Hoti ka një premtim për lehonat

Aktuale May 28, 2017 - 11:11

 

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një konference për barazinë gjinore që u mbajt të dielën në Prishtinë, ka thënë se gjatë mandatit të ri qeverisës do të krijojnë legjislacioni që mundëson pushimin e lehonisë 12 muaj me pagesë, ndërsa gratë që nuk janë të punësuara, do të marrim gjatë një viti 50% të pagës minimale në Kosovë.

“Në fushën e mirëqenies sociale gratë do të kenë përkujdesje të plotë shëndetësor. Për gratë lehona, të cilat janë të punësuara, do të marrin 12 muaj pushim të lindjes, me pagesë. Ato të cilat nuk janë të punësuara, do të marrin 50% të pagës minimale për 12 muaj. Do të kujdesemi për trajtim adekuat të viktimave të dhunës, përmes qeverive lokale dhe organizatave jo-qeveritare të certifikuara për këtë qëllim”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se përkujdesja sociale për gratë është njëra nga katër shtyllat kryesore të programit qeverisës tw LDK-AKR-Alternativa.

Nga ana e saj, kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Lirije Kajtazi ka thënë se gjatë mandatit të tij si ministër i Financave, Hoti ka treguar përkujdesje të madhe për iniciativat dhe projektet e grave. Ajo ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të ri qeverisës, zëri i grave do të dëgjohet më shumë dhe hapësirat në procesin e vendimmarrjes do të jenë edhe më të mëdha, transmeton Klan Kosova.