Konkluzionet e tryezës

Aktuale August 17, 2017 - 08:01

Koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) ka organizuar dje tryezën e diskutimeve mbi rrugëdaljen që duhet gjetur për të dalë nga kriza institucionale, në të cilën tryezë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje”, por jo edhe të koalicionit PAN.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar me këtë rast se presin që PAN-i ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar, në të kundërtën, siç ka thënë ai, nuk do të qëndrojnë duarkryq, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe do të gjejmë qasje për ta zhbllokuar zgjedhjen e drejtuesve të Kuvendit të Kosovës”, tha Hoti

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar për lëvizjen “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, situatën e tanishme e ka vlerësuar bllokuese.

“Në situatën që ndodhet Kosova ka nevojë për diskutime të këtilla, sepse ndodhemi në një bllokadë dhe për këtë duhet t’i adresojmë përgjegjësitë e qarta se kush e ka përgjegjësinë se pse nuk po themelohet Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Konjufca.

LEXO EDHE: Seanca më 24 gusht, siç propozoi PAN-i

Sipas tij, të gjithë e kanë kuptuar se cili është shkaku i mosthemelimit të Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se vetë mosprania e PAN-it në Kuvend është arsyeja e kësaj bllokade.

Ai potencoi se mospërmbushja e përgjegjësisë publike në këtë rast nuk ka konsekuenca penale, por ka konsekuenca të përgjegjësisë morale.
“Ata duhet të marrin përgjegjësi publike dhe të thonë se janë bllokues të situatës politike”, u shpreh Konjofca.

Kusari - Lila: Faturë e lartë financiare për Kosovën

Deputetja nga radhët e koalicionit LAA, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se përpos problemeve tjera, mosformimi i institucioneve ka kosto të lartë financiare për Kosovën.

Sipas saj, më 4 gusht Kosovës i ka skaduar Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe si pasojë e mosvazhdimit të marrëveshjeve me këtë institucion ndërkombëtar vendi rrezikon t’i humbas rreth 100 milionë euro.
Ajo shtoi se situata politike do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë financiar edhe në buxhetin e vitit 2018.

Në anën tjetër, analisti politik Ramush Tahiri mendon se nuk ka vullnet të mjaftueshëm nga partitë politike për ta kaluar këtë krizë institucionale.
“Për ta kapërcyer këtë krizë nuk po shfaqet vullnet, atëherë ballafaqohemi me situatën që një e drejtë e garantuar me ligj e me Kushtetutë nuk konsumohet”, u shpreh Tahiri.

Tahiri po ashtu potencoi se pasi nuk po tregohet vullnet që lënda duhet të çohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë, siç thotë ai, kjo bllokadë mund të vazhdojë.

 Konkluzionet

Pas përfundimit të tryezës koalicioni LAA, në emër të shefit dhe deputetëve të Grupit Parlamentar LAA, Avdullah Hoti, ka prezantuar konkluzionet e arritura lidhur me bllokadën e krijuar në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Përmes një komunikate për medie GP i LAA-së thotë se janë arritur 6 konkluzione, e njëra ndër to është se koalicioni i PDK-së, PAN-i, “ka bllokuar konstituimin e Kuvendit për shkak të mosshfrytëzimit të së drejtës ekskluzive për ta kandiduar kandidatin për kryetar të Kuvendit”.

Konkluzioni i dytë është se edhe pavarësisht dilemave të interpretimi të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, respektimi i këtij vendimi është i paalternativë.

Themelimi i institucioneve ka pasoja në të gjitha sferat ekonomike dhe shoqërore në vend. Pasojat ekonomike: a) Humbja e 15 milionë eurove nga FMN-ja; b) Rrezikojnë të humben 75 milionë euro nga IPA - Fonde të BE-së; c) Mungesa e rishikimit të buxhetit, pengesa serioze në zbatimin e projekteve; d) Rishikimi i legjislacionit në fushën ekonomike; e) Mungesa e mjeteve për pensionet e veteranëve dhe f) Mungesa e stabilitetit politik, mesazh i keq për investitorët potencialë”, shkruan në komunikatën e LAA-së.

Konkluzioni i katërt i arritur në këtë Tryezë, sipas LAA-së, është analizimi i mundësive procedurale për referim në Gjykatën Kushtetuese për sqarime shtesë nëse mosushtrimi i një të drejte konsumohet apo jo.

I pesti konkluzion është nevoja “imperative për ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore me qëllim të shmangies së krizave të tilla në të ardhmen”, dhe i gjashti “Të bëhet presion i shtuar publik në koordinim me shoqërinë civile”.