

Qendra e lëvizjes “Vetëvendosje” në Drenas ka thënë se gjatë këtyre 7-8 muajve të qeverisjes së Lladrovcit i kanë gjetur atij shumë defekte. Madje ata janë shprehur se do të ishin shumë më të kënaqur dhe më të lumtur sikurse PDK-ja ta nominonte Lladrovcin kandidat për kryetar, pasi që ata janë shprehur me bindje se në atë rast do të fitonte pa ndonjë vështirësi kandidati i tyre, Shemsi Elezi.

Sokol Bylykbashi, asamblist i LVV-së në Kuvendin e Drenasit, ka thënë se me Lladrovcin asgjë nuk ka ndryshuar nga koha kur me Drenasin ka udhëhequr Nexhat Demaku. Bylykbashi është shprehur se “kazma” e Lladrovcit nuk kreu punë, pasi që ajo ishte bërë vetëm sa për ta reklamuar veten, sepse rrugët e saposhtruara kanë filluar të prishen.

“Kryetari i tanishëm i Drenasit, Ramiz Lladrovci, me të ardhur në krye të Komunës kishte thënë se periudha e Nexhat Demakut, ku punët janë bërë ‘shkel e shko’, ka përfunduar”. Mirëpo gjendja në terren tregon që avazi i vjetër po vazhdon. Personalisht kam dalë në terren dhe kam konstatuar se asfalti në rrugët e posaasfaltuara është çarë dhe është plasaritur dhe dukej sikur ‘petë laknori’. Pjesë të këtij asfalti mund të zhduken bashkë me borën dhe akullin në pranverën e vitit tjetër. Gjendja e asfaltit, ta zëmë në një rrugë në Tërstenik, është dëshmia më e mirë që paraja publike (taksat e qytetarëve) po keqpërdoret duke u thirrur në interesin e qytetarëve. Përgjegjësit për mungesë të cilësisë në investimet kapitale, të cilat nuk realizohen sipas kontratës dhe paramasave, janë kryetari i komunës, Ramiz Llaadrovci, drejtori i Urbanizmit dhe Organi Mbikëqyrës. Zgjedhjet lokale po afrohen, këtë mundësi nuk duhet ta lëshojnë qytetarët për ta ndëshkuar keqqeverisjen e PDK-së. Komunën nuk mund ta drejtojnë edhe katër vjet të tjera ata që e kanë zhvatur që nga paslufta”, ka thënë mes tjerash Bylykbashi.

E në anën tjetër kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka vazhduar me suspendimin  e zyrtarëve komunalë të Drenasit. Ai së fundmi (të premten) ka suspenduar nga puna shefin e Personalit në Komunën e Drenasit, Gëzim Shishani, për shkak, siç kanë thënë në Komunën e Drenasit, “të shkeljeve të shumta ligjore gjatë punës”.