Qeveri e zorit

Aktuale July 18, 2017 - 13:34

Gjashtëdhjetë e një votat që deklarohen se janë siguruar për formimin e Qeverisë me mandatar të nominuarin për kryeministër Ramush Haradinajn nuk mjaftojnë sipas analistëve për të pasur jetëgjatësi kjo Qeveri. Madje vënia përballë e një Qeverie me kaq vota me proceset e mëdha që kanë të bëjnë me vendin mund të rrezikojë që Kosova të përballet shpejt me zgjedhjet e reja të parakohshme.

Profesori universitar, Avni Islami, ka thënë se zgjedhjet e fundit e kanë sjellë një konfiguracion të cilin askush nuk e ka parashikuar. Ai thotë se që të gjithë duken humbës, përveç LVV-së e cila hyri si e vetme në zgjedhje, transmeton zeri.info.

“Loja me numra e partive fituese është e neveritshme, sepse praktikisht koalicioni i parë nuk ka as numrat që ta formojë Qeverinë e madje edhe nëse bëhen ata numra të ‘famshëm’ kjo Qeveri do të jetë jofunksionale dhe jo e qëndrueshme”, ka thënë ai, transmeton zeri.info.

Islami thotë se cilido që e formon Qeverinë, e cila do të varej nga serbët do të jetë e dëmshme për Kosovën.

“Pra, ajo Qeveri e cila varet nga Lista Serbe do të thotë se e kemi ‘këmbëkryq’ platformën serbo-ruse brenda institucioneve të Kosovës”. Islami po ashtu vlerëson se kushdo që e formon Qeverinë ajo do të jetë jetëshkurtër sepse nuk do të mundë t’i çonte proceset dhe sfidat që e presin vendin përpara.

Ndërkaq profesori për marrëdhëniet ndërkombëtare, integrimet evropiane dhe studimet e Evropës, Dashnim Ismajli, thotë se një model i këtij lloji të Qeverisë nuk krijon stabilitet dhe qëndrueshmëri.

“Prandaj nëse shkohet përmes kësaj formule të krijimit të Qeverisë unë shoh zgjedhje të reja në Kosovë. Mundësia për t’i krijuar institucionet e vendit që garantojnë stabilitet dhe qëndrueshmëri institucionale ekziston, mirëpo kjo varet edhe nga vullneti politik i akterëve në fjalë”, thotë Ismajli për gazetën "Zeri".

Po ashtu edhe profesori universitar, Muhamet Kelmendi, thotë se Qeveria është funksionale në bazë të ligjit, kur i ka të siguruara 60+1 deputetë në Kuvend dhe që e votojnë atë. Kjo, sipas tij, është ana ligjore e çështjes.

“Kjo Qeveri funksionon dhe në shumë çështje ku kërkohet vota e shumicës është funksionale.Nuk është e aftë të kryejë punë ku kërkohen 2/3 e deputetëve për të vendosur. Zakonisht kjo kërkohet te çështjet e mëdha si marrëveshjet ndërkombëtare, Demarkacioni, ushtria, Asociacioni e shumë çështje. Këtu dhe në këtë anë është jofunksionale”. 

Kelmendi thotë se jetëgjatësia e mandatit varet nga funksionimi i Qeverisë. “Sa do të jetë mandati çdoherë varet nga funksionimi i Qeverisë dhe nga fakti i zgjidhjeve të problemeve që i ka vendi. Ngecja në fushat e tilla shpie te zgjedhjet e parakohshme, por ka raste kur koalicionet prishen edhe për shkaqe të tjera”, thotë Kelmendi./Zeri/