Haradinaj para kompromisit të dhimbshëm

Aktuale June 19, 2017 - 08:46

Sakrificat dhe kompromiset për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kandidatit të koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, nuk kanë të sosur. Së fundmi Haradinaj duket se është vënë para një pozite mes “dy zjarreve” politike. Ose ta formojë Qeverinë vetëm me minoritetet dhe dy-tre deputetë nga krahu tjetër, duke lënë tërësisht në “varësi” të Beogradit Qeverinë e Kosovës, ose ta bëjë ndonjë koalicion paszgjedhor me LAA-në si koalicion apo vetëm LDK-në, duke përgjysmuar postet në ekzekutiv.

Kështu të paktën kanë vlerësuar njohësit e proceseve politike në vend. E në mesin e dy këtyre opsioneve analistët kosovarë thonë se zgjidhja më e keqe do të ishte që Qeveria e Kosovës të varej nga disponimi i Listës Serbe. Megjithatë vetë kandidati për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj, është i bindur se do të arrijë ta krijojë Qeverinë shumë shpejt, pa ndonjë sfidë, pazar apo sakrificë.

 “Defetistët janë ngutur edhe këtë herë për të lansuar lloj-lloj tezash për njëfarë krize imagjinare politike. Ato që i bluajnë në kokat e tyre po mundohen t'ua mveshin të tjerëve, me shpresë se kështu mund ta ofrojnë veten si shpëtimtarë. Por ky është një mashtrim utopik ordiner”, ka thënë Haradinaj, duke lënë të kuptohet si një kundërpërgjigje ndaj kundërshtarit më të madh politik të tij për momentin Albin Kurtit. “Standardet dhe normat zgjedhore, që i kemi në këtë shtet, kanë prodhuar një rezultat që na hap rrugën e krijimit të institucioneve të reja dhe kjo gjë do të ndodhë. Përgjegjësia politike këtë herë është më e madhe sesa mashtrimi utopik dhe shumë prej të zgjedhurve e kanë kuptuar se nuk ka më kohë për eksperimente për njëfarë Kosove “futuriste”. Nuk mund ta shkatërrojmë vendin e t'ia nisim nga e para, për tekat e askujt. Kosova do të bëhet dhe do ta ketë Qeverinë e saj shpejt.”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”. Ndërsa Pal Lekaj, kandidat për deputet nga koalicioni PAN, ka thënë për “Zërin” se janë në bisedime me të gjitha partitë pa ndonjë përjashtim. “Për momentin janë të gjitha opsion. Përparësi do të kenë subjektet politike”, tha ai.

Mushkolaj: Çmimi për qeveri do të jetë i lartë 

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë se Ramush Haradinajt do t’i duhet patjetër që të bëjë pazare, çmimi i të cilave do të jetë i lartë. “Vetë ideja që Ramush Haradinaj ka hyrë në koalicion me PDK-në për t’u bërë kryeministër, ai ka sakrifikuar vetë partinë e tij, sikur të kishte shkuar në zgjedhje vetëm me Nismën do të ishte në një pozicion më të mirë. Ai është pretendent për kryeministër dhe secili që pranon të shkojë në koalicion me të i ka kushtet e veta dhe në njëfarë forme më nuk është punë sakrifice, por punë pazari, se me çka do të bindet dikush, qoftë ndonjë parti apo grup deputetesh që të bëhen pjesë e Qeverisë. Çmimi do të jetë i lartë, që PAN-i të mundë ta formojë Qeverinë”, ka thënë ai.   

Më tutje Mushkolaj ka thënë se nuk duhet të ketë zgjedhje të reja, as ngërç, sepse sipas tij situata është e qartë. Megjithatë, sipas Mushkolajt, zgjidhja më e keqe do të ishte që vendimet e Qeverisë së Kosovës të vareshin nga Lista Serbe. “Partitë serbe i kanë kriteret e veta, ato do të përfshihen në një formë ose tjetrën, mirëpo nuk do të ishte mirë secila parti që formon Qeverinë të varej nga partitë serbe, sepse rrjedhimisht do të ishim të varur edhe nga Beogradi.

Është e rëndësishme që të ketë qeveri shqiptare ku do të mundë të izolohej edhe Beogradi”, tha Mushkolaj. Ndërsa Ramush Tahiri, njohës i rrethanave politike, ka thënë se koalicionit PAN do të duhet të bëjë kompromise të mëdha për ndarje postesh. “Koalicioni PAN, me 39 deputetë, duhet të bëjë koalicion me subjektet e tjera politike për ta pasur votën e së paku 61 deputetëve. Lista Serbe ka kërkuar postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa partitë e tjera ende nuk kanë marrë ofertat, prandaj nuk i kanë paraqitur kërkesat për pozitat dhe favoret nga ndarja e pushtetit. Duket se PAN-i si koalicion fitues jo vetëm brenda të tri subjekteve të koalicionit, por edhe me të tjerat,  duhet të bëjë kompromise të mëdha edhe për ndarje postesh, por më shumë për harmonizim të programeve dhe të agjendës konkrete të Qeverisë”, ka thënë Tahiri. Sipas tij, do të jetë interesante të shihet kush do të bëhet kryeministër, nëse jo nga tre pretendentët që garuan në zgjedhje, atëherë nga figurat e dyta si një zgjidhje praktike dhe e pranueshme.

Kraki: PAN-i në pozitë të pafavorshme

Nezir Kraki, profesor i shkencave politike në Francë, ka thënë se në çfarëdo mënyre që të veprojë z. Haradinaj, çmimi për qeveri do të jetë i lartë. “Mendoj që nëse z. Haradinaj arrin të krijojë qeveri me shumicë të ngushtë, 61 ulëse dhe pa LDK-në apo VV-në, atëherë varësia nga Lista Serbe do të jetë e madhe dhe rreziku qëndron në favoret që ajo listë mund t'ia kërkojë qeverisë së re. Ndërsa nëse z. Haradinaj dhe koalicioni PAN e bindin LDK-në apo VV-në të futet në qeveri, atëherë nuk do të ketë varësi të madhe nga serbët, por do të ketë lëshime të mëdha sa u përket posteve qeverisëse, të cilat do t'i shkonin partnerit të dytë të madh shqiptar”, ka thënë Kraki. Ai ka thënë se PAN-i gjendet në pozitën më të pafavorshme. “Të gjitha kalkulimet e mundshme nxjerrin koalicionin PAN në një pozitë të pafavorshme me numrat aktualë dhe me pozicionet aktuale të partive të tjera. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e një aranzhimi politik brenda koalicionit LDK, në të cilin PAN-i do t’i merrte disa deputetë të partive të vogla, si AKR-ja apo Alternativa”, tha ai.

Ndërsa Arben Rugova, njohës i çështjeve politike, ka thënë se nëse VV-ja dhe LDK-ja nuk lidhin koalicion, Ramush Haradinaj nuk do të ketë vështirësi për ta formuar Qeverinë. “Nëse ‘Vetëvendosje’ nuk lidh koalicion paszgjedhor me koalicionin e kryesuar nga LDK-ja, atëherë nuk pres që i nominuari i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj, të ketë të vështirësi ta formojë qeverinë e re. Nëse supozojmë se deputetët e pakicave e mbështesin Haradinajn për kryeministër, atëherë për shkak të rrethanave, sfidave që Kosova ka përpara, pres të ketë deputetë edhe të partive tjera që do ta mbështesin formimin e Qeverisë qysh në rastin e parë, e që sipas rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit dhe Kushtetutës i takon partisë apo koalicionit që ka fituar më së shumti vota”, tha Rugova.

Ndërsa Dashnim Ismajli, profesor universitar, ka thënë se sakrifica e Haradinajt do të jetë e paevitueshme. Ai nuk mohon asnjë situatë në të cilën Haradinaj nuk do të ishte me PDK-në, e as si kryeministër. “Mendoj se Qeveria nga koalicioni PAN është e vështirë për t’u krijuar, duke marrë parasysh deklarimet e dy partive tjera që nuk do të bënin me asnjë çmim ndonjë koalicion të mundshëm qeverisës me partinë e parë, andaj sakrifica e Ramush Haradinajt është e paevituar dhe kjo sakrificë mendoj se do të jetë shkuarja në pozitë ose dalja e deputetëve të AAK-së bashkërisht me ata të Nismës nga koalicioni PAN dhe bashkimi i tyre me partitë e tjera, duke sakrifikuar kështu edhe pozitën e shefit të Qeverisë për ta formuar Qeverinë e ardhshme”, tha ai.